Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur të pafajshme deputeten e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, lidhur me një çështje për shpifje të ngritur nga biznesmenja Vilma Nushi.
Padia ndaj Vokshit u ngrit pas deklaratave të saj në Komisionin Hetimor për koncesionet në Shëndetësi, ku ajo akuzoi Nushin se kishte përfituar përmes akteve korruptive si divident, në një vlerë rreth 1.5 milionë euro. Sipas Vokshit dhe opozitës, Nushi, si pronare e dy kompanive të përfshira në koncesionin e Check-Up-it, ka përfituar drejtpërdrejt dhe tërthorazi nga skema e koncesionit.
Seanca gjyqësore u shoqërua me tensione, kur biznesmenja Nushi ndërhyri në sallë duke ndërprerë deklaratat e Vokshit pa leje, çka çoi në urdhrin e gjyqtares Dede për largimin e saj nga salla e gjyqit. Avokati i Nushit kërkoi një gjobë prej 30 milionë lekësh ndaj deputetes së PD-së, por trupa gjykuese vendosi në favor të Vokshit, duke e shpallur atë të pafajshme.

Albana Vokshi në këtë gjykim u përfaqësua nga avokati Franc Nuri.