Familjet në nevojë të cilat nuk munden të paguajnë energjinë elektrike, nuk do të jenë më në errësirë. Fatura e tyre me një konsum të limituar do të përballohet nga OSHEE operatori shpërndarjes së energjisë elektrike. E ndihmuar nga Fondacioni “Qatar Charity OSHEE do të financohet për të përballuar këto shpenzime konsumi për 1610 familje në nevojë.
“Dritë në Shtëpi” ~ një nismë solidariteti që ndriçon jetën e 1610 familjeve shqiptare!
FSHU Sh.a, pjesë e OSHEE Group dhe Fondacioni “Qatar Charity” në kuadër të projektit social “Dritë në Shtëpi” finalizuan marrëveshjen e bashkëpunimit për mbështetjen financiare të 1,600 fëmijëve dhe familjeve në nevojë, përmes mbulimit të pagesave të faturave të energjisë elektrike.
Ky bashkëpunim synon të lehtësojë barrën ekonomike të familjeve më në nevojë në të gjithë vendin.
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes morën pjesë Administratori i OSHEE Group, z. Enea Karakaçi, Ambasadori i Shtetit të Katarit në Shqipëri, z. Jabor Bin Ali Al Dosari, si dhe përfaqësues të lartë të “Qatar Charity”, të cilët vlerësuan vizionin social të OSHEE Group dhe partneritetin e frytshëm me Shtetin e Katarit, që pritet të zgjerohet edhe në nisma të tjera solidariteti në të ardhmen.
Marrëveshja u firmos nga Administratori i FSHU Sh.a, z. Algert Luzi dhe Drejtori Ekzekutiv i Zyrës së “Qatar Charity” në Shqipëri, z. Ahmad Yousef Fakhroo duke zyrtarizuar angazhimin e përbashkët për të qenë më pranë komuniteteve në nevojë dhe për të kontribuar në përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre.














































































































