Avokatët shqiptarë vijojnë të shprehin kundërshtitë e tyre ndaj draftit të Kodit Penal. Ky qëndrim është përkrahur edhe nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, në mbledhjen e mbajtur të premten. Ata kanë dakordësuar materialin për të kundërshtuar propozimin e ri të draft Kodit, i cili, sipas juristëve, ka probleme si në pjesën e përgjithshme ashtu edhe në atë të posaçme të tij, si dhe në pjesën teoriko-akademike.
Një pikë tjetër e mbledhjes ka qenë hapja e garës për drejtuesit e dhomave në rang vendi, proces i cili do të nisë me Dhomën e Avokatisë së Shqipërisë në Korçë.
Të premten u zhvillua mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, drejtuar nga Kryetari i saj, Prof. Dr. Maksim Haxhia. Në këtë takim, dy ishin temat parësore:
- Analiza e problematikave teorike dhe praktike të evidentuara në projekt Kodin Penal. Materiali i përgatitur u prezantua nga Kryetari i Dhomës, Prof. Dr. Maksim Haxhia. Pas diskutimeve dhe sugjerimeve, u vendos miratimi i materialit përfundimtar, i cili do të jetë në qendër të diskutimeve të takimit të 20 tetorit me grupin e punës së projekt Kodit Penal.
- Në materialin përfundimtar të miratuar, u evidentuan probleme si për pjesën e përgjithshme, ashtu edhe për atë të posaçme të projekt Kodit. Këto probleme ishin jo vetëm në planin e parimeve, kritereve dhe orientimeve tradicionale, por edhe në planin teoriko-akademik dhe praktik.
Gjithashtu, Këshilli vendosi hapjen e procesit të zgjedhjeve, si dhe kalendarin e zhvillimit të zgjedhjeve, si në dhomat vendore, ashtu edhe në organet drejtuese të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë.
Lexo më shumë