Alarm tek zona e Malit të Robit: Pishat e buta nën sulmin e një fenomeni të rrezikshëm, kërkohet ndërhyrje urgjente!
Një fenomen shqetësues po përhapet me shpejtësi në pyjet me pisha të buta (Pinus pinaster) përgjatë zonës bregdetare të Malit të Robit (Qerret) dhe zonave përreth.
Prej të paktën dy vitesh, por në mënyrë të përshkallëzuar këtë verë, është vërejtur që këto pisha çlirojnë vazhdimisht një substancë vajore, e cila bie nga kurorat e larta në formë pikash si “shi artificial”. Substanca është ngjitëse dhe e errët, me aromë karakteristike të vajrave të pishës, dhe po shihet gjithnjë e më shpesh në sipërfaqe të mëdha të pyllit dhe zonave të gjelbërta.





Ky fenomen ndodh ekskluzivisht tek pisha e butë (pino marittimo) dhe nuk është vërejtur në speciet e tjera të pishave, duke ngritur dyshime të forta për praninë e insektit dëmtues Matsucoccus feytaudi – një specie që sulmon vetëm këtë lloj pishe dhe që njihet për aftësinë për të shkaktuar dëmtime të mëdha në pyje bregdetare në rajone mesdhetare.
Ekspertët paralajmërojnë se ky është një dëmtues me rrezik të lartë ekologjik, pasi dëmton degët e sipërme të pemës dhe përmes një dobësimi të ngadaltë, por të vazhdueshëm, çon në tharjen graduale të saj.
Nëse nuk merren masa, pas disa vitesh, mund të shkaktojë dëmtime masive në një nga të vetmet pyje të gjelbra bregdetare të mbetura në Shqipëri, me pasoja afatgjata për biodiversitetin, mikroklimën dhe mbrojtjen e vijës bregdetare nga erozioni.
Fenomeni, i cili fillon në muajin mars dhe vazhdon deri në tetor, është tashmë i pranishëm në një sipërfaqe të konsiderueshme të pyllit në Malin e Robit dhe po zgjerohet çdo vit.
Kjo rritje progresive sugjeron një përhapje të pakontrolluar të insektit ose një reagim patologjik të vetë specieve të pishës për shkak të stresit klimatik dhe mungesës së kujdesit pyjor.
Në shumë vende të Bashkimit Evropian, përfshirë Francën, Italinë dhe Spanjën, ky dëmtues monitorohet dhe trajtohet çdo vit me programe të posaçme të mbrojtjes së pyjeve, përmes injektimeve sistemike në trung apo trajtimeve me organizma biologjikë që e kontrollojnë përhapjen.
Në Shqipëri, një program i tillë mungon totalisht, ndërkohë që pishat e buta – dikur mbjella për të përmirësuar cilësinë e tokës dhe për të stabilizuar dunat – rrezikojnë të bien viktimë e një shpërfilljeje të plotë institucionale.
Përballë këtij rreziku real për pyllin bregdetar, kërkohet ndërhyrje e menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për pyjet dhe mjedisin, për të vlerësuar gjendjen në terren, identifikuar shkakun dhe hartuar një strategji afatgjatë për menaxhimin e situatës.
Në të kundërt, fenomeni pritet të përhapet më tej në pyjet e tjera të bregdetit Adriatik dhe të sjellë pasoja të pakthyeshme për një ekosistem tashmë të brishtë.
Comments 1