Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka kërkuar zyrtarisht një rritje tjetër të pagave me një shumë minimale prej 700 eurosh, përmes një ankimi të depozituar në Gjykatën Kushtetuese në muajin mars. Kërkesa është pranuar për shqyrtim dhe vetëm pak ditë më parë, Gjykata Kushtetuese ka vendosur ta kalojë çështjen në seancë gjyqësore.
Sipas dokumenteve të siguruara nga WebLajm.com, kjo është hera e dytë brenda tre viteve që gjyqtarët kërkojnë ndërhyrje të Kushtetueses për të rritur pagat e tyre. Kujtojmë se në vitin 2022, një kërkesë e ngjashme u pranua, duke vendosur një pagë bazë prej 156,000 lekësh për gjyqtarët.
Reagimi i Kryeministrit Rama në platformën X
Kryeministri Edi Rama reagoi ashpër ndaj këtij zhvillimi përmes një postimi në platformën X (ish-Twitter), duke e cilësuar ankimimin si një “abuzim shumëdimensional” dhe një ndërhyrje të paprecedentë në kompetencat e ekzekutivit.
“Interesante! Për herë të dytë brenda tre viteve, Unioni i Gjyqtarëve kërkon sërish rritjen e pagave në gjykatë! Një praktikë unikale, e padëgjuar dhe e panjohur në historinë e shteteve – që gjyqtarët t’ia caktojnë vetes pagat përmes gjykatës…”, shkruan Rama në reagimin e tij.
Kryeministri vuri në dukje se në vitin 2022, pavarësisht kundërshtimeve, qeveria e pranoi vendimin e Kushtetueses “në heshtje”. Megjithatë, këtë herë, ai paralajmëroi se një përsëritje e tillë “nuk është më opsion” dhe e konsideroi kërkesën e Unionit si një përpjekje për të vendosur një “privilegj të përjetshëm”.
Pas qëndrimti të kryeminsitrit Rama ka reaguar gjykata kushtetuese, duke kërkuar qe të respektohet ndarja e pushteteve
Duke marrë shkas nga qëndrime dhe reagime të publikuara së fundi në media dhe në rrjete sociale nga përfaqësues të pushteteve të tjera, përfshi atë ekzekutiv, si dhe të vetë medias, Gjykata Kushtetuese siguron publikun dhe palët në proces se ajo është e pavarur në ushtrimin e funksionit të saj kushtetues dhe nuk ndikohet prej tyre në veprimtarinë ose vendimmarrjen e saj.
Gjykata Kushtetuese gjen rastin të ritheksojë se vendimet e saj mund të jenë objekt kritikash, megjithatë është e papranueshme çdo formë ndikimi, sikundër çdo përpjekje për të vënë në dyshim autoritetin dhe reputacionin e saj, qoftë edhe në dukje, çka do të cenonte vetë parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe atë të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve.
Kërkesa e Unionit të Gjyqtarëve
Në thelb, Unioni i Gjyqtarëve kërkon që paga bazë e gjyqtarëve të lidhet automatikisht me pagën bazë të Drejtorit të Departamentit të Kryeministrisë – një standard që do të garantonte rritje të vazhdueshme të pagave të tyre çdo herë që rriten pagat e administratës së lartë.
Kjo kërkesë shihet nga ekzekutivi si një sfidë ndaj hierarkisë kushtetuese të shtetit dhe një përpjekje për të “institucionalizuar përmes gjykatës” një mekanizëm pagash që normalisht vendoset nga Kuvendi dhe qeveria.
Tabela e pagave që marrin sot gjyqtarët
Gjykata Kushtetuese
- Anëtarët (gjyqtarë të Kushtetueses):
- Paga bruto mujore: rreth 644,000 lekë (ose ~460,000 lekë neto)
- Kjo është 96% e pagës së Presidentit, plus një shtesë 58% për natyrën e veçantë të punës
- Kryetari i Kushtetueses:
- Marrin edhe 20% mbi këtë shumë, pra gjithsej afërsisht 773,000 lekë bruto në muaj
⚖️ Gjykata e Posaçme e Apelimit / Gjykatë Speciale
- Anëtarët e kësaj gjykate (KPA) kanë pagë të barabartë me gjyqtarët e Kushtetueses, përfitojnë nga shtesa sipas të njëjtave dispozita kushtetuesish
👩⚖️ Juridiksioni i Përgjithshëm (Gjykatat e Apelit, Shkallës së Parë)
- Pas Vetingut, paga mesatare për gjyqtarët dhe prokurorët ishte rritur nga 100–130 mijë lekë në muaj në 280–380 mijë lekë bruto
- Rreth 2023–2024, paga mesatare bruto llogaritet në 300–380 mijë lekë, me ndryshime të vogla sipas shkallës dhe vendndodhjes.
📋 Përmbledhje Tabela:
Kategori | Paga Bruto | Paga Neto (vlerë afërsore) |
Gjyqtar Kushtetues | 644,000 lekë | ~460,000 lekë |
Kryetar Kushtetues | 773,000 lekë | – |
Anëtar KPA | 644,000 lekë | – |
Gjyqtar i Apelit / Shkallës së Parë | 280–380,000 lekë | – |
❗ Përfundimisht:
Gjyqtarët e juridiksionit të përgjithshëm marrin rreth 280–380 mijë lekë bruto, varësisht nga kualifikimet dhe vendndodhja.Çfarë pritet?
Gjyqtarët Kushtetues & anëtarët e Gjykatës Speciale/KPA marrin pagë mesatare 644,000 lekë bruto, ndërsa kryetarët e tyre rreth 773,000 lekë bruto.
Çfarë pritet?
Seanca gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese pritet të mbahet në javët në vijim, ku do të shqyrtohet legjitimiteti i kërkesës së Unionit dhe nëse ndërhyrja në ligjin për pagat është apo jo në përputhje me Kushtetutën.
WebLajm.com publikon të plotë ankimin kushtetues dhe kërkesën e gjyqtarëve
Tiranë 03.03.2025
K Ë R K E S Ë
KËRKUES: UNIONI I GJYQTARËVE TË SHQIPËRISË, regjistruar si person juridik në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 2171, datë 04.02.2008, me seli qëndore në Tiranë, me adresë: Rruga “Nikolla Tupe”, pallati 4, kati 2, përfaqësuar nga Kryetari z. Gerd Hoxha.
SUBJEKTE TË INTERESUAR: KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË,me
seli: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë.
KËSHILLI I MINISTRAVE, me seli: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë.
KËSHILLI I LARTË GJYQËSOR, me seli: Godina Poli i Drejtësisë, Rr. “Ana Komnena”, Tiranë.
OBJEKTI: Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të nenit 1 dhe 2 të ligjit nr. 33/2023 “Për një ndryshim në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë””, që parashikojnë 1-”a) paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, e cila është e njëjtë me shumëzimin e koeficientit 0.36 me pagën e Presidentit të Republikës” dhe 2-“2. Për vitin 2023 paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë përllogaritet sipas këtij ligji nga data 1 prill, duke u bazuar, për efekt të përllogaritjes, në pagën e Presidentit të Republikës me vlerë 425000 (katërqind e njëzet e pesë mijë) lekë.”
BAZA LIGJORE: Nenet 4, 7, 15, 17, 18, 116, 124, 125, 131/a, 134/h, 138, 145 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
PËRPARA GJYKATËS KUSHTETUESE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË,
E nderuar znj. Kryetare e Gjykatës Kushtetuese,
Të nderuar Gjyqtarë të Gjykatës Kushtetues,
Po ju paraqesim më poshtë kërkesën tonë duke parashtruar faktet dhe rrethanat, ligjin përkatës, ku jemi mbështetur, analizën dhe arsyetimin ligjor, për të arritur në konkluzionin se kërkesa tonë duhet pranuar.
I. Legjitimiteti.
1. Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë (UGJSH), në kuptim të rregullimit të parashikuar nga neni 134, pika 1, shkronja “h” e Kushtetutës dhe neni 49, pika 2 gërma “d” të ligjit nr. 8577, date 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, legjitimohet ratione personae t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për arsye se është organizatë në kuptimin që e përdor neni i sipërcituar i Kushtetutës, i regjistruar si person juridik në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, përkatësisht me nr. 2171, datë 04.02.2008 (UGJSH).
2. Në nenin 1 të Statutit të UGJSH parashikohet: “Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë është një organizatë jofitimprurëse, vullnetare, e pavarur, profesionale e cila bashkon gjyqtarë shqiptarë dhe kontribuon në mbrojtjen e interesave të tyre profesionale, shoqërore, intelektuale, materiale, si dhe në forcimin e një imazhi publik pozitiv për gjykatat shqiptare”. Siç rezulton edhe nga vendimi për regjistrimin si person juridik, anëtarët e shoqatës janë gjyqtarë të të gjitha shkallëve të gjyqësorit të juridiksionit të zakonshëm. Ndërkohë në nenin 8 të Statutit të UGJSH, parashikohet se “…duke bashkuar gjyqtarët, shoqata ka për qëllim të ndihmojë në mbrojtjen e interesave të tyre …; të forcojë pavarësinë e pushtetit gjyqësor, si dhe të përsosë dhe konsolidojë pozitën e balancuar të pushtetit gjyqësor në raport me pushtetin legjislativ dhe atë ekzekutiv”.
3. UGJSH legjitimohet ratione materiae në lidhje me pretendimin për antikushtetutshmërinë e dispozitave të ligjit nr. 33/2023 “Për një ndryshim në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë””. Gjykata Kushtetuese ka theksuar edhe më parë se në kuptim të nenit 134, pika 2 të Kushtetutës, për gjykime të kontrollit të kushtetutshmërisë së akteve normative, subjektet që parashikohen në këtë dispozitë, kanë detyrimin për të provuar lidhjen e domosdoshme që duhet të ekzistojë ndërmjet veprimtarisë ligjore që ato kryejnë dhe pretendimit për shkelje kushtetuese në çështjen e ngritur. Shoqatat (organizatat e tjera) janë parashikuar në nenin134, pika 1, shkronja “h” të Kushtetutës, ndër subjektet që ushtrojnë në mënyrë të kushtëzuar të drejtën për t’iu drejtuar Gjykatës, duke pasur legjitimitet kushtetues vetëm për çështjet që lidhen me interesat e tyre. Për të vlerësuar legjitimimin e subjektit, Gjykata përcakton fillimisht të drejtën kushtetuese të subjektit, që pretendohet se i është cenuar nga norma konkrete e kundërshtuar para saj. Subjektet e parashikuara në nenin 134, pika 2 të Kushtetutës legjitimohen të kërkojnë antikushtetutshmërinë e normës juridike në qoftë se vetë norma ka cenuar ndonjë të drejtë a liri kushtetuese nga ato që subjekti legjitimohet t’i mbrojë para Gjykatës Kushtetuese. Në çështjen në shqyrtim, UGJSH do të evidentoje se dispozitat e ligjit të kundërshtuar kanë cenuar në përmbajtje, standardet kushtetuese që kanë të bëjnë me parimin e shtetit të së drejtës (hierarkinë e ligjeve), parimin e sigurisë juridike, me pavarësinë e pushtetit gjyqësor, statusin e gjyqtarëve. Ndodhur në këto kushte UGJSH vlerëson se ekziston lidhja e domosdoshme ndërmjet veprimtarisë së tij dhe çështjes kushtetuese të ngritur prej saj dhe kjo shoqatë legjitimohet për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese lidhur me pretendimet e paraqitura para saj në objektin e kërkesës.
4. Gjithashtu, UGJSH legjitimohet ratione temporis pasi kërkesa është regjistruar brenda afatit të parashikuar në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar. Ligji, objekt shqyrtimi është miratuar më 25.05.2023 dhe është botuar në Fletoren Zyrtare me nr. 82, datë 30 maj 2023, duke hyrë në fuqi në qershor 2023. Në nenin 50 të ligjit Nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, parashikohet se kërkesat për shqyrtimin e pajtueshmërisë së ligjit ose të akteve të tjera normative me Kushtetutën ose me marrëveshjet ndërkombëtare, mund të paraqiten brenda 2 vjetëve nga hyrja në fuqi e tyre.
II. ARSYETIMI JURIDIK
5. Kuvendi i Shqipërisë në kuadër të “Reformës në drejtësi” miratoi ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me të cilin bëri një rregullim dhe përmirësim tërësor të statusit të magjistratëve. Ndër aspektet e rregulluara, sigurisht që një vend të veçantë zë edhe paga, duke parashikuar parimet e caktimit të pagës dhe njëkohësisht pagës konkrete për kategori të ndryshme magjistratësh, referuar parimeve të caktimit të saj.
5.1 Në nenin 11 nën titullin “Parimet e caktimit të pagës dhe përfitimeve financiare të magjistratit”, u parashikua se: “1. Paga e magjistratit dhe përfitimet e tjera financiare duhet të jenë në përputhje me dinjitetin e detyrës së magjistratit dhe të përshtatshme për të garantuar pavarësinë dhe mbrojtjen nga ndërhyrjet e jashtme në ushtrim të funksionit të tyre. 2. Paga e magjistratit caktohet në bazë të kritereve të mëposhtme: a) shkalla e gjykatës ose prokurorisë ku magjistrati ushtron funksionin; b) vjetërsia në ushtrimin e funksionit; c) fusha e veçantë e kompetencës lëndore në të cilën magjistrati ushtron funksionin; ç) pozicioni drejtues. 3. Përfitimet e tjera financiare përfshijnë: a) kompensim për transferimin e përkohshëm ose skemën e delegimit; b) shpërblim për aftësi; c) pension shtetëror suplementar, sipas parashikimit të këtij ligji dhe legjislacionit për pensionet shtetërore suplementare; ç) çdo përfitim tjetër, duke u bazuar në kushtet e veçanta të punës ose gjendjen personale dhe atë familjare të magjistratit, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.
5.2 Në nenin 12 nën titullin “Caktimi i pagës së magjistratit”, u parashikua se: “1. Paga e magjistratit caktohet sipas përkatësisë së magjistratit në grupin dhe nivelin e pagës. 2. Paga e magjistratit ndahet sipas grupeve të pagave (G), bazuar në këto tregues: 8 a) magjistrati që ushtron funksionin në gjykatat e shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm dhe atij administrativ ose prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë (G1); b) magjistrati që ushtron funksionin në gjykatat e apelit të juridiksionit të përgjithshëm dhe atij administrativ, prokuroritë pranë gjykatave së apelit, magjistratët që ushtrojnë funksionin në gjykatën e posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar shkalla e parë (G2); c) magjistrati që ushtron funksionin në Gjykatën e Lartë dhe Prokurorinë e Përgjithshme, ashtu si dhe magjistratët që ushtrojnë funksionin në Gjykatën e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe Prokurorinë e Posaçme (G3). 3. Shtesa për vjetërsi në ushtrimin e funksionit llogaritet në masën 2 për qind të pagës referuese bazë për çdo vit shërbimi në funksion, por jo më shumë se 25 vjet shërbim. 4. Në rastin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, të emëruar nga radhët e juristëve që nuk vijnë nga karriera gjyqësore, për efekt të përcaktimit të vjetërsisë së ushtrimit në detyrë, shtesa për vjetërsi llogaritet në mënyrë të barasvlershme me atë të 15 vjetëve karrierë gjyqësore. 5. Paga mujore bruto e magjistratit përbëhet nga elementet si vijon: a) paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, e cila është e njëjtë me “pagën për funksion” të punonjësve të shërbimit civil të kategorisë së parë, klasa e tretë në pozicionin e drejtorit të drejtorisë së përgjithshme në Kryeministri, ose me çdo pozicion tjetër të barasvlershëm me të, sipas përcaktimeve të vendimit të Këshillit të Ministrave. Referimi i pagës mujore bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë me “pagën për funksion”, sipas përcaktimeve të mësipërme, nuk ka si qëllim të përcaktojë vlerën relative të funksioneve gjyqësore dhe të prokurorisë me pozicionet e punës në shërbimin civil ose të mundësojë klasifikimin e tij në kategorinë ose klasën përkatëse; b) shtesa për pagën në grup, e cila është shuma që rezulton nga shumëzimi i pagës referuese bazë me koeficientin në përqindje, sipas funksionit që magjistrati ushtron, referuar pikës 2, të këtij neni, përkatësisht: i) G1 90 për qind; ii) G2 98 për qind; iii) G3 106 për qind; c) shtesa për vjetërsi, e llogaritur mbi pagën referuese bazë, sipas pikave 3 dhe 4 të këtij neni; ç) shtesa për pozicionin drejtues, e përcaktuar sipas parashikimeve të nenit 14 të këtij ligji; d) shtesë për vështirësi pune, sipas parashikimeve të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.
6. Pas daljes së vendimit nr. 34, datë 10.04.2017 të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me fillimin e zbatimit të këtyre dispozitave, Kuvendi reflektoi duke bërë ndryshimet përkatëse ligjore dhe parashikoi se zbatimi i dispozitave të mësipërme, pra trajtimi i ri financiar do të hynte në fuqi në mënyrë të pakushtëzuar ne Janar 2019.
7. Pas hyrjes në fuqi, filloi edhe trajtimi i ri financiar, i cili pas një auditi të Kontrollit të Lartë të Shtetit u konstatua si jo në përputhje me ligjin. Ky kontroll konstatoi se referenca në pagat përkatëse prej KLGJ-së ishte i gabuar dhe rekomandoi në përfundim të raportit rillogaritjen e pagës dhe pagimin e diferencave ndaj magjistratëve.
8. Më konkretisht nga auditimi i ushtruar ne Keshillin e Larte Gjyqesor me objekt “Mbi auditimin tematik të përputhshmërisë, të ushtruar në bazë të autorizimit për verifikimin e përllogaritjes së pagave. me fokus të veçante ndër të tjera vjetërsinë në punë, si dhe kuadrin ligjor e rregullator mbi të cilin mbështetet përllogaritja e tyre”, në përfundim u hartua raporti përkatës, ku u konstatua dhe rekomandua: “…1. Gjetje nga auditimi: Nga shqyrtimi i dokumentacionit të vënë në dispozicion nga Drejtoria e Financës, listëpagesat, korrespondencat ndërmjet institucioneve, krahasirni i terminologjise dhe përkufizimeve të përdorura në ligjet baze nr. 96/2016 dhe 115/2016, me VKM-ne nr. 187, date 08.03.2017, u konstatua se: a) Përcaktimi i “pagës referuese bazë” në nenin 12, pika 5, gërma a) të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, si i njëjtë me pagen e kategorise së parë, klasa e tretë, eshte i gabuar, pasi në VKM-në së cilës i referohet, nuk ekziston emërtimi kategoria e pare, klasa e trete. Në lidhjen nr. l të VKM-së, klasa I dhe klasa II kanë nga dy kategori, përkatësisht kategoritë 1-a, l-b dhe II-a e II-b. Nga ana tjetër, pozicionit të Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme në Kryeministri (DDPK), së cilës i referohet ligji nr. 96/2016 për llogaritjen e pagës së magjistratit, në lidhjen nr. 1 të VKM-së nr. 187 datë 08.03.2017, i korrespondon klasa II, kategoria Il-a e pages. Terrni “page për funksion”, sipas përcaktimit në ligj, nuk gjendet në VKM, por, llogaritjet të cilat janë bërë duke i’u referuar “shtesës për pozicion” në lidhjen nr. 1 të saj, sipas vlerësimit tonë nuk janë të sakta, pasi paga e funksionit të DDPK është paga totale mujore e këtij punonjësi, e cila duhet të ishte njesuar dhe përdorur si referenca që permendet në ligjin nr. 96/2016, por nuk mund të njësohet me “shtesën për pozicion”. Sipas VKM-së nr. 187 datë 08.03.2017, paga e pozicionit te DDPK, përbëhet nga 4 elemente, të cilët janë: 1. Paga e grupit, 2. Shtesa për vjetërsi, 3. Shtesa për kualifikim dhe 4. Shtesa per pozicion (kolonat 2+ 3+4+5 të lidhjes nr. 1 të VKM-së 187, datë 08.03.2017). Tre elementet e parë, përbëjnë pagën bazë dhe elementi i fundit, është shtesa për pozicion, siç edhe emërtohet. Nga auditimi, rezultoi se për llogaritjen e pagës për funksion, është marrë në konsiderate vetëm shtesa për pozicion, në vlerën 118,100 leke. Sa më sipër, paga referuese bazë e magjistratit, duhet llogaritur si shuma e elementit të parë të pagës së DDPK, (paga e grupit sipas lidhjes 2 te VKM-se 187, date 08.03.2017 në vlerën 14,000 lekë) me elementin e katërt, i cili është shtesa për pozicion në vlerën 118,100 lekë (pasi vjetërsia në punë dhe pagesa për kualifikimin/titujt shkencorë në rastin e magjistratëve llogariten mbi pagën referuese bazë të grupit). b) Nga auditimi i listëpagesave, u konstatua se “Shtesa për pagën në grup” është aplikuar në masën 106% të pagës referuese bazë mbi të cilën janë kryer llogaritjet, ndërsa “Shtesa për pozicion drejtues”, është aplikuar vetëm për Kryetarin dhe zv/Kryetarin, përkatesisht 10 dhe 5%, por nuk parashikohet të jetë përllogaritur për pozicionet e tjera, d.m.th. për kryetarin e seksionit, magjistratin e shtypit, këshilltarin e etikës ose të magjistratit udhëheqës (në qoftë se këto pozicione aplikohen), sipas përcaktimeve në ligjin nr. 96/2016. 1.1. Rekomandim: Për të gjithë magjistratët, pavarësisht nga pozicioni i tyre i punës (kategorite 01, 02 dhe 03), paga referuese bazë të përllogaritet mbi bazën e plotë të pagës së Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme në Kryeministri, e cila përbëhet nga paga e grupit, plus shtesen e pagës (132,100 = 14,000 + 118,100) dhe jo siç përllogaritet aktualisht, vetëm mbi shtesën për pozicion (118,100). Pagesa duhet të bëhet duke filluar nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republiken e Shqipërisë.” (ose emërimit, për personat e punësuar pas kësaj date) dhe të përllogaritet për të gjithë periudhen, bashkë me të gjitha shtesat dhe pakësimet, sipas rastit…”.
9. Pas këtij raporti nga ana e KLGJ-së, edhe pse kishte detyrimin ligjor për të zbatuar rekomandimet e KLSH-së, nuk u ndërmor asnjë veprim. Në vijim me propozim të një grupi deputetësh, për të mos u zbatuar ligji siç ishte dhe për të mos u paguar magjistratët me pagën që i’u takonte, u propozua ndryshimi i nenit 12 të ligjit, duke u riformuluar në atë mënyre siç ishte përllogaritur paga prej KLGJ-së, deri përpara konstatimeve të auditit të KLSH-së.
10. Me ligjin nr. 50/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në republikën e shqipërisë”, të ndryshuar”, në nenin 2 pika 1 të tij u ndryshua neni 12 i ligjit nr. 96/2016 në këtë mënyrë: “…a) paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, e cila është e njëjtë me vlerën e elementit “shtesa për pozicion” të pagës mujore të pozicionit drejtor i drejtorisë së përgjithshme apo të çdo pozicioni tjetër të barasvlershëm me të në Kryeministri. “Shtesa për pozicion” është elementi bazë i pagës mujore të nëpunësve civilë, nëpërmjet së cilës caktohet vlera e çdo vendi pune në shërbimin civil, pa u diktuar nga ndryshimet e pagës që shkaktohen nga rrethanat e posaçme ose individuale të vetë nëpunësit civil si vjetërsia apo shtesa për kushte pune. Për qëllimet e caktimit të pagës referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, “shtesa për pozicion” është i njëjti element i pagës si edhe elementi “paga bazë e kategorisë”, sipas përcaktimeve të ligjit për nëpunësin civil, apo me çdo lloj emërtimi tjetër që cakton elementin bazë të pagës mujore të pozicionit drejtor i drejtorisë së përgjithshme apo të çdo pozicioni tjetër të barasvlershëm me të në Kryeministri. Referimi i pagës mujore bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë me vlerën e elementit “shtesa për pozicion” ose “paga 2 bazë e kategorisë” sipas përcaktimeve të mësipërme, nuk ka si qëllim të përcaktojë vlerën relative të funksioneve gjyqësore dhe të prokurorisë me pozicionet e punës në shërbimin civil ose të mundësojë klasifikimin e tij në kategorinë ose klasën përkatëse.”
11. Nëpërmjet këtij ndryshimi, edhe pse dispozita ishte e qartë, u realizua formulimi i saj sipas mënyrës së gabuar që ishte zbatuar dispozita e mëparshme, duke ulur pagën e magjistratëve.
- Parimin e shtetit të së drejtës;
- Parimin e pavarësisë së gjyqësorit;
- Parimin e sigurisë juridike.
13. Me vendimin nr. 35, datë 22.11.2022 Gjykata Kushtetuese vendosi ndër të tjera: “1. Pranimin e kërkesës. 2. Shfuqizimin e nenit 12, pika 5, shkronja “a”, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar me nenin 2, pika 1, të ligjit nr. 50/2021, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë….”.
13.1 Gjykata Kushtetuese në vendimmarrjen e saj arsyetoi se:
“…54. Gjykata konstaton se pjesë e paketës së reformës në drejtësi ishte, mes të tjerash, edhe rishikimi domethënës i sistemit të pagave, përfitimeve dhe shpërblimeve të tjera të magjistratit, me qëllim përmirësimin e trajtimit të tyre në përputhje me përvojën në punë, zhvillimin e karrierës dhe vështirësive. Sipas relacionit shpjegues të projektligjit nr. 96/2016, paga dhe trajtimi financiar i mëparshëm nuk mbanin parasysh në masë të mjaftueshme dinjitetin e detyrës e të profesionit, natyrën e përgjegjësive të funksionit gjyqësor, shkallën e vështirësive në përmbushjen e tij, numrin e lartë të papajtueshmërive dhe ndalimeve të posaçme për të kryer veprimtari të tjera që sjellin të ardhura, nevojën për ta mbrojtur nga presionet dhe ndikimet në veprimtarinë e tij gjyqësore e në sjelljen e tij në tërësi, si dhe nevojat e integrimit social të tij dhe të familjes në shoqëri. Kuadri i ri kushtetues e ligjor, duke parashikuar rritjen domethënëse të përfitimeve të magjistratit, synoi të ofrojë një skemë reale dhe dinjitoze të shpërblimit të magjistratit dhe garantimin e një pagë që i korrespondon dinjitetit të profesionit dhe përgjegjësive të detyrës. Objektivi i mësipërm i ligjvënësit është sanksionuar në nenin 11 të ligjit nr. 96/2016, ku parashikohet se paga e magjistratit dhe përfitimet e tjera financiare duhet të jenë në përputhje me dinjitetin e detyrës së magjistratit dhe të përshtatshme për të garantuar pavarësinë dhe mbrojtjen nga ndërhyrjet e jashtme në ushtrim të funksionit të tij (shih vendimin nr. 34, datë 10.04.2017 të Gjykatës Kushtetuese).
….75. Gjykata thekson se ligjvënësi, në ushtrim të kompetencës së tij, për rregullimin me ligj të pagës së magjistratit ka përcaktuar strukturën dhe nivelin e pagës së kësaj kategorie funksionarësh të lartë shtetërorë. Në kuadër të parimeve të shtetit të së drejtës dhe të sigurisë juridike, në tekstin e ligjit çdo fjalë mbart një kuptim të caktuar që i shërben qëllimit të vetë ligjit, nga njëra anë, dhe aspektit të parashikueshmërisë së normave juridike, nga ana tjetër. Me fjalë të tjera, argumenti se një dispozitë ligjore duhet të lexohet dhe të zbatohet duke anashkaluar fjalë të caktuara për shkak se ato janë të tepërta ose të parëndësishme, nuk mund të pranohet, sepse bie ndesh me parimet kushtetuese.
76. Nga sa më sipër, Gjykata arrin në përfundimin se neni 12, pika 5, shkronja “a”, i ligjit nr. 96/2016, në kohën e miratimit të tij e përmbushte qëllimin për rregullimin e pagës referuese bazë të magjistratit, pasi përcaktonte njësimin e saj me pagën për funksion të punonjësve të shërbimit civil, duke treguar kategorinë (e para (I)), klasën (e treta (c)), si dhe pozicionin konkret të punës (drejtorin e drejtorisë së përgjithshme në Kryeministri ose çdo pozicion tjetër të barasvlershëm me të). Për këtë pagë, në kushtet kur pozicionit të drejtorit të drejtorisë së përgjithshme në Kryeministri nuk i është caktuar nivel page, referimi është sipas klasifikimit të pozicioneve të barasvlershme me të, pra ai I-b (shih paragrafin 72 të vendimit), që në kohën e miratimit të normës ligjore ishte në vlerën 118,000 lekë duke shtuar edhe vlerën 14,000 lekë, që i përket “pagës në grup” sipas grupit 1 të diplomave universitare.
77. Gjykata vëren se në momentin kur filluan të zbatohen dispozitat e ligjit nr. 96/2016 për pagat dhe përfitimet e tjera të magjistratit, që është data 01.01.2019 sipas dispozitës kalimtare të këtij ligji, kishte hyrë në fuqi VKM-ja nr. 187/2017, në bazë të së cilës u bë përllogaritja e pagës referuese bazë sipas klasifikimit të këtij akti nënligjor, pra sipas kategorisë së dytë, klasa e parë (II-a), që referuar lidhjes nr. 4 të këtij akti nënligjor përfshin pozicionin “drejtor i drejtorisë së përgjithshme”, për të cilin, sipas lidhjes nr. 1 të këtij akti nënligjor, elementi “shtesë për pozicion” është në vlerën 118,100 lekë, ndërkohë që vlera e këtij elementi për kategorinë e parë, klasa e dytë (I-b) është 129,800 lekë.
78. Gjykata rithekson se referuar mënyrës se si është shprehur expressis verbis norma ligjore në momentin e miratimit të saj, kjo dispozitë nuk mbart paqartësi në lidhje me konceptet ku referon, të cilat janë trajtuar dhe zbërthyer në legjislacionin për nëpunësin civil. Ndaj nuk është përmbajtja e normës, por zbatimi i saj jo në linjë me frymën dhe qëllimin e ligjvënësit që ka prodhuar një rezultat të ndryshëm nga ai që ka diktuar vetë norma ligjore, neni 12, pika 5, shkronja “a”, i ligjit nr. 96/2016. Megjithatë, Gjykata vlerëson të evidentojë se kjo mënyrë zbatimi e normës është ndikuar nga disa faktorë, siç janë zbatimi i vonuar në kohë i këtyre parashikimeve ligjore, ndryshimet e shpeshta në aktet nënligjore për nëpunësin civil, por edhe faza tranzitore e zbatimit të reformës në drejtësi, që parashikoi mbylljen e disa institucioneve dhe ngritjen e disa institucioneve të reja. Po ashtu, ajo konstaton se pas daljes së raportit të KLSH-së (shih paragrafin 7 të vendimit), disa organe kushtetuese administrativisht kanë kryer rillogaritjen e pagave, ndërsa disa organe të tjera kanë vepruar në zbatim të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, të dhëna në përfundim të proceseve gjyqësore të iniciuara individualisht nga magjistratët për këtë qëllim…
…83. Gjykata ka theksuar se Kuvendi, në ushtrimin e funksionit kryesor të tij, mbështetet së pari te dispozitat kushtetuese, sepse ligjet që miraton duhet të nxirren në bazë dhe për zbatim të tyre (shih vendimet nr. 9, datë 01.03.2021; nr. 19, datë 03.05.2007 të Gjykatës Kushtetuese). Nga ana tjetër, përcaktimi i politikave shtetërore dhe nismave ligjvënëse i përket ekzekutivit dhe legjislativit, por pa cenuar thelbin e shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor (shih vendimin nr. 11, datë 06.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese).
84. Në këtë kuptim, pavarësisht hapësirës normuese që ka pushteti ligjvënës, parashikimet ligjore që prekin pagën dhe përfitimet e tjera të magjistratit duhet të jenë në përputhje me garancitë e nenit 138 të Kushtetutës, i cili lejon uljen e pagës dhe përfitimeve të tjera me efekt të përgjithshëm vetëm për interes publik, kuptimi i të cilit materializohet shprehimisht në këtë dispozitë. Në këtë drejtim, siç është theksuar edhe më sipër, në ndryshim nga sa pretendojnë subjektet e interesuara, nuk u konstatua që norma të mbartte paqartësi që sillte nevojën e ndërhyrjes për sqarimin e përmbajtjes së saj, ndërkohë që Gjykata vlerëson të theksojë se është akti nënligjor që duhet të ndjekë konceptet dhe terminologjinë e ligjit dhe jo anasjelltas.
85. Për sa më sipër, Gjykata arrin në përfundimin se ligjvënësi ka vepruar në kushtet e ndalimit të parashikuar në nenin 138 të Kushtetutës, ndaj përmbajtja e shkronjës “a” të pikës 5 të nenit 12 të ligjit nr. 96/2016 duhet të shfuqizohet si e papajtueshme me këtë normë kushtetuese.
13.2 Referuar sa më sipër, konkluzioni i arritur nga Gjykata Kushtetuese ishte se rregullimi i bërë në nenin 12, pika 5, shkronja “a”, i ligjit nr. 96/2016, në kohën e miratimit të tij e përmbushte qëllimin për rregullimin e pagës referuese bazë të magjistratit, pasi përcaktonte njësimin e saj me pagën për funksion të punonjësve të shërbimit civil, duke treguar kategorinë (e para (I)), klasën (e treta (c)), si dhe pozicionin konkret të punës (drejtorin e drejtorisë së përgjithshme në Kryeministri ose çdo pozicion tjetër të barasvlershëm me të). Për këtë pagë, në kushtet kur pozicionit të drejtorit të drejtorisë së përgjithshme në Kryeministri nuk i ishtë caktuar nivel page, referimi do të ishtë sipas klasifikimit të pozicioneve të barasvlershme me të, pra ai I-b, që në kohën e miratimit të normës ligjore ishte në vlerën 118,000 lekë duke shtuar edhe vlerën 14,000 lekë, që i përket “pagës në grup” sipas grupit 1 të diplomave universitare. Kur filluan të zbatohen dispozitat e ligjit nr. 96/2016 për pagat dhe përfitimet e tjera të magjistratit, që është data 01.01.2019 sipas dispozitës kalimtare të këtij ligji, kishte hyrë në fuqi VKM-ja nr. 187/2017, në bazë të së cilës u bë përllogaritja e pagës referuese bazë sipas klasifikimit të këtij akti nënligjor, pra sipas kategorisë së dytë, klasa e parë (II-a), që referuar lidhjes nr. 4 të këtij akti nënligjor përfshin pozicionin “drejtor i drejtorisë së përgjithshme”, për të cilin, sipas lidhjes nr. 1 të këtij akti nënligjor, elementi “shtesë për pozicion” është në vlerën 118,100 lekë, ndërkohë që vlera e këtij elementi për kategorinë e parë, klasa e dytë (I-b) është 129,800 lekë.
13.2.1 Ndaj, ndryshimi i nenit 12, pika 5, shkronja “a”, i ligjit nr. 96/2016, me nenin 2, pika 1, të ligjit nr. 50/2021, është shfuqizuar si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
13.3 Duke qënë se Gjykata Kushtetuese konsiderohet si legjislator negativ, referuar pjesës arsyetuese të vendimit, i ka sugjeruar Kuvendit që brenda hapësirës së tij normuese, në formulimin e normës së re ligjore për pagën e magjistratëve ka diskrecionin t`i referohet formulës aktuale të referencës në shërbimin civil, ose çdo formule tjetër që referon në legjislacionin në fuqi për pagat e funksionarëve publikë, duke qenë kjo një çështje që i përket oportunitetit të tij. Megjithatë, në ushtrim të kompetencave të tij, në plotësimin e kuadrit ligjor ai duhet të mbajë parasysh përcaktimet e nenit 138 të Kushtetutës, duke garantuar, në çdo rast, që paga dhe përfitimet e tjera që vijnë si rrjedhojë e zbatimit të sistemit të referencës së pagave, të mos ulen nën standardin e analizuar në këtë vendim, përveçse kur verifikohet përjashtimi i nenit 138, shkronja “a”, të Kushtetutës.”
14. Si nevojë dhe reflektim i vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi më datën 25.05.2023, miratoi ligjin nr. 33/2023 “Për një ndryshim në ligjin nr. 96/2016 ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, botuar në Fletoren Zyrtare me nr.82, datë 30 maj 2023. Ky ligj parashikon se:
-Neni 1: “Shkronja “a” e pikës 5 të nenit 12 ndryshohet si më poshtë: “a) paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, e cila është e njëjtë me shumëzimin e koeficientit 0.36 me pagën e Presidentit të Republikës. Paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë indeksohet me vendim të Këshillit të Ministrave jo më vonë se dy vjet nga indeksimi i fundit. Niveli i indeksimit në çdo rast nuk kalon një pikë përqindjeje mbi nivelin e targetuar të inflacionit nga Banka e Shqipërisë.”
Neni 2: “1. Paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë indeksohet për herë të parë nga Këshilli i Ministrave jo më herët se data 1.1.2026. 2. Për vitin 2023 paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë përllogaritet sipas këtij ligji nga data 1 prill, duke u bazuar, për efekt të përllogaritjes, në pagën e Presidentit të Republikës me vlerë 425000 (katërqind e njëzet e pesë mijë) lekë.”
-Neni 3: “Ky ligj hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.”
15. Pra, nga dy mënyrat e sugjeruara prej Gjykatës Kushtetuese për të plotësuar vakumin ligjor, mënyrës së parë të konkluduar prej saj, në përputhje me nenin 12 të ligjit nr. 96/2016 të pandryshuar, duke përcaktuar një përmbajtje mëse të qartë se si duhej të ishte parashikimi ligjor; Kuvendi zgjodhi variantin e dytë “çdo formule tjetër që referon në legjislacionin në fuqi për pagat e funksionarëve publikë, duke qenë kjo një çështje që i përket oportunitetit të tij.”, duke anashkaluar rezervën e përcaktuar nga vendimi se në këtë rast “në ushtrim të kompetencave të tij, në plotësimin e kuadrit ligjor ai duhet të mbajë parasysh përcaktimet e nenit 138 të Kushtetutës, duke garantuar, në çdo rast, që paga dhe përfitimet e tjera që vijnë si rrjedhojë e zbatimit të sistemit të referencës së pagave, të mos ulen nën standardin e analizuar në këtë vendim.”
16. Duhet sjellë në vëmendje se ky nuk ishte ligji i vetëm qe rregulloi nivelin e pagave të zyrtarëve në Republikën e Shqipërisë. Koha e ndryshimit të pagës së referencës, përkon me iniciativën e Këshillit të Ministrave për rritje të ndjeshme të pagave të administratës shtetërore nën përgjegjësinë e tij, si dhe nismën ligjore, të propozuar nga po ky organ, për rritjen e pagës së Presidentit të Republikës, që mandej do të afektonte me rritje pagat e të gjithë funksionarëve shtetërorë.
16.1 Madje, rritja e pagave ishte planifikuar edhe në buxhetin e vitit 2023, të miratuar nga vetë Kuvendi, nëpërmjet ligjit nr. 84/2022 “Për buxhetin e vitit 2023”, të ndryshuar. Kështu, në nenin 11 të këtij ligji është përcaktuar se: “[…] Fondi prej 2 300 milionë lekësh përdoret për politika të reja pagash, sipas përcaktimeve që miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. […]”.
16.2 Rritja e pagave të administratës shtetërore nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, përfshin edhe “Drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme në Kryeministri”. Në këtë drejtim, rezulton se, përsa ishte planifikuar rritje e pagës edhe për këtë kategori të nëpunësve civil, në mënyrë të tërthortë, ishte planifikuar edhe rritja e pagës së gjyqtarëve për vitin 2023.
17. Për të respektuar formalisht vendimin nr. 35, datë 22.11.2022 të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi, pasi pjesëtoi pagën bazë për magjistratët të konkluduar në këtë vendim (153.000 lekë), me pagën e re të Presidentit të Republikës (425.000 lekë), përcaktoi një pagë baze të magjistratëve në ligj me 0.36 të pagës së Presidentit të Republikës. Në këtë mënyrë Kuvendi, pretendon se jo vetëm ka respektuar orientimin e Gjykatës Kushtetuese se: “në ushtrim të kompetencave të tij, në plotësimin e kuadrit ligjor ai duhet të mbajë parasysh përcaktimet e nenit 138 të Kushtetutës, duke garantuar, në çdo rast, që paga dhe përfitimet e tjera që vijnë si rrjedhojë e zbatimit të sistemit të referencës së pagave, të mos ulen nën standardin e analizuar në këtë vendim.”, por madje e ka tejkaluar atë me 570 lekë, duke e përmirësuar statusin financiar të magjistratëve!
17.1 Për t’u treguar të sinqertë dhe të drejte, theksojmë se i vetmi parashikim pozitiv që ka bërë Kuvendi në ligjin nr. 33/2023, lidhet me indeksimin e pagës çdo dy vjet, që e vlerësojmë si standart të rritur për statusin e magjistratëve dhe të drejtë të fituar, ndaj edhe nuk e kemi kontestuar.
18. Vlerësojmë se parashikimet e nenit 1 dhe 2 të ligjit nr. 33/2023 “Për një ndryshim në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë””, që parashikojnë 1-”a) paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, e cila është e njëjtë me shumëzimin e koeficientit 0.36 me pagën e Presidentit të Republikës” dhe 2-“2. Për vitin 2023 paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë përllogaritet sipas këtij ligji nga data 1 prill, duke u bazuar, për efekt të përllogaritjes, në pagën e Presidentit të Republikës me vlerë 425000 (katërqind e njëzet e pesë mijë) lekë, bien ndesh drejtpërdrejt me nenin 138 të Kushtetutës (i ndryshuar), i cili parashikon se: “Paga dhe përfitimet e tjera të gjyqtarit nuk mund të ulen, përveç rasteve kur: a) nevojitet marrja e masave të përgjithshme ekonomiko-financiare për të shmangur situata të vështira financiare të vendit ose emergjenca të tjera kombëtare; b) gjyqtari kthehet në detyrën që mbante para emërimit; c) i jepet një masë disiplinore ose vlerësohet i pamjaftueshëm profesionalisht, sipas ligjit.”
18.1 Ndryshimet kushtetuese në nenin 138 kanë parashikuar tre kritere që justifikojnë uljen e pagës dhe përfitimeve të tjera, ku kriteri i parë nuk lidhet me vullnetin apo sjelljen e gjyqtarit, kriteri i dytë është rrjedhojë e ligjit (mbarimi i mandatit ipso lege), kurse kriteri i tretë lidhet ngushtësisht me sjellje/situata të tilla që përbëjnë shkelje disiplinore apo me cilësitë profesionale të magjistratit (pamjaftueshmëria profesionale).
18.1.1 Ligji nr. 33/2023, nuk u diktua dhe iniciua për asnjërën nga arsyet e mësipërme. Siç edhe u shpjegua më sipër, ndryshimi erdhi për të zbatuar vendimin nr. 35, datë 22.11.2022 të Gjykatës Kushtetuese. Vlen të theksohet se për shkak të rritjes ekonomike të vendit pësuar rritje të ndjeshme jo vetëm pagat e Presidentit të Republikës dhe deputetëve, por gjithë administrata, rritje që varionte për këta të fundit nga 20-40%. Ndërkohë, që për magjistratët, ligjvënësi me ligjin nr. 33/2023, e parandaloi këtë rritje.
18.2 Neni 138 i Kushtetutës përcakton elementet përbërëse të statusit të gjyqtarit, pa të cilat nuk mund të garantohet ushtrimi i pavarur i funksionit të tij. Sipas tij, paga dhe përfitimet e tjera të gjyqtarit nuk mund të ulen, përveç rasteve të parashikuara nga po kjo dispozitë. Karriera është një nga përfitimet që gjyqtarët e gëzojnë për shkak të detyrës që kryejnë dhe, si e tillë, përfshihet në sferën e garancive që burojnë nga neni 138 i Kushtetutës. Garancitë e kësaj norme të Kushtetutës u njohin gjyqtarëve një trajtim specifik jo vetëm në pagë, por edhe në elemente të tjera që burojnë nga ushtrimi i funksionit të tyre. Paprekshmëria e pagës dhe e përfitimeve të tjera janë ngritur në nivel kushtetues, me qëllim që të drejtat/përfitimet, të cilat burojnë nga ushtrimi i funksionit të gjyqtarit, të mos ndryshohen me efekt negativ. Të gjitha këto garanci janë të lidhura ngushtësisht ndërmjet tyre dhe mbi këto standarde kushtetuese duhet të orientohet veprimtaria ligjvënëse, me qëllim moscenimin e statusit të gjyqtarëve, të drejtave dhe përfitimeve që ata duhet të gëzojnë për shkak të detyrës që kryejnë. Statusi i gjyqtarëve synon sigurimin e kompetencës, pavarësisë dhe paanësisë, elemente këto që priten në mënyrë legjitime nga gjykatat dhe nga çdo gjyqtar, të cilit i është besuar mbrojtja e të drejtave të individëve. Sipas jurisprudencës kushtetuese, ligjvënësi duhet të kujdeset edhe për funksionimin sa më mirë të pushtetit gjyqësor, me qëllim realizimin e misionit që gjyqtarët kanë, pra atë të dhënies së drejtësisë. Drejtësia mund të jetë e besueshme dhe me integritet kur jepet nga gjyqtarë që nuk ngjallin dyshime për sa i takon figurës së tyre (shih vendimin nr.34, datë 10.04.2017 të Gjykatës Kushtetuese).
18.2.1 Pavarësisht standarteve të mësipërme të elaboruara prej Gjykatës Kushtetuese në jurisprudencën e saj, prej Kuvendit është ndërmarrë një iniciative ligjvënëse dhe miratuar një ligj, i cili cënon haptazi këto standarte. Është evidente se parashikimet ligjore objekt kërkese, cënojnë statusin e magjistratëve dhe nuk janë kryer në kushtet e përjashtimeve që vetë Kushtetuta parashikon dhe për këtë arsye duhen deklaruar antikushtetuese.
19. Lidhur me cenimin e parimit të shtetit të së drejtës. Në nenin 4, si dhe në preambulën e Kushtetutës deklarohet parimi i shtetit të së drejtës, i cili është një nga parimet më themelore e më të rëndësishme në shtetin dhe shoqërinë demokratike. Si i tillë, ai është një normë e pavarur kushtetuese, prandaj shkelja e tij përbën në vetvete bazë të mjaftueshme për deklarimin e një ligji si antikushtetues. Ky parim nënkupton sundimin e ligjit dhe mënjanimin e arbitraritetit, me qëllim që të arrihet respektimi dhe garantimi i dinjitetit njerëzor, drejtësisë dhe sigurisë juridike.2 Në nenin 4, paragrafi i dytë i Kushtetutës deklarohet: “Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë “. Deklarimi i epërsisë së Kushtetutës, duke e vendosur në majë të piramidës së normave juridike, përbën një aspekt thelbësor të parimit të shtetit të së drejtës. Ky parim detyron të gjitha organet e pushtetit publik që t’i ushtrojnë kompetencat e tyre vetëm në kuadër dhe në bazë të normave kushtetuese.
19.1 Gjykata Kushtetuese në jurisprudencën e saj është shprehur se parimi i shtetit të së drejtës detyron të gjitha organet e pushtetit publik që t’i ushtrojnë kompetencat e tyre vetëm në kuadër dhe në bazë të normave kushtetuese. Aktet juridike që nxirren nga këto organe duhet të jenë në pajtim me aktet juridike më të larta si në kuptimin formal, ashtu edhe atë material. Respektimi i hierarkisë së akteve normative është një detyrim që rrjedh nga parimi i shtetit të së drejtës dhe i koherencës në sistemin ligjor (shih vendimet nr.2, datë 03.02.2010; nr.1, datë 12.01.2011; nr.23, datë 08.06.2011; nr.25, datë 28.04.2014; nr.22, datë 24.04.2015 të Gjykatës Kushtetuese).
19.2 Kushtetuta në nenin 116 të saj përcakton hierarkinë e burimeve të së drejtës, si një prej vlerave themelore të shtetit të së drejtës, ku pushteti ligjvënës ka rol primar. Përcaktimi në Kushtetutë i hierarkisë së akteve, si dhe sanksionimi i parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve në ushtrimin e funksioneve të organeve kushtetuese, të cilat ushtrohen nëpërmjet nxjerrjes së akteve normative, është mishërimi më i plotë i parimit të shtetit të së drejtës në një sistem parlamentar (shih vendimin nr.5, datë 05.02.2014 të Gjykatës Kushtetuese). Piramida e akteve normative përcakton marrëdhëniet midis normave juridike, të cilat bazohen në raportin e mbi/nënvendosjes së tyre. Rendi juridik nuk është një radhitje e barasvlershme normash, por një sistem hierarkik, i cili përbëhet nga nivele të ndryshme vlefshmërie dhe në secilin prej këtyre niveleve qëndron një normë ose grup normash, duke përftuar kështu edhe fuqinë e caktuar juridike. Kjo piramidë aktesh normative ka në majë të saj Kushtetutën, e cila shërben si burim për aktet e tjera juridike (shih vendimet nr.3, datë 20.02.2006; nr.5, datë 05.02.2014 të Gjykatës Kushtetuese).
19.3 Kushtetuta nuk ka për qëllim të rregullojë hollësisht çdo çështje të organizimit të jetës shoqërore e politike të një vendi, por vetëm parimet dhe kriteret bazë mbi të cilat duhet të mbështetet ajo. Shpesh, Kushtetuta qëllimisht lë hapësira rregullimi nga ligjvënësi i zakonshëm, në mënyrë që të mos pengojë marrjen e nismave politike, ekonomike, sociale e kulturore. Por Kushtetuta, përveç kësaj, mund të parashikojë hollësisht dhe shprehimisht rastet për të cilat nuk mund t’i lerë hapësira rregullimi ligjvënësit të zakonshëm (shih vendimin nr.3, datë 20.02.2006; nr.2, datë 18.01.2017 të Gjykatës Kushtetuese). Fryma dhe qëllimi i kushtetutëbërësit në lidhje me rregullimet kushtetuese nuk mund të anashkalohet dhe organi i vetëm i cili ka autoritetin të vlerësojë pajtueshmërinë e normave ligjore me ato kushtetuese, është Gjykata Kushtetuese. Ndikimi i padiskutueshëm i vendimeve të saj është i tillë që u imponon të gjitha organeve shtetërore fuqinë detyruese të arsyetimit të tyre. Arsyetimi që përdor Gjykata Kushtetuese në vendimet e saj ka forcën e ligjit, çka buron nga autoriteti i këtij organi për të thënë fjalën e fundit në çështjet për të cilat të tjerët tashmë janë shprehur. Çdo qëndrim i kundërt krijon një precedent të rrezikshëm në marrëdhëniet institucionale (shih vendimin nr.20, datë 01.06.2011; nr.2, datë 18.01.2017të Gjykatës Kushtetuese).
19.4 Paga e magjistratëve përfshihet në sferën e garancive që burojnë nga neni 138 i Kushtetutës. Garancitë e kësaj norme të Kushtetutës u njohin gjyqtarëve një trajtim specifik jo vetëm në pagë, por edhe në elemente të tjera që burojnë nga ushtrimi i funksionit të tyre. Paprekshmëria e pagës dhe e përfitimeve të tjera janë ngritur në nivel kushtetues, me qëllim që të drejtat/përfitimet, të cilat burojnë nga ushtrimi i funksionit të gjyqtarit, të mos ndryshohen me efekt negativ. Të gjitha këto garanci janë të lidhura ngushtësisht ndërmjet tyre dhe mbi këto standarde kushtetuese duhet të orientohet veprimtaria ligjvënëse me qëllim moscenimin e statusit të gjyqtarëve, të drejtave dhe përfitimeve që ata duhet të gëzojnë për shkak të detyrës që kryejnë. Statusi i gjyqtarëve synon sigurimin e kompetencës, pavarësisë dhe paanësisë, elemente këto që çdo individ i pret në mënyrë legjitime nga gjykatat dhe nga çdo gjyqtar, të cilit i është besuar mbrojtja e të drejtave të individëve (shih vendimet nr.31, datë 02.12.2009; nr.40, datë 07.07.2014 të Gjykatës Kushtetuese).
19.5 Pjesë e paketës së reformës në drejtësi ishte, mes të tjerash, edhe rishikimi domethënës i sistemit të pagave, përfitimeve dhe shpërblimeve të tjera të magjistratit, me qëllim përmirësimin e trajtimit të tyre në përputhje me përvojën në punë, zhvillimin e karrierës dhe vështirësive. Sipas relacionit shpjegues të projektligjit nr. 96/2016, paga dhe trajtimi financiar i mëparshëm nuk mbanin parasysh në masë të mjaftueshme dinjitetin e detyrës e të profesionit, natyrën e përgjegjësive të funksionit gjyqësor, shkallën e vështirësive në përmbushjen e tij, numrin e lartë të papajtueshmërive dhe ndalimeve të posaçme për të kryer veprimtari të tjera që sjellin të ardhura, nevojën për ta mbrojtur nga presionet dhe ndikimet në veprimtarinë e tij gjyqësore e në sjelljen e tij në tërësi, si dhe nevojat e integrimit social të tij dhe të familjes në shoqëri. Kuadri i ri kushtetues e ligjor, duke parashikuar rritjen domethënëse të përfitimeve të magjistratit, synoi të ofrojë një skemë reale dhe dinjitoze të shpërblimit të magjistratit dhe garantimin e një pagë që i korrespondon dinjitetit të profesionit dhe përgjegjësive të detyrës. Objektivi i mësipërm i ligjvënësit është sanksionuar në nenin 11 të ligjit nr. 96/2016, ku parashikohet se paga e magjistratit dhe përfitimet e tjera financiare duhet të jenë në përputhje me dinjitetin e detyrës së magjistratit dhe të përshtatshme për të garantuar pavarësinë dhe mbrojtjen nga ndërhyrjet e jashtme në ushtrim të funksionit të tij (shih vendimin nr. 34, datë 10.04.2017 të Gjykatës Kushtetuese).
19.6 Normimi i pagës së magjistratëve në nenin 12 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në republikën e Shqipërisë.”, në përmbushje të qëllimeve që diktonte reforma në drejtësi, pati një risi, duke marrë edhe modelet e vendeve të tjera më të zhvilluara dhe me traditë në fushën e drejtësisë.[1] Në ndryshim nga rregullimet e mëparshme që kishin si bazë hierarkinë e pagave, ku në majë të piramidës qëndronte paga e Presidentit të Republikës, kjo hierarki u thye, duke përfituar magjistratët një pagë më të lartë se edhe vetë Presidenti i Republikës.
19.6.1 Pra, për të garantuar pavarësinë, dinjitetin e profesionit dhe përgjegjësinë e detyrës, shkallën e vështirësive në përmbushjen e saj, numrin e lartë të papajtueshmërive dhe ndalimeve të posaçme për të kryer veprimtari të tjera që sjellin të ardhura, nevojën për t’i mbrojtur nga presionet dhe ndikimet në veprimtarinë gjyqësore e në sjelljen e tyre në tërësi, si dhe nevojat e integrimit social dhe të familjes në shoqëri; pagat e magjistratëve u diferencuan në masë nga të gjithë zyrtarët e lartë të shtetit, përfshi këtu Presidentin e Republikës, apo deputetët. Ky trajtim i diferencuar dhe nivel po i diferencuar pagash, përbën në thelb një status që duhet ruajtur, jo vetëm në thelb, por edhe në dukje, për t’i bërë reale qëllimet e sipërpërmendura.
19.7 Gjithashtu, në mënyrë që paga e magjistratëve të mos ishte një ishull i vetmuar, pra të mos ngelej e pandryshuar, edhe pse rritja ekonomike dhe pagat e zyrtarëve të tjerë mund të rriteshin, ligjvënësi e formuloi dispozitën blankete, pra në referencë të punonjësve të shërbimit civil. Konkretisht, rregullimin e pagës referuese bazë të magjistratit, duke e njehsuar me pagën për funksion të punonjësve të shërbimit civil, duke treguar kategorinë (e para (I)), klasën (e treta (c)), si dhe pozicionin konkret të punës (drejtorin e drejtorisë së përgjithshme në Kryeministri ose çdo pozicion tjetër të barasvlershëm me të), e detajuar më pas në akte nën-ligjore.
19.7.1 Duke qënë se kategoria kryesore që përfiton rritje page herë pas here është pikërisht shërbimi civil, kjo mënyre normimi, bënte që çdo herë, që paga e tyre pësonte rritje, do të reflektohej automatikisht tek paga e magjistratëve. Në këtë mënyrë, ruhej edhe pozita e diferencuar e magjistratëve në raport me zyrtarët e tjerë në shërbimin civil, për të treguar rëndësinë e funksionit, si zyrtarë të lartë të një pushteti të pavarur.
19.8 Në miratimin e ligjit nr. 33/2023, nuk u vlerësua dhe nuk u mor aspak në konsideratë fakti se rregullimi ligjor i pagës së magjistratëve, nuk ishte thjesht çështje shifrash, por mendësie dhe statusi me komponentë të ndryshëm, me qëllime të mirë menduara. Pjesë e statusit dhe garancisë se akorduar nga neni 138 i Kushtetutës, nuk ishte vetëm paga në vlerë nominale, por edhe diferencimi i pagës së magjistratëve në raport me zyrtarët e tjerë dhe njëkohësisht ishte garantuar se çdo rritje e pagës së nëpunësve të shërbimit civil do të reflektohej automatikisht në rritjen e pagave të magjistratëve.
19.9 Po çfarë bëri Kuvendi?! Njëkohësisht, miratoi ligjin nr. 34, datë 25.05.2023, i cili bëri ndryshime të ligjit nr. 9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, ku raportet e pagave, sipas funksioneve, për institucionet e pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj fillojnë nga koeficenti (raporti) 0.925 (Kryetari i Kuvendit, Kryeministri), duke vijuar më tej në rend zbritës në funksionet si vijon: anëtarët e Komisionit të Konkurrencës, anëtarët e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, anëtari i Entit Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura, zëvendëskryetarit të Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe anëtarët e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, ku ky raport është 0.45, pra dukshëm më i lartë se koefiçenti 0.36 që i referohet pagës referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë. Është e qartë se këto raporte nuk reflektojnë nevojën qëllimin që ka patur ligjvënësi kur ka miratuar ligjin nr. 96/2016.
19.10 Përveç kësaj, nga ana e Këshillit të Ministrave është miratuar Vendimi nr. 325, datë 31.5.2023 “Për miratimin e strukturës së pagave, niveleve të pagave dhe shtesave të tjera mbi pagë të zëvendësministrit, funksionarëve të kabineteve, prefektit, nënprefektit, nëpunësve civilë dhe nëpunësve në disa institucione të administratës publike.” Nëse, rregullimi ligjor do të ishte ai i përcaktuar nga ligji nr. 96/2016 dhe sqaruar përfundimisht nga Gjykata Kushtetuese në vendimin nr. 35, datë 22.11.2022, pagat e magjistratëve do të ishin minimalisht 30% më të larta se ato që marrin aktualisht.
19.11 Mënyra e vlerësimit të një fakti apo rrethane është në terma absolute dhe relative, ku e para i referohet matjes së një vlere në terma të qëndrueshëm dhe të pavarur, ndërsa e dyta, përcakton një vlerë ose rezultat duke e krahasuar me një standard tjetër, referencë ose variabël kontekstual. Edhe paga, përfshirë ajo e gjyqtarëve, uljet dhe ngritjet e saj, janë të vlerësueshme si në terma absolutë ashtu edhe relativë.
19.11.1 Garancia e vendosur nga neni 138 i Kushtetutës mbron pagën e gjyqtarëve nga ulja absolute dhe relative e saj. Në rastin konkret, kjo mbrojtje kushtetuese është shpërfillur nga Kuvendi, i cili me ndërhyrjen nëpërmjet ligjit n. 33/2023, ka cenuar de facto në trajtë absolute pagën e gjyqtarëve. Po ashtu, e ka cenuar atë edhe në trajtë relative.
19.11.1.1 Në terma absolutë. Kushtetuta nuk ka synuar të mbrojtje vetëm uljen e pagës së gjyqtarëve, në kuptimin e parë, por të kufizojë çdo ndërhyrje e cila krijon një ulje faktike të pagës së tyre. Pra, jo vetëm rastin kur paga afektohet për shkak të ndonjë veprimi i cili e ndryshon atë negativisht, por edhe në rastet e mosveprimit për mbrojtjen e pagës nga zhvleftësimi faktik i vlerës së saj në treg. Ndër to inflacioni, rritja e ofertës së parasë, politikat fiskale…etj., të cilat afektojnë vlerën reale të shumës së përfituar si pagë.
19.11.1.2 Në të kundërt, nëse ligjvënësi, për respektimin e garancisë së nenit 138 të Kushtetutës, do të mjaftonte të mos ndërhynte për të ndryshuar negativisht pagën e gjyqtarëve, mjaft që do ta linte atë nominalisht të pandryshuar, kjo garanci do të ishte thjesht formale. Duke mos pasur ndonjë kufizim kohor, sipas kësaj logjike, paga mund të mbetet e njëjtë edhe për një apo më shumë shekuj. Sigurisht që kjo është e papranueshme. Duke mos u zgjatur më tej në këtë përfundim logjik; duke pranuar se mbrojtja e dhënë nga neni 138 i Kushtetutës përfshin edhe mos uljen faktike të pagës, vlerësojmë se kjo mbrojtje aplikohet edhe në rastin konkret.
19.11.1.3 Kështu, paga e drejtorit të drejtorisë së përgjithshme në Kryeministrisi, kategori e I-1, aktualisht është 217.000 lekë. Duke i shtuar edhe shtesën e vlerës se kualifikimit prej 14.000 lekë, është e barabartë me 231.000 lekë. Kjo pagë reference është dukshëm më e lartë sesa paga aktuale e referencës prej 153.000 lekë, që përfaqëson 36% të pagës së Presidentit të Republikës.
19.11.1.4 Nëse Kuvendi nuk do të ishte ndërhyrë me këtë ndryshim, paga e referencës do të ishte 78.000 lekë më e lartë. Kjo përbën një ulje faktike të pagës, pavarësisht se, formalisht paga nuk është ulur, madje është rritur me 570 lekë. Në këtë kuptim, paga e gjyqtarëve është ulur në terma absolutë, de facto, pavarësisht se nuk ka ndodhur një ulje formale e saj.
19.11.2 Në terma relative. Ulja relativei referohet ngushtimit të diferencës ndërmjet pagës së gjyqtarit dhe atij të funksionarëve të tjerë.Këtu, cenimi i nenit 138 të Kushtetutës vjen jo vetëm për shkak të zvogëlimit të diferencës në vetvete, por për shkak të mbetjes së pagave të gjyqtarëve të pandryshuara, duke cenuar kështu barazinë përpara ligjit.
19.11.2.1 Nëpërmjet ndryshimeve në sistemin e përgjithshëm të pagave të nëpunësve dhe funksionarëve publik,diferenca ndërmjet pagës së gjyqtarëve me atë funksionarët e tjerë është zvogëluar.Kështu, paga në administratën shtetërore është rritur me rreth 40% të pagës mesatare buxhetore në vitin 2023 dhe 2024, ndërsa ajo e Presidentit, që mandej ka afektuar edhe rritjen e pagave të zyrtarëve të lartë të tjerë shtetëror, me 50%. Ndërkohë, paga e gjyqtarëve ka mbetur e pandryshuar, pasi rritja prej 0.192% që ka pësuar për shkak të 570 lekëve që janë shtuar pagës së referencës, nuk mund të konsiderohet si rritje page (kjo si në aspektin logjik, por edhe atë juridik, pasi kjo rritje ulet de facto nga inflacioni.)
19.11.2.2 Nëpërmjet reformës në sistemin e drejtësisë, ndër të tjera, u mundësua edhe arritja e detyrimit kushtetues për të miratuar paga dhe trajtim financiar të gjyqtarëve, të dallueshëm nga funksionet e tjerë publike dhe që, parimisht, i korrespondoi dinjitetit të profesionit e të detyrës dhe përgjegjësive kushtetuese të dhënies së drejtësisë nga gjyqtarë të pavarur, në një pushtet gjyqësor të pavarur. Por jo vetëm kaq, rritja e pagave në nivel të dukshëm më lart se funksionarët e tjerë, u bë edhe me qëllim justifikimin e procesit të rivlerësimit që sistemi gjyqësore ende po kalon.
19.11.2.3 Cili është shpërblimi që justifikon shkallën e kufizimeve financiare, profesionale, të sjelljes në publik dhe në privat të gjyqtarëve, për qëllim të garantimit të besimit të publik te drejtësia? Është pikërisht statusi i diferencuar financiar! Diferenca që propozoi reforma fillestare justifikohet nga shkalla e gjere e kufizime të gjyqtarëve, kufizime këto që nuk aplikohen për funksionarët e tjerë. Kufizimet e para lidhen me pamundësinë e gjyqtarëve për të kryer veprimtari të tjera profesionale apo tregtare me qëllime fitimi, kufizim ky që nuk i impohohet zyrtarëve të tjerë. Kufizimet e tjera janë ato në jetën private, të cilat i janë vendosur gjyqtarëve si ligjërisht ashtu edhe në trajtën e kodit etik të sjelljes gjyqësore, për shkak të rëndësisë së forcimit të besimit të publikut te sistemi i drejtësisë. Po ashtu, formimi profesional që gjyqtarët duhet të kenë, ndryshe nga funksionarët e tjerë kushtetues, përbën rrethanë të arsyeshme që paga e tyre të jetë relativisht më e lartë. Të gjitha këto kufizime dhe detyrime të gjyqtarëve ndaj funksionit, shtetit dhe popullit nuk mund të justifikohen nëse paguhen me paga të ngjashme me ato të funksionarëve të tjerë, të cilët nuk e kanë një nivel të tillë kufizimesh. Duke trajtuar në mënyrë të njëjtë funksionarët që janë në kushte të ndryshme, Kuvendi krijon premisa për diskriminim.
19.11.2.4 Kjo diferencë ndërmjet pagave të gjyqtarëve dhe funksionarëve të tjerë të lartë shtetëror, duhet të përfshihet në nocionin e përfitimeve të tjera të gjyqtarëve, të cilat nuk mund të ulen, në kuptim të nenit 138 të Kushtetutës.
19.12 Pikërisht, cenimi i këtij statusi financiar qe magjistratët kishin në baze të ligjit nr. 96/2016, ka cenuar parimin e shtetit të së drejtës. Ky ndryshim ligjor bie ndesh me nenin 138 të Kushtetutës dhe automatikisht cënon parimin e shtetit të së drejtës referuar nenit 4 dhe nenit 116 të Kushtetutës, ku sanksionohet epërsia e Kushtetutës si akti juridik me fuqinë më të lartë dhe pajtueshmërinë e akteve juridike me fuqi me të ulët me të. Për këto arsye, kjo dispozitë duhet deklaruar antikushtetuese.
20. Lidhur me parimin e pavarësisë se gjyqësorit. Parimi i pavarësisë së gjyqësorit përfshin një gamë të gjerë aspektesh, të cilat të marra së bashku krijojnë kushtet e nevojshme që gjykatat të përmbushin rolin dhe detyrat e tyre, veçanërisht në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Garancitë kushtetuese që lidhen me palëvizshmërinë e gjyqtarëve, si dhe me paprekshmërinë e pagës e të përfitimeve të tjera, për shkak të funksionit, kanë ndikimin e tyre që gjyqtari të ushtrojë funksionin e tij në mënyrë të pavarur. Siguria në lidhje me pagën dhe me ushtrimin e qëndrueshëm të detyrës krijojnë kushtet e nevojshme që gjyqtarët të zbatojnë ligjin në mënyrë të drejtë e të paanshme. Vlerësimi i sistemit të garancive dhe pavarësia e gjyqtarëve dhe gjykatave janë ngushtësisht të ndërlidhura ndërmjet tyre (Shih vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 11, datë 02.04.2008). Garancitë kushtetuese për statusin e gjyqtarit lidhen me emërimin, paprekshmërinë dhe palëvizshmërinë e tyre nga detyra pa shkaqe të përligjura, me mosndjekjen e tyre penalisht dhe disiplinarisht pa vendim të motivuar të KLD-së, si dhe me garancitë financiare”(Shih më gjerë vendimin nr.11, datë 27.05.2004 të Gjykatës Kushtetuese). Sistemi i garancive që gëzojnë gjyqtarët sanksionohet edhe në dokumente ndërkombëtare. Kështu, Karta Europiane për Statusin e Gjyqtarëve, në paragrafin 1/1, shprehet se statusi i gjyqtarëve synon sigurimin e kompetencës, pavarësisë dhe paanësisë, elementë këto që çdo individ i pret në mënyrë legjitime nga gjykatat dhe nga çdo gjyqtar, të cilit i është besuar mbrojtja e të drejtave të individëve. Gjithashtu, “Parimet Bazë mbi Pavarësinë e Gjyqësorit” (miratuar me Rezolutat 40/32, datë 29 nëntor 1985 dhe 40/146, datë 13 dhjetor 1985 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së), në paragrafin 11, sanksionojnë se mandati i gjyqtarëve, pavarësia e tyre, siguria, paga e përshtatshme, kushtet e shërbimit, pensionet dhe mosha e daljes në pension duhet të sigurohen nga ligji në mënyrë të përshtatshme.
20.1 Në përpjekje për të siguruar pavarësinë e gjyqtarëve, Kushtetuta ndalon uljen e pagës apo të përfitimeve të tjera të njohura gjatë të mandatit të tyre. Mbrojtja e pagave dhe e garancive sociale të gjyqtarëve përbën një garanci më tepër për të siguruar parimin e pavarësisë së gjyqësorit. Prandaj, pavarësia e gjyqtarëve, paprekshmëria e mandatit, siguria, paga e përshtatshme, kushtet e shërbimit, pensionet dhe mosha e daljes në pension duhet të sigurohen nga legjislacioni në një mënyrë të përshtatshme (Shih më gjerë “Parimet bazë mbi pavarësinë e gjyqësorit”, miratuar me Rezolutën 40/32/1854 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së). Të gjitha këto garanci janë të lidhura ngushtësisht ndërmjet tyre dhe në rast se preket ndonjë prej tyre, atëherë edhe administrimi i drejtësisë është i cenuar. Mbi këto standarde kushtetuese duhet të orientohet veprimtaria ligjvënëse me qëllim mos cenimin e statusit të gjyqtarëve, të drejtave dhe përfitimeve që ata duhet të gëzojnë për shkak të detyrës që kryejnë.
21. Në lidhje me cënimin e parimit të sigurisë juridike. Sipas jurisprudencës kushtetuese, siguria juridike parakupton veç të tjerash, besueshmërinë e qytetarëve tek shteti dhe pandryshueshmërinë e ligjit për marrëdhëniet e rregulluara. Mbrojtja e pritshmërisë legjitime është e lidhur me detyrimin e të gjithë institucioneve shtetërore për të përmbushur detyrimet e marra përsipër. Ky parim nënkupton gjithashtu mbrojtjen e të drejtave të fituara të personave, të cilët kanë të drejtë të presin në mënyrë të arsyeshme që të drejtat e fituara nëpërmjet akteve ligjore të vlefshme, t’iu garantohen për të gjithë periudhën dhe të zbatohen realisht. Një funksion i rëndësishëm i ligjit është të garantojë siguri, duke i bërë të mundura pritshmëritë e ligjshme. Ligji duhet të ofrojë siguri dhe vijimësi me qëllim që individët të mund të kryejnë veprimet në mënyrën e duhur. Për këtë qëllim hartohen ligje dhe merren vendime të detyrueshme dhe duke qenë se këto ligje e vendime perceptohen si burime pritshmërie të ligjshme për individët, ato nuk mund të ndryshohen e shfuqizohen në mënyrë arbitrare në një fazë të mëvonshme. Sipas këtij parimi, ligjet nuk janë të pandryshueshme, por një ndryshim i tyre duhet të kryhet vetëm në përputhje me një procedurë të përcaktuar më parë dhe pa cenuar parimet e standardet kushtetuese. Ligjvënësi duhet të respektojë këtë parim me qëllim që situata ligjore në të cilën ndodhet personi të mos keqësohet pa arsye, madje të mos mohohen të drejtat e fituara, interesat apo pritshmëritë e ligjshme.
21.1 Nga kjo pikëpamje, gjyqtari nuk mund të perceptohet vetëm si një person që jep drejtësi, pasi gjyqtari është njëkohësisht anëtar i shoqërisë. Si çdo person tjetër, gjyqtari ka të drejtë të mbrojë të drejtat e tij, interesat dhe pritshmëritë e ligjshme. Qëllimi i parimit të sigurisë juridike është të sigurojë besimin e personave te shteti i tij dhe ligji, dhe vetë gjyqtarët, të cilët administrojnë drejtësinë duhet të gëzojnë një besim të tillë. (Shih vendimet e Gjykatës Kushtetuese nr.34, datë 20.12.2005; nr.9, datë 26.2.2007; nr.11, datë 4.4.2007; nr.36, datë 15.10.2007; nr.41, datë 16.11.2007 etj).
21.2 Dispozitat e atakuara si antikushtetuese, ka cenuar pritshmërinë e ligjshme të magjistratëve dhe besimin e tyre të garantuar edhe nga vetë kushtetuese se paga/komponentët e saj, pra statusi i tyre nuk mund të cenohet, përveçse në raste te parashikuara shprehimisht nga vetë Kushtetuese, të cilat në rastin konkret nuk ekzistojne.
21.3 Nëse ligjvënësi, nuk do të kishte ndërhyrë duke miratuar ligjin nr. 33/2023, atëherë paga bazë referuese e magjistratëve do të ishte 231.000 lekë, dukshëm më e lartë se ajo aktuale 153.000 lekë.
21.4 Ne këtë mënyrë, Kuvendi ka cënuar pagën e magjistratëve, e cila përfshihet në nocionin e pronës private, e cila mbrohet nga neni 41 i Kushtetutës dhe neni 1 i Protokollit 1 të KEDNj-së. Sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, nga mbrojtja e pronës përfitojnë këto aspekte të saj: (i) prona e paluajtshme, (ii) sende të luajtshme, (iii) të ardhurat nga paga, pensionet, shpërblime (iv) taksa të tepëruara ose gjoba, të cilat llogariten në vlerë monetare ose të konvertueshme me to etj. (shih vendimin nr.30/2005 të Gjykaës Kushtetuese). Gjithashtu, GjEDNj ka pranuar se, paga përfshihet në nocionin e “pasurisë” të mbrojtur nga neni 1 i Protokollit 1 të Konventës (shih vendimin e GjEDNj-së, Smokovitis kundër Greqisë, 2002, parg.32).
21.5 Mbrojtja e pasurisë në kuptim të këtyre dispozitave nuk garanton vetëm pasurinë e tashme, por edhe atë të ardhshme për të cilin subjekti ka pritshmëri legjitime. Kështu, GjEDNj është shprehur se një “pritshmëri legjitime” për të fituar një “pasuri” mundet gjithashtu të gëzojë mbrojtje nga neni 1 i Protokollit Nr. 1 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. (shih vendimet e GjEDNj-së, Kopecký kundër Sllovakisë, 2004, parg.52, Pressos Compania Naviera S.A. dhe të tjerë kundër Belgjikës, parg. 31, dhe Ouzounis dhe të tjerë kundër Greqisë, 2002, parg. 24). Kjo pritshmëri legjitime duhet megjithatë, “të jetë e një natyre më konkrete se thjesht një shpresë dhe të bazohet në parashikime ligjore ose një akt ligjor si një vendim gjyqësore” (shih vendimin e GjEDNj-së, Pressos Compania Naviera S.A. dhe të tjerë kundër Belgjikës, parg. 31, cituar më sipër).
21.6 Në rastin konkret, padyshim që, nga planifikimi i rritjes së pagave të nëpunësve civil, magjistratët kishin pritshmëri legjitime se do të përfiton një shtesë të pasurisë së tyre – të pagës. Në aspektin formal, kjo pritshmëri krijohej nga rritja e planifikuar e pagave në buxhetin e vitit 2023, në ligjin nr.84/2022 “Për buxhetin e vitit 2023”. Në aspektin substacial, kjo pritshmëri, përpos sa më sipër, legjitimohej edhe nga arsyet e ndërmarrjes së reformës në drejtësi.
21.7 Sa më sipër, magjistratët kishin një pritshmëri legjitime për shtim të pasurisë së tyre, e cila mbrohet në nivel kushtetues dhe konventor, në të njëjtën mënyrë si pasuria ekzistuese. E drejta e tyre u cenua nga miratimi i ndryshimeve ligjore nga Kuvendi, i cili ndërhyri drejtpërdrejtë mbi pasurinë e magjistratëve, duke parandaluar rritjen e saj.
21.8 Gjykata Kushtetuese, në referim edhe të jurisprudencës së GjEDNJ-së,[2] ka vendosur si kritere të ndërhyrjes në të drejtën e pronës këto elementë: (i) ligjshmërinë; (ii) interesin publik; (iii) proporcionalitetin; (iv) sigurinë juridike; (v) shpërblimin e drejtë. Në rastin konkret, nuk është i nevojshëm analizimi i tyre, pasi këto pritshmëri të ligjshme mbi pagën e magjistratëve, burojnë nga statusi i tyre, i cili sipas nenit 138 të Kushtetutës, nuk mund të ulet/cenohet, përveçse në raste përjashtimore, të cilat siç u argumentua më sipër, jo vetëm qe nuk ekzistojnë, por rezulton e kundërta.
III. KONKLUZIONI
22. Sa më sipër u arsyetua, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë kërkon: “Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të nenit 1 dhe 2 të ligjit nr. 33/2023 “Për një ndryshim në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë””, që parashikojnë 1-”a) paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, e cila është e njëjtë me shumëzimin e koeficientit 0.36 me pagën e Presidentit të Republikës” dhe 2-“2. Për vitin 2023 paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë përllogaritet sipas këtij ligji nga data 1 prill, duke u bazuar, për efekt të përllogaritjes, në pagën e Presidentit të Republikës me vlerë 425000 (katërqind e njëzet e pesë mijë) lekë.”
23. Përsa i përket mënyrës se si Kuvendi, duhet t’a rregullojë pagën e magjistratëve në vijim, vlerësojmë se mënyra e parë që ka theksuar Gjykata Kushtetuese në vendimin nr. 35, datë 22.11.2022, duke përcaktuar: “Rregullimi i bërë në nenin 12, pika 5, shkronja “a”, i ligjit nr. 96/2016, në kohën e miratimit të tij e përmbushte qëllimin për rregullimin e pagës referuese bazë të magjistratit, pasi përcaktonte njësimin e saj me pagën për funksion të punonjësve të shërbimit civil, duke treguar kategorinë (e para (I)), klasën (e treta (c)), si dhe pozicionin konkret të punës (drejtorin e drejtorisë së përgjithshme në Kryeministri ose çdo pozicion tjetër të barasvlershëm me të). Për këtë pagë, në kushtet kur pozicionit të drejtorit të drejtorisë së përgjithshme në Kryeministri nuk i ishtë caktuar nivel page, referimi do të ishtë sipas klasifikimit të pozicioneve të barasvlershme me të, pra ai I-b. Kur filluan të zbatohen dispozitat e ligjit nr. 96/2016 për pagat dhe përfitimet e tjera të magjistratit, që është data 01.01.2019 sipas dispozitës kalimtare të këtij ligji, kishte hyrë në fuqi VKM-ja nr. 187/2017, në bazë të së cilës u bë përllogaritja e pagës referuese bazë sipas klasifikimit të këtij akti nënligjor, pra sipas kategorisë së dytë, klasa e parë (II-a).”, është e duhura dhe garanton plotësisht paprekshmërinë e pagës, por edhe pritshmëritë e ligjshme për rritjen periodike të saj në raport me punonjësit e shërbimit civil, si komponentë të pandashëm të statusit financiar.
23.1 Si alternativë, sugjerojmë që paga e magjistratëve të jetë në referencë të pagës së Presidentit të Republikës, por të reflektohet në të çdo rritje e pagës referuese të drejtorit të drejtorisë së përgjithshme në Kryeministri. Pra, si variant mund të jetë “a) paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, e cila është e njëjtë me shumëzimin e koeficientit 0.543[3] me pagën e Presidentit të Republikës. Paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, të reflektojë të njëjtën rritje që pëson paga e pozicionit “Drejtorit të drejtorisë se përgjithshme në Kryeministri” dhe të indeksohet me vendim të Këshillit të Ministrave jo më vonë se dy vjet nga indeksimi i fundit. Niveli i indeksimit në çdo rast nuk kalon një pikë përqindjeje mbi nivelin e targetuar të inflacionit nga Banka e Shqipërisë.”
UNIONI I GJYQTAREVE TE SHQIPERISE
PERFAQESUAR NGA KRYETARI
Z. GERD HOXHA
[1] Të njëjtin rregullim për pagën e magjistratëve ka parashikuar edhe legjislacioni Italian, duke parashikuar një sistem automatik reference, qe lejon rishikimin periodik të pagës në raport edhe me rritjen e pagave të punonjësve të tjerë shtetërore. Tentativat për ndryshimin e këtij sistemi nga ana e ligjvënësit janë bërë objekt kontrolli kushtetues dhe Gjykata Kushtetuese Italiane i ka shfuqizuar si të papajtueshme me Kushtetutën. Sjellim në vëmendje vendimet e Gjykatës Kushtetuese Italiane nr. 1/1978, nr. 238/1990, nr. 42/1993.
[2] Vendimi Amuur kundër Francës, viti 1996, parg.50
[3]Koefiçenti në raport me pagën e Presidentit të Republikës që i korenspondon pages bazë referuese 231.000 lekë, që do të përfitonin magjistratët nëse Kuvendi, nuk do kishte miratuar ligjin nr. 33/2023.