Përplasje e ashpër mes Valon Ademit dhe Behgjet Pacollit për kontrollin e Aeroportit të Vlorës, gjykata i “ngrin” votën Pacollit.
Një përplasje e fortë juridike dhe publike ka nisur prej dy javësh mes biznesmenit Valon Ademi dhe Behgjet Pacollit për kontrollin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Dy biznesmenët akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të marrëveshjeve dhe tentativë për përvetësim të padrejtë të aksioneve në kompaninë “Vlora International Airport – VIA” SH.P.K., që po ndërton aeroportin strategjik në jug të vendit.
Sipas Valon Ademit, kompania e tij “2A Group” është lënë jashtë vendimmarrjes, ndonëse ka kontribuar me investime të mëdha në projekt. Ai e ka akuzuar publikisht Pacollin dhe kompaninë e tij “Mabco Construction SA” për “mashtrim dhe manipulim të të drejtave të ortakëve”, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për të garantuar transparencë dhe respektim të kontratave të nënshkruara.
Në anën tjetër, Behgjet Pacolli dhe përfaqësuesit e “Mabco Construction SA”, që zotëron shumicën dërrmuese të aksioneve të “VIA”-s, kanë mohuar akuzat, duke deklaruar se çdo veprim është kryer në përputhje me ligjin dhe me marrëveshjet e regjistruara në qendrat përkatëse. Megjithatë, tensionet janë përshkallëzuar pasi çështja ka mbërritur në Gjykatën e Tiranës dhe është përfshirë në verifikime nga autoritetet shqiptare.
Vendimi i fundit i gjykatës ka vënë në pikëpyetje pozitat e kompanisë së Pacollit, e cila përkohësisht ka humbur të drejtën e votës në mbledhjen e Asamblesë së Ortakëve të aeroportit të Vlorës. Ky zhvillim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në ecurinë e projektit dhe në marrëdhëniet mes ortakëve, që tashmë janë në një krizë të hapur biznesi dhe besimi.
WebLajm.com ka siguruar vendimin e gjykatës së Tiranës që i heq të drejtën e votës kompanisë së Pacollit:
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë,
ka vendosur:
1- Pranimin e kërkesës, lidhur me marrjen e masës së sigurimit të padisë, duke pezulluar marrjen e çdo vendimi në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Ortakëve të shoqërisë “Vlora International Airport – VIA” SH.P.K., të njoftuar për t’u mbajtur më datën 20.10.2025, sipas atij rendi dite, deri në vendimin përfundimtar të gjykatës, si dhe pezullimin e të drejtës së votës të ortakut të shumicës, Shoqërisë “Mabco Construction SA” deri në regjistrimin e kontratës së shitjes së kuotave të datës 03.04.2025.

Prej 2 shtator 2025 pas largimit të administratorit Valon Luka kjo kompani tregtare drejtohet nga Mentor Hajdaraj i cili ka një mandat deri më 1 shtator 2030.
Nga ana tjetër nën drejtimin e prokurorit Ndini Tavani akuza e kryeqytetit ka nisur një hetim penal për këtë konflikt, me dyshimin e falsifikimeve dhe mashtrimeve në kompani.













































































































Comments 1