Të hënën me 1 shtator 2025, përfundon mandati pesëvjeçar i Aida Hajnajt në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Largimi i saj shënon mbylljen e një periudhe të shoqëruar jo vetëm me sfida institucionale, por edhe me përplasje të hapura me drejtuesit e SPAK, fillimisht me ish-kreun Arben Kraja dhe më pas me pasuesin e tij, Altin Dumani. Marrëdhëniet e tensionuara mes palëve janë reflektuar disa herë në publik, duke ngritur pikëpyetje mbi bashkëpunimin mes dy institucioneve kyçe të drejtësisë së re.
Sipas njoftimit zyrtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, më 1 shtator 2025, ora 11:00, do të zhvillohet mbledhja e Këshillit me rend dite “Diskutimi/miratimi i Projektvendimit: Për lirimin nga detyra të Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”. Mbledhja, e cila do të zgjasë 60 minuta, është thirrur nga kryetarja Mirela Bogdani dhe do të mbahet në sallën e mbledhjeve në praninë e anëtarëve të KLP-së, përfaqësuesve nga Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Drejtësisë, projekti “EU4Justice” dhe programi “OPDAT”. Media është gjithashtu e ftuar të marrë pjesë.
Deri në zgjedhjen e kreut të ri të BKH-së dhe përfundimin e garës së shpallur për këtë post, drejtimin e institucionit do ta mbajë përkohësisht zëvendësdrejtori, duke siguruar vijimësinë e punës hetimore.
Ky zhvillim hap një kapitull të ri për BKH-në, një strukturë e cila mbetet thelbësore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa gara për drejtuesin e ri pritet të jetë vendimtare për forcimin e mëtejshëm të institucionit.
Gara për kreun e ri të BKH-së ndodhet aktualisht në fazën e verifikimit të figurës dhe pasurisë së kandidaturave. Më parë, kandidatët kanë kaluar testin e aftësisë fizike, ese-të shkruar dhe testin e logjikës, testin me poligraf dhe intervistën. Të gjitha hapat janë zhvilluar nën mbikëqyrje ndërkombëtare, sipas procedurave të ligjit nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.
Shtatë kandidatët që vazhdojnë garën për drejtimin e BKH-së janë: Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta