Zyrtarisht është mbyllur afati i kandidimit për postin e Avokatit të Popullit. Ndërsa Mazhoranca ka deklaruar se nuk ka asnjë emër për këtë post, opozita ka këmbëngulur për emrin e të përndjekurit politik Besim Ndregjoni.
WebLajm.com mëson se Mazhoranca, në mungesë të një preferencë, ka vendosur kushtin që votat e saj t’i japë për një emër që s’vjen nga radhët e politikës, por nga shoqëria civile.
Këto janë garuesit që aktualisht kanë plotësuar fazën e parë të aplikimit, ndërsa mbeten në pritje të ftesës nga komisionet parlamentare për të shpalosur platformat e tyre:
- Adriana Kalaja, 2. Aranita Brahaj, 3. Anton Koster, 4. Anton Lleshaj, 5. Besim Ndregjoni, 6. Dardan Mustafaj, 7. Endri Papajorgji, 8. Endrit Shabani, 9. Fatjona Male, 10. Genta Tafa, 11. Gerti Shella, 12. Ismail Tafani, 13. Jola Hysaj, 14. Juliana Hoxha, 15. Laureta Roshi, 16. Lulzim Hamitaj, 17. Myrteza Myftari, 18. Saimir Vishaj, 19. Shkëlqim Sulo, 20. Suela Koçibellinj, 21. Tartar Bazaj, 22. Valentina Teodoresku, 23. Skënder Haluci.
Në këtë listë nuk mungojnë ish-krerët e partive, si z. Endri Shabani, i cili ka dhënë dorëheqjen nga nisma “Thurje” deri tek juristë-avokatë, apo ish-kryetarë gjykatash, si z. Skënder Haluci.

Ndërsa ndër emrat e garuuesve nga Shoqëria Civile, spikat Aranita Brahaj. Me një karrierë të gjatë mbi një dekadë në aktivizim me shoqëritë civile, dhe në drejtimin e organizatës me impact në transparencën dhe llogaridhënien e përdorimit të parave publike.
AIS është organizata e krijuar 14 vite më parë nga Brahaj, e cila, me platformën Open Spending Albania, Open Procurement Albania dhe Open Corporates Albania, ofron akses të hapur në të dhëna mbi shpenzimet, kontraktimet dhe subjektet publike. Ky akses i shërben qytetarëve për marrjen e informacionit, medias dhe shpeshherë edhe vetë institucioneve, si dhe strukturave të drejtësisë.
Një tjetër emër është ai i Saimir Vishaj, prej më shumë se 3 dekadash pjesë e avokatisë shqiptare dhe themelues e ish-drejtues i Shoqatës së Avokatëve Penalistë. Vishaj, shpesh me studion e tij, ka qenë mbrojtës i të drejtave të njeriut dhe ofrues i shërbimit falas të avokatisë për personat me mundësi ekonomike të kufizuara.
Në këtë listë nuk mungojnë as ish-anëtarë të Vettingut, të cilët pas përfundimit të këtij procesi po rekrutohen në administratën publike, jetën politike dhe në institucionet e drejtësisë. Një emër i tillë është kandidati Lulzim Hamitaj, ish-anëtar i Vettingut.
E njohur për aktivizmin e saj në kauza si teatri, apo edhe në mbrojtje të katërputrakëve, është edhe juristja Adriana Kalaja. Deri pak ditë më parë, ajo ka mbajtur edhe postin e Kryetares së Gjykatës së Apelit në PD, tashmë ka dhënë dorëheqjen dhe kërkon të votohet për Avokate të Popullit.














































































































