Tirana dhe Vlora janë në krye të listës, shkak trafiku rrugor dhe lokalet
Monitorimi i kryer gjatë vitit 2024 në 13 qytete të vendit tregon se ndotja akustike vijon të mbetet një problem shqetësues. Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, niveli i zhurmave gjatë ditës tejkalon kufirin prej 55 decibel në të gjitha qytetet e monitoruara, me përjashtim të Lushnjes. Tirana rezulton më problematikja, ku tejkalimi arrin në 15 % mbi normën, e ndjekur nga Vlora, Saranda dhe Gjirokastra.
Edhe gjatë natës, ku kufiri i lejuar është 45 decibel, situata paraqitet e njëjtë. Pothuajse të gjitha qytetet regjistrojnë tejkalime, me shifrat më të larta në Vlorë, Tiranë dhe Sarandë. Ndërkohë, vetëm Kukësi, Përmeti dhe Lushnja mbeten brenda kufijve të lejuar.

Shkaku kryesor i emetimeve të zhurmave është trafiku rrugor, ndërsa në shumë zona, sidomos gjatë natës, problematikë paraqiten edhe lokalet.
Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj zhurmave shkakton iprobleme shëndetësorë sicc janë: Problemet me dëgjimin, inflamacion i trurit, humor i keq, imuniteti i dobët, mungesë përqendrimi apo probleme me gjumin. Gjithashtu, shkaktojnë probleme psikologjike (agresivitet, padurueshmëri), frenim në shpejtësinë e komunikimit, ndryshime në sistemin hormonal dhe imunitar, etj.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit propozon një sërë masash për të ulur ndotjen akustike. Ndër to përfshihet krijimi i brezave të gjelbër me pemë midis zonave të banuara dhe rrugëve kryesore. Gjithashtu kërkohet përcaktimi me rregullore i distancave mes rrugëve dhe banesave, si dhe parashikimi i masave kundër zhurmës që në fazën e projektimit të ndërtimeve të reja.
Një tjetër pikë e rëndësishme është kontrolli periodik i mjeteve të transportit që gjenerojnë zhurmë, ndërhyrja në sinjalistikën rrugore dhe vendosja e shenjave paralajmëruese në pika të caktuara.
Marrë nga ScanTv