Ndërsa Edi Rama robotin e bëri ministre, në Durrës atë e kanë bërë kamariere. Në pasticeri Cialda, klientët nuk shërbehen nga kamarierë njerëz, por nga Melisa, një robot i importuar nga Kina.
“Melisa lëviz mes tavolinave, duke shërbyer dhe sjellë buzëqeshje. Flet shqip, është e sjellshme dhe ka marrë menjëherë vëmendjen e klientëve, sidomos të fëmijëve. Që nga fundi i korrikut, kur Melisa u shfaq për herë të parë, biznesi është rritur ndjeshëm: numri i klientëve është rritur me 30-40%. Familjet, turistët dhe spektatorët kuriozë dynden në kafene vetëm për ta parë atë në veprim,” raporton agjencia italiane e lajmeve La Presse.
Eriona Sopi sipërmarrësja që solli këtë risi në shërbim rrëfen se gjithçka nisi nga dëshira për të sjellë diçka ndryshe dhe moderne në shërbim të klientëve.
“Porosia është bërë në Kinë, është dashur një vit për ta sjellë këtu. Ky robot është ndihmës i kamarierëve në transportimin e produkteve dhe në ndihmesën e tyre. Absolutisht jo për eliminimin e fuqisë punëtore, vetëm për të ndihmuar. E kanë pritur shumë mirë, është shumë gjë e bukur. Zëvendësim nuk besoj, ndihmës po, ndoshta reduktim, mendoj”, tha Eriona Sopi, sipërmarrëse.
Melisa tërheq vëmendjen e klientëve që ndjekin çdo lëvizje të saj, ndërsa për stafin mund të quhet pa frik një kolege e mirë që ju vjen në ndihmë.
“Nuk është se ndihemi shumë në presion, por janë ndihmë plus për stafin. Nuk besoj që do të zëvendësojë punëtorët, thjesht do ta kemi si ndihmë”, shtoi menaxherja.
Në një kohë kur teknologjia po futet gjithnjë e më shumë në jetën e përditshme, Melisa është një shembull i vogël, por domethënës, se si risi të tilla mund të përmirësojnë shërbimin, pa e zëvendësuar njeriun, por duke e ndihmuar atë.

Marrë nga Kapitali