Pas marrëveshjes së bashkëpunimit firmosur kohë më parë, këtë herë drejtuesi i SPAK, z. Altin Dumani, ka bërë një vizitë pune në Prishtinë. WebLajm mëson se pjesë e takimit ka qenë edhe intensifikimi me rezultate konkrete i hetimeve dhe skuadrave të përbashkëta Shqipëri-Kosovë.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, z. Blerim Isufaj, priti të mërkurën në një takim pune drejtuesin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Altin Dumani.

Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e sundimit të ligjit, shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e koordinimit në hetimet e përbashkëta.
Z. Dumani ritheksoi përkushtimin e SPAK-ut për të mbështetur Prokurorinë Speciale në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ndërsa, z. Isufaj shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke theksuar se Prokuroria Speciale mbetet një shtyllë e fortë dhe e palëkundur e sistemit të drejtësisë në vend.