Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, integriteti i procesit zgjedhor mbetet një nga shqetësimet kryesore për institucionet dhe opinionin publik. Në këtë kuadër, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka nisur 18 procedime penale që lidhen me krime zgjedhore.

Sipas burimeve zyrtare, nga këto 18 procedime, 5 janë nisur kryesisht nga vetë SPAK, ndërsa pjesa tjetër është regjistruar mbi bazën e kallëzimeve të ardhura nga qytetarë dhe institucione. Procedimet përfshijnë vepra penale si: korrupsioni aktiv dhe pasiv në zgjedhje, kërcënimi i votuesve, blerja e votës dhe parregullsitë në administrimin e procesit zgjedhor.
Zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025 konsiderohen një test kyç për maturimin institucional të vendit dhe për ecurinë e mëtejshme të Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian. Për këtë arsye, transparenca dhe zbatimi i ligjit në çdo fazë të procesit zgjedhor janë thelbësore.
Autoritetet kanë bërë thirrje për bashkëpunim qytetar, duke inkurajuar denoncimin e çdo tentative për manipulim apo shkelje të ligjit zgjedhor.
Për herë të parë, SPAK ka zbritur në terren me prokurorë dhe oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) në të 12 qarqet e vendit, si pjesë e një strategjie të posaçme për garantimin e integritetit të zgjedhjeve parlamentare.
Edhe pse ende nuk është bërë publike ndarja zyrtare e qarqeve ku janë regjistruar këto hetime, burime konfidenciale konfirmojnë se qarqe si Durrësi, Tirana, Fieri dhe Elbasani janë përfshirë në hetimet që po kryhen aktualisht.
Lexo më shumë
Comments 1