Lulzim Basha paraqitet në SPAK për hetimet e dosjes “21 Janari”
Ish-ministri i Brendshëm në qeverinë e Sali Berishës, Lulzim Basha, është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), pas fletëthirrjes së marrë në kuadër të hetimeve për ngjarjen e 21 janarit 2011. Mësohet se Basha është paraqitur pa praninë e një avokati dhe do pyetet në cilësinë e personit që ka dijeni mbi rrethanat e veprës penale.
Sipas burimeve nga SPAK, thirrja e Bashës lidhet me zgjerimin e hetimeve që SPAK po kryen për të zbardhur të gjitha përgjegjësitë institucionale dhe zinxhirin komandues në lidhje me përdorimin e armëve nga Garda e Republikës në protestën e 21 janarit. Ky hetimn aktualisht ndiqet nga Prokurori Alfred Shehu.
Çfarë ndodhi më 21 janar 2011
Më 21 janar 2011, mijëra qytetarë dhe mbështetës të opozitës së asaj kohe, Partisë Socialiste, protestuan përpara Kryeministrisë kundër qeverisë së Sali Berishës, pas publikimit të një video-skandali që përfshinte ish-zëvendëskryeministrin Ilir Meta.
Protesta përfundoi me përplasje të dhunshme midis protestuesve dhe forcave të Gardës së Republikës, ku katër qytetarë humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.
Ngjarja u konsiderua si një nga episodet më të rënda politike pas vitit 1997 dhe vazhdon të mbetet një dosje e hapur për drejtësinë shqiptare.
Në atë kohë, Lulzim Basha mbante detyrën e Ministrit të Brendshëm, ndërsa Garda e Republikës ishte strukturë në varësi të këtij institucioni. Hetimet për “21 Janarin” janë riaktivizuar pas vendimit të SPAK për të rihapur dosjen dhe për të shqyrtuar prova të reja që mund të ndihmojnë në identifikimin e përgjegjësive të autoriteteve të kohës.
Pas humbjes në zgjedhjet e 11 Maj, Basha mungonte në jetën publike dhe mediatike në vend. Ndërsa me praninë e tij sot në SPAK ai është rishfaqur.












































































































