Atentati në Shkodër/ “FactCheck” siguron foton e armëve që përdori autori i dyshuar i masakrës
Emisioni “FactCheck” ka siguruar një foto të armëve që policia i gjeti Ragip Gilës, autorit të dyshuar të atentatit në Shkodër, ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagosën dy të tjerë.
Gjatë kontrollit, efektivët gjetën tek autori një automatik dhe një pistoletë me fishek në fole, të cilat ai i përdori gjatë sulmit ndaj lokalit pranë Bashkisë së Shkodrës.
Autorit të dyshuar iu gjet edhe një jelek antiplumb si dhe një shishe me 1,5 litra benzinë, që do ta përdorte për djegien e mjetit tip “BMW”.
Eksperti i sigurisë Faik Basha, duke komentuar modelin e pistoletës bën me dije:
“Kjo pistoletë qëllon tek e tek, është armë çeke, nuk para gjendet në Shqipëri ky variant. Duket që është i importuar, është 9 mm. Në Çeki është përdorur nga Forcat e Armatosura dhe policia e atij vendi. Është hequr nga përdorimi në Çeki”.
Sa i takon armës tjetër automatik, Basha bën me dije:
“Automatiku është model izraelit. Ka nja karikatore që nga madhësia duket me 30 fishekë. Këto armë përdorin karikatore të ndryshme. Është shumë i shkurtër si model, por që ka fuqi zjarri, 120 predha në minutë. Me 40 fishekë arrin deri në 500 predha në minutë. Ka edhe rezistencë”.
Marrë nga emisioni “FactCheck” në McnTV