“Taksë për çdo panel diellor” – Çekrezi: Të ndalohet futja e produkteve të pacertifikuara, duhet menduar për të ardhmen
“Zhvillimi i shpjetë i energjisë fotovoltaike në vendin tonë duhet të shoqërohet edhe me mekanizma kontrolli, në mënyrë që këto investime të jenë afatgjata, si dhe të sigurohet financimi për riciklimin e paneleve në të ardhmen”. Eksperti i energjive të rinovueshme dhe një nga aktorët më të hershëm të tregut, Elton Çekrezi thotë se në Shqipëri nuk duhet të lejohet futja e produkteve që nuk janë të certifikuara.
“Të jemi të vëmëndshëm dhe të përqëndruar që të kemi disa kontrolle dhe të kemi disa rigorozitete, duke filluar që nga doganat. Në qoftë se s’arrihen te doganat kontrollet e shtuara, që produktet që futen në Shqipëri duhet të jenë minimalisht produkte të tregut të certifikuar evropian dhe kjo do na mundësojë, do të na lehtësojë dhe do të na sigurojë që investimet të jenë afatgjata dhe të sigurta për të ardhmen e fëmijëve tanë”, – thotë Çekrezi.
Po ashtu, sipas tij është e domosdoshme që të vendoset një taksë për çdo panel fotovoltaik, në funksion të riciklimit të këtyre produkteve.

“Vendet evropiane, Italia apo shtete të tjera, që në doganë vjelin një taksë “X” për çdo produkt, për çdo panel fotovoltaik, të cilën e çon në një shportë, ku nesër do subvencionojë apo do mbështesë ato kompani që do riciklojnë këto produkte pas jetës së tyre dhe kjo është një gjë që duhet ta bëjmë jo vetëm te fotovoltaikët, por edhe te bateritë dhe te makinat. E them në disfavor si sipërmarrës, por e them në favor të qytetraëve dhe të fëmijëve tanë”, – thotë ai.
Teksa i referohet shembujve nga vendet evropiane, Çekrezi thotë se masa e taksimit është tejet e ulët, në raport me vlerën e investimit.
“Po ta flasim në terma përqindjeje të investimit, flasim poshtë 1%, flasim poshtë 0.5% që nuk është aq e rëndësishme, por shteti këtë gjë duhet ta vjelë, ta vendosë në arkën e tij, me synimin që të përdoret për riciklimin e këtyre produkteve në fundin e viteve të tyre”, – bën me dije eksperti.
Këto masa, sipas Çekrezit do të sigurojnë që në të ardhmen, centralet diellore të mos jenë një masë e madhe grumbujsh mbeturinash dhe shkatërrime mjedisore. Aktualisht, pesha e energjisë diellore në sistem është rritur me dhjetëra impiante të futur në gjenerim, duke bërë që 6% e prodhimit total të vijë nga ky burim energjie.
Marrë nga SCANTV