Kompleks i ri për Kuvendin e Shqipërisë – Nga shtesat në godinën ekzistuese, te shembja e Piramidës. Cilët kanë qenë projektet e mëparshme?

Kuvendi i Shqipërisë i ushtron funksionet e tij në dy ndërtesa, njëra që ndodhet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” e cila shërben si Kryesi e Kuvendit dhe zhvillohen komisionet parlamentare, ndërsa në ndërtesën tjetër pranë Kalasë së Tiranës zhvillohen seancat plenare. Vendi ku merren vendime, zhvillohen debate apo diskutohen dhe miratohen ligjet, pritet të ndryshojë së shpejti.
Një godinë e re ku të gjitha shërbimet e Kuvendit të realizohn në një vend do të ndërtohet, për të rritur më shumë efikasitetin e tij. Kjo u paralajmërua nga Kryeministri Edi Rama gjatë Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.
“Kuvendi i Shqipërisë miraton dhe nxjerr ligje për të gjithë, por nuk e ka ende ligjin e vet. Nuk ka pavarësinë e vet financiare, nuk ka status të deputetëve të vet,nuk ka një administratë të mbështetur sa dhe si duhet në funksion të sfidave të veta dhe madje Kuvendi i Shqipërisë është pa shtëpi, nuk ka një shtëpi që të garantojë praktikën, por dreqi e mori edhe estetikën e një parlamenti të një shteti anëtar të Bashkimit Evropian”, tha Rama.
Diskutimet dhe përpjekjet për të pasur vetëm një godinë për Kuvendin e Shqipërisë kanë qenë të pranishme prej vitesh.
Në 2006, parlamenti i asaj kohe shpalli një garë ndërkombëtare lidhur me hartimin e një projekti për një kompleks të ri parlamentar. Në 2007, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli prezantoi projektin fitues, me ndërtesën e re që do të ngrihej mbi godinën ekzistuese në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, e cila dikur strehonte Byronë Politike të Partisë, duke simbolizuar që populli qëndron mbi qeverinë. Ndërtimi i cili do të kushtonte 30 milionë euro, nuk do të niste kurrë.
Nga ana tjetër, 2010 do të shënonte një tjetër përpjekje për të ndërtimin e një kompleksi të ri të Kuvendit, me Kryeministrin Sali Berisha që deklaroi se se 100-vjetori i ardhshëm i vendit në vitin 2012 duhet të festohej me një ndërtesë të re parlamenti. Piramida e cila shërbente si ish-muze i diktatorit komunist Enver Hoxha do të shembej dhe godina e re do të ndërtohej aty. As ky projekt nuk do të vihej në jetë.
Ndërkohë, në fillim të këtij viti, gjatë çeljes së sesionit të tetë të Legjislaturës së dhjetë të Kuvendit, Kryetarja Elisa Spiropali tha ndër të tjera që pritoritet i legjislaturës së 11-të do të ishte miratimi i Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Kuvendit, e cila do të presupozonte krijimin e kushteve logjistike dhe financiare që deputetët të kenë mundësi të ushtrojnë përgegjësitë e tyre.
“Kjo mund të kërkonte një rikonceptim të godinës së Kuvendit dhe bashkimin në një të sallës së seancave me mjediset e shërbimeve parlamentare. Nuk e kam fjalën thjesht dhe vetëm për një bashkim hapsinor, por edhe funksional, në mënyrë që shërbimet parlamentare t’u përgjigjen në mënyrë më efikase agjendës dhe veprimtarive parlamentare. Ka ardhur koha të ndërtojmë Kuvendin e Shqipërisë Europiane”, shtoi Spiropali.

Pas mbylljes së veprimtarisë së PPSH-së (1991), në ndërtesën e Kryesisë së Kuvendit u vendosën pjesërisht administrata e Kuvendit të Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese, Avokati i Popullit dhe për një periudhë kohe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ndërkohë, ndërtesa e seancave plenare është projekt që daton nga 1955.


Marrë nga ScanTv
Ndëtesa
Ndërtesa e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë
Vepër e projektuar nga arkitekti Anton Lufi që në vitin 1953. Planimetria ka formën e shkronjës “π” me gjatësi 80 m dhe me dy krahë me gjatësi 53 m. Arkitektura e jashtme ka përmasa të harmonizuara mjaft mirë, me paraqitje të qetë, por monumentale, e zbukuruar me pilastra, kapitele dhe korniza të arkitekturës klasike. Hyrja kryesore është trajtuar me harqe, përpjekje kjo për të përdorur elemente të arkitekturës popullore. Kjo ndërtesë katërkatëshe disponon shumë zyra, salla të ndryshme, bibliotekë dhe të gjitha mjediset e tjera të nevojshme, të plotësuara edhe me pjesët inxhinierike. Salla e mbledhjeve, e dekoruar me elemente klasike, ndodhet në katin e katërt të krahut jugor. Pas mbylljes së veprimtarisë së PPSH-së (1991), në këtë ndërtesë u vendosën pjesërisht administrata e Kuvendit të Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese, Avokati i Popullit dhe për një periudhë kohe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Sot pjesën më të madhe të ambienteve e ka në përdorim Kuvendi i Shqipërisë, por ndodhen ende Gjykata Kushtetuese dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Ndërtesa e Seancave Plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë
Ndërtesa është një projekt i vitit 1955 me autor arkitektin S. Luarasi në bashkëpunim me arkitektin rus D. Vasilef. Projekti u hartua në bazë të projektit të godinës ekzistuese (Lidhja Kulturore), në mënyrë që dhomat e kësaj godine të shërbenin si lidhje me godinën e re, pra si zyra të administratës së Kuvendit Popullor. Salloni i kinemasë ekzistuese u shndërrua në sallë për seancat plenare me kapacitet 160 vende, ndërsa tek tribuna e presidiumit me 40 vende. Për diplomatët u parashikuan lozhat me 44 vende nga njëra anë e sallës, ndërsa nga ana tjetër 44 vende u caktuan për gazetarë, korrespodentë etj. Ballkoni përballë përmban 246 vende për audiencën. Për presidiumin u parashikua hyrja kryesore e godinës ekzistuese (Lidhjes Kulturore). Gardërobë, bufe dhe dhomë për rojat e presidiumit u parashikuan të vendosen në sallën e kinemasë ekzistuese. Kjo godinë e re e Kuvendit u projektua në mënyrë të tillë që të mund të përdoren të gjitha mobiliet ekzistuese të Kuvendit të vjetër (e presidiumit, e deputetëve dhe karriget e ballkonit). Sipërfaqja e ndërtesës është 710 m2; Vëllimi i ndërtesës është 6500 m3.