Prokuroria e Elbasanit ka ndërmarrë një operacion të gjerë hetimor në lidhje me aferën e inceneratorit të Elbasanit, që ka çuar në vendosjen e 14 masave sigurie, përfshirë ndalime, detyrim paraqitjeje dhe ndalim dalje nga territori.
Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria, hetimet janë shtrirë në të gjitha 7 bashkitë e qarkut Elbasan dhe ajo e Rrogozhinës, ndërsa janë zhvilluar kontrolle në banesa, zyra dhe janë sekuestruar telefona celularë, dokumente dhe pajisje elektronike që lidhen me funksionimin dhe financimin e impiantit të mbetjeve.
Një pikë kyçe e hetimeve janë dy rastet e zjarrit në ambientet e landfillit të Elbasanit – një në vitin 2023 dhe tjetri më herët këtë vit, në 2025 – që sipas hetuesve mund të kenë lidhje me parregullsitë në menaxhimin dhe ruajtjen e mbetjeve.
Prokuroria thekson se janë paguar shuma të konsiderueshme dhe janë lëshuar fatura për shërbime të kryera nga një incenerator që, në realitet, nuk funksionon. Në vend të trajtimit të mbetjeve me djegie, siç është parashikuar në dokumentacion, në terren ekziston vetëm një landfill i zakonshëm, pa asnjë aktivitet të djegies së mbetjeve apo prodhimit të energjisë.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar fatura dhe prova të tjera materiale, të cilat mbështesin dyshimet për falsifikim dhe shpërdorim fondesh publike.
Çfarë është “Eco ELB”?
Eco Elb është shoqëria e administruar nga Leli Kaja, me objekt aktiviteti grumbullimin, rehabilitimin dhe përpunimin e mbetjeve të ndryshme në të gjithë territorin e bashkive të qarkut Elbasan. Shoqëria është e licencuar për trajtim të mbetjeve me djegie (incenerator), si dhe për prodhimin dhe shitjen e energjisë elektrike. Sipas statutit, ajo kryen çdo operacion tregtar e financiar të lejuar nga ligji në këtë fushë, për interes të komunitetit dhe në përputhje me lejet përkatëse. Hetimet aktuale janë duke shqyrtuar nëse Eco Elb ka zbatuar realisht aktivitetin për të cilin është licencuar.
Zotëruesit e Eco ELB janë:
- Bashkia Cerrik – 8%
- Bashkia Prrenjas – 8%
- Bashkia Gramsh – 8%
- Bashkia Peqin – 8%
- Bashkia Belsh – 8%
- Bashkia Librazhd – 8%
- Bashkia Elbasan – 52%
Nga ky operacion policia ka gjetur edhe armë pa leje duke prangosur dy persona. Mes tyre Denis Hasalla, vëllai deputetit Socialist Saimri Hasalla. Po ashtu në pranga ra edhe Bledar Çullhaj, 36 drejtor kabineti pranë Bashkisë Peqin.
Elbasan
Strukturat për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për lejimin e kontrollit në disa banesa, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2024.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasve:
-B. Ç., 36 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një armë e ftohtë;
-D. H., 35 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një sasi municioni luftarak.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.