Për herë të parë që pas Luftës së Dytë Botërore, trupat ushtarake gjermane kanë dalë jashtë kufijve të Gjermanisë.
Kancelari gjerman ka vizituar Lituaninë për të shënuar vendosjen e parë të përhershme të trupave gjermane jashtë vendit, ndërsa u bëri thirrje aleatëve të zgjerojnë ndjeshëm përpjekjet për të forcuar mbrojtjen evropiane ndaj një Rusie armiqësore.
Ndërsa turma valëviste flamujt e Lituanisë, Gjermanisë dhe Ukrainës, Friedrich Merz dhe ministri i tij i Mbrojtjes, Boris Pistorius, morën pjesë në një ceremoni për formimin zyrtar të një brigade të blinduar të dedikuar për mbrojtjen e krahut lindor të NATO-s.
Njësia e re luftarake, Brigada e 45-të e tankeve, do të përbëhet nga 4,800 ushtarë gjermanë dhe 200 punonjës civilë. Ajo u njoftua si përgjigje ndaj pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 dhe pritet të arrijë kapacitet të plotë operativ deri në vitin 2027.
“Së bashku me partnerët tanë, jemi të vendosur të mbrojmë territorin e aleancës nga çdo agresion. Siguria e aleatëve tanë baltikë është gjithashtu siguria jonë”, tha Kancelari Merz.
Vendosja e këtyre trupave synon të forcojë mbrojtjen e Lituanisë dhe republikave të tjera baltike, Estonisë dhe Letonisë, shtete ish-sovjetike që tani janë anëtare të NATO-s dhe BE-së dhe që i frikësohen një agresioni rus.
Në prag të një samiti të NATO-s muajin e ardhshëm në Hagë, Merz tha se aleanca duhet të “forcojë në mënyrë të qëndrueshme kapacitetet mbrojtëse evropiane dhe industria jonë e mbrojtjes duhet të zgjerojë aftësitë e saj – ajo duhet të prodhojë më shumë për Evropën dhe më shumë brenda Evropës.”