Të shkruaj a mos të shkruaj për koncertin e Elvanës!? Ishte kjo një bluarje e gjatë që ndaloi si me magji në momentin kur lexova sot postimin e saj, ku me atë batutën e mencur dhe emocionin e sinqertë falenderonte ekipin e saj në këtë projekt që e ka quajtur: ëndrrën që bëri realitet.
Më preku e më shkundi nga ajo bluarja ime e stërgjatur për t’u ulur më në fund e për të shkruajtur pa asnjë hezimit për atë vajzë që e kam dashur gjithmonë, e që e kam parashikuar në shkrime si uraganin e frikshëm të tregun tonë muzikor. Dhe atë natë ajo e tregoi këtë fuqi “shkatërruese” më shumë se kurrë më parë, (meritë kjo edhe e bashkëudhëtarit të saj Andit) me qenien e saj, me zërin e saj, (guxuai të këndojë live edhe duke kërcyer krejt pa dert) e me performancat e saj shumëstilëshe, shumëngjyrëshe e shumëndjellëse.
Ishte vetë ajo që ta kënaqte e qetësonte syrin e të ndillte prap në këndim e kërcim, edhe kur ca detaje rreth saj dukej sikur ta prishnin ritmin. Ishin pikërisht këto të pakta detaje që më ingranuan motorrët e asaj bluarjes në tru: të shkruaj a mos të shkruaj… deri në ato momente kur gëzimi që ndjeva në falenderimet e saj, (që ishin po aq të përzemërta sa dhe ajo që bëri në skenë për gjithë kompozitorët dhe autorët e këngëvë të saj ndër vite), më nguliti një mendim fiks: E punë e madhe për ato vogëlsirat, detajet, pushimet ndër pjesët e spektaklit që i çuditën e gati edhe i lodhën një pjëse të mirë të njerëzve; e punë e madhe për ato ulje- ngritjet e dinamikës së koncertit, disa herë si të pamenduara mirë (sepse sapo njerëzit kurdiseshin të kërcenin, pikërisht aty kalohej në një këngë të qetë ose në një pushim të gjatë), e punë e madhe edhe për ato pak problemet e vogla teknike që ndodhin dreqi e mori edhe pasi ke bërë 1001 prova e që më shumë se kujtdo ja dridhin tokën nën këmbë njerëzve në prapaskenë, atyre që kanë punuar aq shumë që asgjë e keqe të mos ndodhin.
Pavarsisht të gjithave, Elvana shkëlqeu, e mbizotëroi atë skenë gjigande, i mbajti njerëzit me kuriozitet deri në fund.
Elvana e shijoi koncertin e saj. E çfarë është më e rëndësishmja, pavarsisht të gjithave, të gjithë e shijuan koncertin e saj. Faleminderit ty Elvana! 🙏😍 E bëre fora!
Nga Zefina Hasani