Policia Rrugore në aksion ndaj motoçikletave të shpërndarjes
Tiranë, 20 maj 2025 – Policia Rrugore e Tiranës ka ndërmarrë një aksion të përqendruar ndaj drejtuesve të motoçikletave të përdorura për shpërndarje, pas shqetësimeve të shtuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe rrezikim të sigurisë publike.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara në disa akse kryesore të kryeqytetit, janë ndaluar dhjetëra motorristë për verifikim dokumentacioni, përdorim të kaskës mbrojtëse, pa leje drejtimi,marmita të modifikuara si dhe për mosrespektim të semaforëve dhe normave të shpejtësisë. Sipas burimeve nga Policia Rrugore, janë vendosur mbi 50 gjoba administrative dhe janë bllokuar përkohësisht 6 motoçikleta për mungesë dokumentacioni ose mungesë siguracioni.
“Ky aksion synon të rrisë sigurinë në rrugë dhe të reduktojë incidentet që përfshijnë motoçikleta, të cilat shpeshherë përdoren në mënyrë të pakujdesshme, veçanërisht nga operatorët e shërbimeve të shpërndarjes”, deklaroi për weblajm.com Policia Rrugore e Tiranës.
Aksioni pritet të vijojë edhe në ditët në vijim, me kontrolle të shtuara në oraret e pikut dhe në zona me fluks të lartë të shpërndarësve. Policia u bën thirrje të gjithë drejtuesve të motoçikletave të respektojnë Kodin Rrugor dhe të mos rrezikojnë jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.