Policia Bashkiake e Tiranës vendos numër të ri emergjence për denoncimet rrugore
Për të përmirësuar shërbimin ndaj qytetarëve dhe për të përballuar fluksin në rritje të ankesave për shkelje në qarkullimin rrugor, Policia Bashkiake e Tiranës ka vendosur një numër të ri celular. Ky numër vjen si shtesë ndaj linjës fikse ekzistuese dhe synon të rrisë efikasitetin në marrjen dhe trajtimin e ankesave.
Qytetarët tani mund të raportojnë kundërvajtjet në rrugë duke dërguar në këtë numër si vendndodhjen (location), ashtu edhe foton që dokumenton shkeljen. Numri është funksional 24 orë në ditë dhe do të pranojë vetëm thirrje hyrëse, duke ofruar një kanal më të shpejtë komunikimi mes qytetarëve dhe Policisë Bashkiake.

Njoftimi i plotë zyrtar:
NJOFTIM PËR QYTETARËT ❗️
🚔 Policia Bashkiake vazhdon të monitorojë territorin dhe të ndëshkojë kundërvajtjet në qarkullimin rrugor. Gjithashtu, trajton me prioritet ankesat që na vijnë nga qytetarët dhe subjektet përmes Sallës së Drejtimit dhe Koordinimit.
Aktualisht kemi një numër fiks për pranimin e ankesave, por për shkak të numrit të madh të telefonatave dhe vonesave gjatë marrjes së tyre, kemi vendosur të shtojmë një numër celular.
Nga tani e në vazhdim , për ankesat që lidhen me kundërvajtjet në qarkullimin rrugor, mund të kontaktoni numrin e poshtëshënuar ku bashkëlidhur ankesës na dërgoni locationin dhe foto.
📞 +355 68 950 0030
Ky numër do të shërbejë vetëm për thirrje hyrëse, për të bërë më të lehtë dhe më të shpejtë marrjen dhe trajtimin e ankesave tuaja dhe do jetë në dispozicion 24/7.
Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin!