Operacioni “XUEX”: Policia e Fierit shkatërron skemë piramidale online, 6 persona në pranga, 2 në kërkim. Fier, Shqipëri — Policia e Shtetit ka finalizuar sot një operacion të koduar “XUEX”, duke goditur një nga skemat më të sofistikuara piramidale që vepronte online dhe mashtronte dhjetëra qytetarë përmes premtimeve të rreme për fitime të larta nga investimet në kriptomonedha.
Detajet e operacionit
Operacioni u zhvillua në shkallë të gjerë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, dhe përfshiu 83 kontrolle në banesa, persona dhe subjekte në qytetet Fier, Tiranë, Dibër, Berat dhe Gramsh. Si rezultat, 6 persona u arrestuan, ndërsa 2 të tjerë u shpallën në kërkim.
Në pranga ranë:
- Arbër Çela, 38 vjeç, banues në Lushnjë
- Emanuel Taullau, 21 vjeç, banues në Lushnjë
- Flavio Mukaj, 23 vjeç, banues në Lushnjë
- Marius Kodra, 28 vjeç, banues në Tiranë
- Brunilda Todi, 38 vjeçe, banuese në Divjakë
- Brunilda Ndini, 38 vjeçe, banuese në Divjakë
Ndërkohë, janë shpallur në kërkim:
- Erion Sheshi, 35 vjeç, banues në Divjakë
- Arben Sheshi, 29 vjeç, banues në Divjakë
Si funksiononte skema mashtruese
Hetimet tregojnë se skema funksiononte përmes platformave online që reklamonin investime në kriptomonedha si USDT dhe TRON.
Komunikimi dhe rekrutimi bëhej në grupe të mbyllura në Telegram, ku çdo pjesëmarrës orientohej të sillte të paktën 5 persona të tjerë për të rritur përfitimin e premtuar.
Ky ishte modeli klasik piramidal: vetëm individët në nivelet më të larta të strukturës përfitonin, ndërsa pjesa më e madhe e qytetarëve humbnin kursimet e tyre.
Sekuestrimet dhe provat
Gjatë operacionit, policia sekuestroi:
- 4.2 milionë lekë, 28 mijë euro, 1,750 dollarë dhe 340 franga zvicerane;
- 50 telefona celularë, 11 kompjuterë, DVR, hard diskë dhe një automjet;
- 6 llogari kriptomonedhash të ngrira, të dyshuara se përdoreshin për transferimin e fondeve.
Përfshirja e fermerëve në Divjakë
Hetimet kanë zbuluar se skema ka prekur ndjeshëm komunitetin e fermerëve në Divjakë, të cilët u mashtruan duke investuar kursimet e tyre me shpresën për një fitim të shpejtë. Shumë bujq që jetojnë vetëm nga prodhimet e tokës u gjetën të zhytur në borxhe pasi humbën shumat e futura në këtë sistem mashtrues. Sipas burimeve, organizatorët e përdornin pikërisht besimin e komunitetit të ngushtë në zonën e Divjakës për të përhapur më tej rrjetin, duke i bindur fermerët të sillnin familjarë dhe fqinjë të tjerë në sistem. Kjo solli një efekt zinxhir, që dëmtoi një numër të madh familjesh.
Denoncimet e deputetit Erion Braçe
Deputeti i zonës, Erion Braçe, ka ngritur në mënyrë të vazhdueshme alarmin për këtë fenomen, duke e denoncuar publikisht në Kuvend dhe në media. Ai ka akuzuar prej kohësh se skemat piramidale online po dëmtonin rëndë banorët e Divjakës dhe kishte kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të institucioneve ligjzbatuese.
Pas operacionit “XUEX”, Braçe e ka cilësuar këtë si një hap të domosdoshëm, por njëkohësisht ka theksuar se hetimet duhet të thellohen për të nxjerrë para drejtësisë jo vetëm rekrutuesit lokalë, por edhe organizatorët kryesorë që qëndrojnë pas skemës.
Apeli i Policisë
Policia e Fierit u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar ndaj ofertave të investimeve që premtojnë fitime të menjëhershme dhe kërkojnë rekrutim të personave të tjerë, duke theksuar se këto janë skema tipike mashtruese. Hetimet vijojnë për identifikimin e plotë të rrjetit dhe për ndjekjen penale të personave të tjerë të përfshirë.
Konferencë e përbashkët për shtyp mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Fierit për goditjen e skemave piramidale online.
Drejtuesi i Policisë së Qarkut Fier z.Skënder Hitaj gjatë konferencës tha se “Ky operacion u zhvillua në shkallë të gjerë, me kontrolle personash dhe banesash në disa qytete dhe u finalizua me arrestimin e 6 shtetasve dhe shpalljen në kërkim të 2 të tjerëve. Fillimisht po ja kaloj fjalën Drejtoreshë Ervinës dhe më pas do bëj me dije rezultatet e finalizmit të operacionit.
Nga ana e strukturave të specializuara të Polcisië së Shtetit, nisur nga shqetësimet e ngritura nga qytetarët për mashtrime online me pretendimin e investimeve duke përfituar, por në të vërtetë ishin skema piramidale duke mashtuar qytetarët dhe përfituar paratë e tyre të investuara në këto skema piramidale, menjëherë filloi puna për investigimin, sigurimin e informacionit dhe goditjen e tyre, krahas kësaj nga Policia e Shtetit u njoftuan qytetarët që të mos kryenin asnjë veprim në të tilla skema pridamidale.
Në vijim të punës voluminoze, hetimore dhe profesionale, nga strukturat e Policisë së Shtetit u bë finalizimi i operacionit policor të koduar “XUEX”,, operacion i cili u zhvillua nga Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier.
Ky operacion është rezultat i një hetimi disa mujor i mbështetur mbi informacione të verifikuara dhe punë të specializuar hetimore, që synonte goditjen e një skeme të dyshuar mashtruese piramidale, e cila funksiononte online përmes formave moderne të mashtrimit financiar dhe përdorimit të kriptomonedhave. Operacioni u shtri në qytetet Fier, Tiranë, Dibër, Berat dhe Gramsh dhe u ushtruan gjithsej 83 kontrolle persoansh dhe banesash.
Hetimi ka dokumentuar aktivitetin e një rrjeti individësh që vepronin si agjentë kryesorë, duke promovuar platforma të rreme investimi nëpërmjet të cilave qytetarëve u premtohej fitim i shpejtë dhe i sigurt. Këta individë, të pozicionuar në nivelet e para të zinxhirit të skemës, kishin rol kyç në rekrutimin e pjesëmarrësve të rinj dhe në orientimin e tyre përmes grupeve të mbyllura në aplikacione si Telegram. Aty ata udhëzoheshin se si të investonin në kriptomonedha si USDT dhe TRON me idenë se përmes këtyre investimeve do të shumëfishonin fitimet e tyre.
Përdorimi i kriptomonedhave në këtë skemë nuk ishte rastësor – përkundrazi, ato u zgjodhën pikërisht për vështirësinë që ofrojnë në gjurmim dhe për perceptimin e gabuar që kanë tek shumë qytetarë si mjete “moderne” dhe të sigurta për investim.
Falë përdorimit të teknologjive të avancuara të analizës së zinxhirit të bllokut (blockchain) dhe metodave speciale hetimore, u bë e mundur identifikimi i disa prej aktorëve kyç që operonin në terren, të cilët kanë shërbyer si hallka lidhëse mes qytetarëve dhe organizatorëve të skemës. Organizatorët e vërtetë të kësaj skeme vijojnë të jenë objekt hetimi, dhe Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqesor Fier, po ndjek të gjitha gjurmët për të zbardhur tërësisht strukturën e këtij rrjeti dhe për të vendosur para drejtësisë të gjithë personat përgjegjës.
Ky rast duhet të shërbejë si një thirrje e fortë për ndërgjegjësimin e qytetarëve: mos besoni në “investime të sigurta” që premtojnë fitim të menjëhershëm. Mos lejoni që emocionet, dëshira për përfitim të shpejtë apo presioni nga persona të njohur t’ju shtyjë të bëheni pjesë e strukturave të tilla. Ato nuk janë mundësi investimi – janë mashtrime të strukturuara, të sofistikuara dhe të rrezikshme, ku në fund gjithmonë humbin më të pambrojturit.
Policia e Shtetit do të vazhdojë punën me përkushtim për të goditur çdo formë të krimit kibernetik dhe ekonomik, dhe njëkohësisht fton qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe të denoncojnë çdo rast të dyshuar përmes strukturave tona ose platformave zyrtare të komunikimit. Faleminderit dhe tani Drejtori i qarkut do bëjë me dije rezultate e operacionit në qarkun Fier.
Sic bëra me dije në fillim të konferencës, për finalizimin e operacionit te koduar “XUEX”, u angazhuan të gjitha strukturat hetimore dhe operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ku në zbatim të vendimit të Gjykatës Fier, u ushtruan 83 kontrolle personash, banesash dhe subjektesh lidhur me një skemë të dyshuar investimesh piramidale, nëpërmjet platformave online.
Gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit: A. Ç., 38 vjeç, E. T., 21 vjeç, F. M., 23 vjeç, të tre banues në Lushnjë, M. K. 28 vjeç, banues në Tiranë, B. T., 38 vjeçe dhe B.N., 38 vjeçe, të dyja banuese në Divjakë, të dyshuar për veprat penale “Skemat mashtruese piramidale” dhe “Mashtrim Kompjuterik”.
Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit E. Sh., 35 vjeç dhe A. Sh. 29 vjeçe, të dy banues në Divjakë, të dyshuar për veprat penale “Skemat mashtruese piramidale” dhe “Mashtrim Kompjuterik”.
Nga hetimet rezulton se këta shtetas kanë vepruar si agjentë kyç të kësaj skeme mashtruese.
Skema funksiononte mbi modelin klasik piramidal: qytetarët që investonin, udhëzoheshin të sillnin të paktën 5 persona të tjerë në system, për të rritur përfitimet e tyre. Sa më shumë persona të sillje dhe sa me e madhe vlera e investuar, aq më shumë të ardhura të premtuara. Por në të vërtetë, këto nuk ishin investime reale, por një mekanizëm i mirëorganizuar për të përfituar fonde përmes mashtrimit, ku vetëm nivelet më të larta fitonin, ndërsa shumica sidomos pjesa fundore e piramidës humbnin kursimet e tyre.
Po gjatë operacionit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
50 aparate celularë,
11 njësi kompjuterike,
1 DVR, 2 hardisk,
1 automjet,
4.2 milion lekë, 28 mijë euro, 1750 dollarë dhe 340 franga.
Gjithashtu, u ngrinë gjashtë llogari të kriptomonedhave, që dyshohet se janë përdorur për të kanalizuar të ardhurat nga aktiviteti kriminal.
Duke përfituar nga rasti dua të siguroj qytetarët e qarkut Fier se strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier janë të angazhuara maksimalisht për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive dhe për garantimin e sigurisë së nxënësve në shkolla.
Në këtë kuadër ftoj të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë akoma më shumë me Policinë dhe të denoncojnë çdo paligjshmëri në numrin 112 duke ju garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e professional nga ana e strukturave të policisë.


Lexo më shumë