Edhe pse çështja e pronësisë në Shqipëri mbetet ende një temë e rëndësishme, qytetarët shpesh përballen me zvarritje në proceset gjyqësore apo dyert e administratës. Megjithatë, duket se as vetë shteti nuk i ka pronat e tij plotësisht në rregull. Një shkresë e siguruar nga WebLajm.com tregon se Presidenca, Qeveria, Prokuroritë, Gjykatat dhe institucione të tjera të rëndësishme nuk disponojnë një inventar të saktë dhe të përditësuar të pronave që administrojnë në të gjithë vendin. Për këtë arsye, Agjencia Shtetërore e Kadastrës kërkon që shteti të vihet menjëherë në lëvizje për të inventarizuar pronat e veta.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës nis procesin e përditësimit të pronave shtetërore
Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK), përmes Drejtorisë së Pronave Shtetërore, ka nisur procesin e inventarizimit dhe përditësimit të pronave të paluajtshme shtetërore që administrohen apo përdoren nga institucionet e pavarura të Republikës së Shqipërisë. Ky veprim ndërmerret në zbatim të ligjit nr. 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, si dhe të vendimit nr. 28, datë 27 janar 2023, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave të hollësishme të përditësimit të listave të pronave shtetërore dhe rregullave për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve”. Synimi kryesor i këtij procesi është përditësimi, harmonizimi dhe pasqyrimi i saktë i të dhënave në regjistrat kadastralë, me qëllim rritjen e transparencës dhe përmirësimin e administrimit të pasurisë publike.
Në këtë kuadër, ASHK u është drejtuar me kërkesë për bashkëpunim institucioneve të mëposhtme:
- Institucionit të Presidentit të Republikës
- Kuvendit të Shqipërisë
- Agjencisë së Sigurimit të Depozitave
- Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP)
- Autoritetit të Konkurrencës
- Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF)
- Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA)
- Autoritetit për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit
- Avokatit të Popullit
- Bankës së Shqipërisë
- Entit Rregullator të Energjisë (ERE)
- Entit Rregullator të Ujit
- Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI)
- Institutit të Statistikave (INSTAT)
- Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri
- Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil
- Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi
- Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale
- Komisionit të Prokurimit Publik
- Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ)
- Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH)
- Radio Televizionit Shqiptar (RTSH)
- Prokurorisë së Përgjithshme
- Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ)
- Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP)
- Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD)
- Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK)
ASHK kërkon që çdo institucion të verifikojë statusin ligjor të pasurive që administrohen apo përdoren prej tij, të përditësojë të dhënat në përputhje me dokumentacionin ligjor dhe të përcjellë informacionin përmbledhës dhe dokumentet mbështetëse pranë Drejtorisë së Pronave Shtetërore. Procesi synon të garantojë një regjistër të përditësuar të pasurive shtetërore dhe një administrim më efikas të pronës publike në rang kombëtar.