Teksa Shqipëria ende nuk ka përfunduar procesin zgjedhor të 11 majit 2025, vendi pritet të rikthehet sërish në zgjedhje. Edhe pse nuk ka ende një datë zyrtare, burime për Weblajm.com bëjnë me dije se zgjedhjet e pjesshme lokale mund të mbahen brenda 90 ditëve, pas dorëheqjes së tre kryebashkiakëve aktualë, të cilët garuan dhe u zgjodhën deputetë në zgjedhjet parlamentare të fundit.
Shqipëria po përgatitet për një tjetër raund zgjedhor, pasi tre drejtues të njësive vendore kanë fituar mandate parlamentare dhe janë larguar nga detyra e tyre në pushtetin vendor.
Bëhet fjalë për:
- Ervin Demo, kryetar i Bashkisë Berat, i zgjedhur deputet në qarkun e Beratit;
- Agron Malaj, kryetar i Bashkisë Burrel (Mat), tashmë deputet i zgjedhur në qarkun Dibër;
- Termet Peçi, kryetar i Bashkisë Tepelenë, që ka siguruar mandatin e deputetit në qarkun Gjirokastër.
Të tre kandidatët kanë marrë mbështetje të gjerë elektorale në zonat e tyre përkatëse dhe janë zgjedhur deputetë me një numër të konsiderueshëm votash. Për rrjedhojë, sipas Kushtetutës së Shqipërisë dhe ligjit për vetëqeverisjen vendore, ata janë detyruar të heqin dorë nga posti i kryebashkiakut, për shkak të papajtueshmërisë ligjore mes dy funksioneve publike.

Dorëheqjet janë depozituar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili tashmë pritet të shpallë datën për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme lokale në Bashkinë e Beratit, Burrelit dhe Tepelenës.
Ky zhvillim pritet të sjellë një tjetër përballje mes forcave politike në vend, teksa dinamika elektorale mbetet e lartë dhe e ngarkuar edhe pas zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit ku mazhoranca ka shkaur në 83 mandate deputetësh dhe opzoita në 50.
Në këto zgjedhje të pjesshme pritet të garojnë me kandidatë edhe partitë e reja të cilat u futën në parlament si Mundësia, Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë.
Lexo më shumë
👇