Çdo qytetar i zakonshëm, përfshirë edhe institucionet shtetërore nuk do të toleroheshin nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, më shumë se 30 apo 60 ditë pa i ndërprerë dritat nëse nuk paguante faturën.
Që kur mazhoranca socialiste erdhi në pushtet, debitorët e energjisë elektrike u kërcënuan me burgim në rast se nuk do të shlyenin faturat. Nuk munguan rastet e arrestimeve e deri te vetëflijimet për shkak të pamundësisë për të paguar faturat e energjisë së konsumuar.
Por shteti, që tregohet agresiv me qytetarët e zakonshëm dhe përdor policinë, dhunën e prangat, ka zgjedhur të jetë i përulur përballë një biznesi me fitime milionëshe e borxhli tek arka e pasurisë kombëtare (energjisë elektrike).
Në redaksinë e weblajm.com ka mbërritur një denoncim mbi kompaninë e huaj, me filial në Shqipëri, Future Energy Trading and Exchange Dynamics sh.p.k., e cila i detyrohet shtetit afro 220 mijë euro.
Operatori i Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike (OST) i është drejtuar kompanisë në administrim të biznesmenit Admir Bytyçi më datë 18 prill me shkresë:
Operatori i Sistemit të Transmetimit – Nr. 2246 prot.
Departamenti i Tregut – Drejtoria e Shërbimeve të Tregut
Tiranë, më 18.04.2025
Lënda: Njoftim për pezullim si Palë Përgjegjëse Balancuese në Tregun Shqiptar të Balancimit
Drejtuar: FUTURE ENERGY TRADING AND EXCHANGE DYNAMICS sh.p.k.
Adresa: Rr. Bilal Golemi, Nd. 28, Hyrja 7, Ap. 14, Njësia Adm. Nr. 5, 1019, Tiranë
Për dijeni: Enti Rregullator i Energjisë (ERE)
Të nderuar zotërinj,
Në zbatim të “Rregullave të Tregut Shqiptar të Balancimit të Energjisë Elektrike”, të miratuara me Vendimin e ERE nr. 106, datë 02.07.2020, ju bëjmë me dije se kompania Future Energy Trading and Exchange Dynamics rezulton në mospërputhje me dispozitat e këtyre rregullave, si dhe të marrëveshjes si Palë Përgjegjëse Balancuese.
Nëse kompania nuk përgjigjet brenda 15 ditëve pas marrjes së njoftimit ose nuk ndërmerr masat përkatëse, OST sh.a. mund të pezullojë marrëveshjen për një periudhë 30-ditore.
Në këtë rast, kompania humbet të drejtën e operimit në Tregun Shqiptar të Balancimit dhe të nominimeve në platformën përkatëse.
Nëse pas pezullimit rivendoset përputhshmëria, atëherë pezullimi anulohet; në të kundërt, marrëveshja përfundon.

Ndërkohë që OST dhe OSSH janë në dijeni të borxhit të pashlyer, kompania që operon në një treg miliona-eurosh nuk ka reaguar as pas 15 ditësh. Heshtja e saj faktohet nga një tjetër dokument i datës 30 prill 2025, ku renditet borxhi për muajt janar, shkurt dhe mars 2025.
Njoftim i OSSH SH.A.:
Sipas nenit 7, pika 7 të Marrëveshjes për Shërbimin e Shpërndarjes, “Furnizuesi do të shlyejë tërësisht faturën jo më vonë se dita e fundit e muajit pasardhës nga data e lëshimit të faturës”.
Gjendja e faturave:
Nr. | Muaji | Data | Fatura nr. | Shuma (lekë) | Statusi |
1 | Janar 2025 | 05.02.2025 | 116/2025 | 7,973,075.93 | Pa likuiduar |
2 | Shkurt 2025 | 04.03.2025 | 144/2025 | 7,128,715.96 | Pa likuiduar |
3 | Mars 2025 | 03.04.2025 | 230/2025 | 7,185,742.76 | Pa likuiduar |
22,287,534.65 | Pa likuiduar |

Kompania ka nisur aktivitetin në Shqipëri në vitin 2022 dhe ushtron tregti me energji elektrike dhe furnizon konsumatorët fundorë me objekt të saj “Tregtia e energjise elektrike dhe furnizimi me energji elektrike i konsumatoreve fundore”.

Pyetjet që mbeten pa përgjigje nga OST, OSSH dhe ERE janë:
- Si është e mundur që një qytetar i zakonshëm të përballet me pranga për një borxh nën 100 euro, ndërsa një biznes milionësh trajtohet me shkresa në kufijtë e lutes aq të buta dhe tolerancë?
- Kjo kompani është degë e një firme të huaj – a i paguan ajo detyrimet në vendin e origjinës, apo sillet njësoj si në Shqipëri?
- Nëse vetëm në tre muaj ka rreth 220 mijë euro të papaguara, me çfarë fondesh i mbulon shteti këto borxhe të pambledhura?
- Pse nuk pezullohet licenca ose aktiviteti i kompanisë, derisa të shlyejë detyrimet dhe pastaj të vazhdojë tregtimin e energjisë me fitim?