Mbajtja në burg prej 10 muajsh, ndërsa ndodhet ende në detyrë, ka sjellë zhvillime të reja për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Këtë të enjte, ai është vizituar nga një delegacion i Avokatit të Popullit.
Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, së bashku me dy komisionerët, Ahmet Prenci dhe Besnik Dedja, vizituan Erion Veliajn në ambientet e IEVP-së në Durrës, për t’u njohur me kushtet e mbajtjes së tij në qeli, por mbi të gjitha me trajtimin kontrovers që i është bërë gjatë qëndrimit në spital.
Sipas burimeve, Veliaj është shoqëruar nën masa të rrepta sigurie me rreth 30 forca policie, ndërsa, në mënyrë të pazakontë, prezenca e forcave të sigurisë është lejuar edhe brenda sallës së ndërhyrjes mjekësore.
Trajtimi në paraburgim në kushte të rënda, si edhe kufizimi ekstrem i vizitave dhe kontakteve me avokatët e familjen, ishin pjesë e çështjeve që komisionerët e Avokatit të Popullit trajtuan gjatë vizitës.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë kryebashkiakut Veliaj për të qëndruar në detyrë dhe për të rimarrë drejtimin e Bashkisë së Tiranës, duke e cilësuar të parregullt shkarkimin e tij nga Këshilli Bashkiak dhe Këshilli i Ministrave — një shuplakë e fortë për ata që mendonin se epoka e kryebashkiakut Veliaj kishte përfunduar.













































































































