Shqiptarët e larguar në Itali – Arbëreshët dhe prania e tyre në Kalabri. Një histori e cila sot në shqipërinë e përditshme flitet dhe dëgjohet pak, ndërsa media ka një hapësirë që thuajse nuk ekziston për ta.
Nga rrënjët e thella të malësisë shqiptare deri te fshatrat e diellit në Kalabri, gjaku arbëror ka udhëtuar nëpër shekuj, pa e harruar kurrë gjuhën, zakonet dhe shpirtin që e bën atë një ndër historitë më të gjalla europiane.
Arbëreshët si shtetas italianë, por me rrënjë shqiptare dhe me simbolin e tyre të Skënderbeut, janë pjesë e BE-së. Kudo ku ato jetonin në Kalabri, kishin tre flamuj: atë kuq e zi, të Italisë dhe flamurin e BE-së.
Ftesës për të ndjekur një rrugëtim në fshatrat e Arbëreshëve në Kalabri i thashë PO, pa e ditur se në këtë udhëtim që zgjati më pak se 60 minuta nga Tirana në Lamezia, do të ndjeja aromën e gjakut kuq e zi në një tokë Italiane.
Ky është rrugëtimi i gjakut – një histori që nuk ishte prekur nga unë në rrënjët e një peme shqiptaro–italiane, siç është edhe familja ime prej më shumë se dy dekadash.
Njihej përciptas me të dëgjuar dhe lexuar (jo shumë), por tashmë disa prej tyre i njoha me emra e mbiemra, i takova, e deri te fqinjët dhe Arbëreshët që prej më shumë se 30 vitesh kishin jetuar me Jeronim De Radën apo deri tek shkolla që mbante emrin “Ernest Koliqi”.
Në çdo takim që zgjati jo më shumë se 30–60 minuta me komunitetin Arbëresh nga Andali, San Cosmo Albanese, San Demetrio Corone, Macchia Albanese, Castroregio, Frascineto, Plataci, Cerzeto, fjala e fundit e Arbëreshëve ishte: “Mos na harroni, shtëpia jonë është shtëpia juaj.”
Largim i detyruar nga Atdheu për të mbijetuar si Shqiptarë me gjuhë e besim
Në fund të shekullit XV, valët e historisë i përplasën shqiptarët drejt brigjeve italiane. Pas vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe rënies së kështjellave shqiptare në duart e Perandorisë Osmane, shumë familje shqiptare u detyruan të braktisnin mëmëdheun, siç ata e rrëfenin ende sot, në vitin 2025.
Në shumicën e vendbanimeve ata ishin në kodra ose në majat e lartësive e vargmaleve kalabreze. Kjo ishte një zgjedhje e kushtëzuar, rrëfehej prej tyre – një për të qenë më të sigurt dhe për shkak se kur ata zbarkuan atje nga Adriatiku, shumica e fushave kalabreze ishin toka nën pushtetin e ujit, moçalishtet të pabanueshme.
Miqësia e Skënderbeut me Ferrante d’Aragona (don Ferdinando)
Rrugëtimi dhe ekzistenca Arbëreshe sot, apo shqiptarët e pesë shekujve më parë të pandikuar nga asnjë pushtues, janë falë një miqësie mes dy udhëheqësve të asokohe.
Po aq edhe të një diplomacie, e cila në vitin 1460 me një forcë prej 4000 ushtarësh e dërgoi Skënderbeun te mbreti Ferdinand i Napolit, pasi ekzistenca e tij politike dhe ushtarake rrezikohej të mposhtej nga Dinastia Anzhuine.
E për këto 24 muaj, sot shqiptarët “BIO” – ata origjinalët, ata të Kastriotëve, por jo vetëm – thuajse çdo krahinë u mikprit pas vdekjes së Skënderbeut në Perandorinë e Ferdinandit, si mirënjohje e kthim i një nderi të bërë dikur nga shqiptarët. Pra, Arbëreshët sot jetojnë përtej pesë shekujve falë një sakrifice 24 mujore.
Mijëra prej tyre mbërritën në Italinë e Jugut – më së shumti në Kalabri, Sicili e Basilicata – dhe u njohën si Arbëreshë.
Në Kalabri, shqiptarët ndërtuan fshatra të tëra, duke u dhënë emra që ruanin kujtesën e vendit amë: San Demetrio Corone, Frascineto, Civita, Spezzano Albanese, Andali, Marcedusa, Mongrassano, San Benedetto Ullano, Santa Caterina Albanese, Frascineto, Pllati, Qanë, e shumë të tjera.
Ata nuk ishin vetëm refugjatë; ishin mbartës të një kulture që nuk donin ta humbnin. E këtë të drejtë ja u njohu toka mikpritëse, pasi kjo ishte një ndër kërkesat e Gjergj Kastriotit ndaj mikut të tij, Ferdinandi i Napolit.
Por si e kishin ruajtur ata Arbërinë ose siç me emocion e përshkruanin “Kalanë e Arbërit” në Itali (Kalabrinë)
Në vizitën e delegacionit të drejtuar nga Presidenti Bajram Begaj, të cilit unë i isha pjesë, e folura arbëreshe, kostumet, këngët, vallet dhe flamuri shqiptar dhe prania e Skënderbeut si në murale, piktura e buste, të bënin të harroje se kishe kaluar Adriatikun apo ishe jashtë Shqipërisë.
Ata s’ishin as 10, as 100, as 1000, por me mijëra. S’kërkonin asgjë! Ishin falënderues për përkëdheljen e krenarisë së të qenit shqiptar dhe që një delegacion shqiptar i vizitonte.
Ata mbushën sheshe e rrugica, varën bezat e traditës në ballkone. Kishin veshur kostumet e tyre tradicionale në një moment që sipas tyre ishte festë. Jo vetëm në nder të pranisë së Presidentit, por së shumti në nder të shqiptarësisë – shtetit amë – që në 72 orë ju dha një mundësi t’u rikujtonte ritet e tyre me një vizitë të tillë. Rite ku flitej shqip në Rajonin e Kalabrisë, Universitetin e Kalabrisë dhe Katedrën Arbëreshe. Ku flitej e këndohej shqip në sheshe e komunat arbëreshe dhe shumë kryetarë komunash apo bashkish ishin ata shqiptarët e pesë shekujve më parë.
Në mbyllje të çdo ceremonie, gjithkush me shpirt e zemër, disa edhe me lot në sy, kërkonin të mos ishte e fundit. “Shtëpia jonë është edhe e juaja”, i drejtoheshin jo vetëm z. Begaj, por kumbonte si një thirrje që ata kërkonin të përcillej në Tiranën zyrtare dhe shqiptarët e sotëm.
Një gjuhë që sfidoi shekujt
Gjuha mësohet ende në disa shkolla, përdoret në kishë dhe në këngët tradicionale. Në festa si “Dita e Shën Gjergjit” apo në ceremonitë martesore, arbëreshët këndojnë, vallëzojnë dhe flasin në gjuhën e stërgjyshërve të tyre. Kjo ishte një dëshmi e jashtëzakonshme e qëndresës kulturore – një trashëgimi që kishte sfiduar asimilimin.
Sot, pas më shumë se pesë shekujsh, në Kalabri dëgjohej ende shqip – jo ajo e Tiranës apo e Prishtinës, por ajo e vjetër, e rrjedhur nga dialekti toskë që flitej në jug të Shqipërisë mesjetare.
Arbërishtja është ruajtur në forma të pastra, me një leksik që shpesh tingëllon si një dritare e hapur drejt kohës së Skënderbeut. Kur i pyesje si e ke mësuar shqipen? Përgjigja ishte: “Në shtëpi, nga mëma.”
Shkolla prej vitesh s’kish qenë e pranishme. Ndërsa urat e komunikimit sot me Fondacionin Arbëresh, me programet zyrtare për komunitetin Arbëresh të miratuara nga Rai, në programet e RaiCalabria, ishin detyrim për mbrojtjen e identitetit të minoriteteve.
Nga Presidenti i Rajonit të Kalabrisë, prefektët e Catanzaros, Crotones e Cosenës, nuk mungoi mikpritja ndaj Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Në këto 3 vite të firmosjes së një pakti me Fondazionin Arbëresh, drejtuar nga Ernesto Madeo – një Arbëresh dhe kryebashkiak lokal atje – ishte arritur jo pak! Vendosja e një fluturimi Tiranë–Kalabri, linjë direkte, të cilën ata e vlerësonin si “krahët fluturues” jo vetëm të ruajtjes së traditave e kulturës, por edhe si portën e mundësive ekonomike të zhvillimit.

Gjithçka ishte diskutuar në vitin 2022 si kërkesë e komunitetit në praninë e parë të Presidentit Begaj atje. Sot ishte realitet.
Arbëreshët e një “Moti të Madh”
Sot Italia Arbëreshët nuk i kishte vetëm minoritet. Për çdo funksionar publik atje, Arbëreshët ishin ura lidhëse me Tiranën, Prishtinën dhe shqiptarinë e sotme. Emocionuese ishte të thuhej në këtë vizitë e dëgjohej shqip se në dyert e UNESCO-s do të trokitej shumë shpejt nga Roma dhe Tirana.
Dy kryeqytetet zyrtare do të kërkonin në UNESCO me një dosje të përbashkët njohjen e rrugëtimit Arbëresh si pjesë e pasurive botërore etnike, kulturore dhe gjuhësore.
Kjo – me një argument të fortë: një trashëgimi e tillë e gjallë, e dokumentuar, e arkivuar dhe ende në JETË – është më unike për botën, është aq e lashtë sa edhe vetë UNESCO apo Bashkimi Europian të cilat janë krijuar dhe ekzistojnë pas Arbëreshëve.
Kisha Bizantine dhe besimi Arbëreshëve
Një nga elementët më të dukshëm të identitetit Arbëresh ishte edhe kisha e ritit bizantin, që ruan elementët ortodoksë, por ishte e lidhur me Kishën Katolike Romake.
Asnjë fshat Arbëresh, sado i vogël që unë pata mundësinë të vizitoj, s’ishte pa kishën e tij, e aq më shumë pa liturgjinë në arbërisht e italisht.
Priftërinjtë arbëreshë shpesh ishin edhe mësues të gjuhës arbëreshe e shqipe, historianë dhe mbrojtës të kulturës. Në manastirin e San Adrianos në San Demetrio Corone, ruhej një nga bibliotekat më të pasura me dorëshkrime në gjuhën arbëreshe dhe shqipe.
Në kërkim të Shqipërisë në tokën që i strehoi
Shumë arbëreshë ndihen njëkohësisht italianë dhe shqiptarë. Ndër shumë të takuarit nga unë, me gishtat e dorës mund të gjeje prej tyre që kishin vizituar Shqipërinë. Por ama, çdo Arbëresh që takova dinte më e pakta 10 fjalë shqip, e deri tek ata që e flisnin dhe e shkruanin çdo ditë. E kishte edhe Arbëresh që italishten e përdornin aq pak, sa e konsideronin një gjuhë të huaj.
Ndjenja e “të qenit Arbëresh” është më e fortë se në vetë Shqipërinë – ishte shpjegimi i tyre për ruajtjen e gjuhës dhe traditave.
Në dekadat e fundit ka pasur një rigjallërim të interesit për lidhjet me Shqipërinë. Universitetet shqiptare kanë bashkëpunuar me qendrat kulturore arbëreshe, dhe shumë të rinj arbëreshë kanë nisur të mësojnë shqipen standarde, të vizitojnë vendin e stërgjyshërve dhe të eksplorojnë rrënjët e tyre.
Foto Galeri nga Vizita në KALABRI








Institucionet Shqiptare në Kalabri
Kudo që shkelje, dallohej prania e figurave të mëdha shqiptare si Skënderbeu dhe Nënë Tereza, flamurit kuq e zi, muzeumeve, Katedrës Arbëreshe në Universitetin e Kalabrisë, e deri te komunat dhe bashkitë me identitet shqiptar. Një prej tyre, ajo e San Demetrios, u përurua në një ceremoni zyrtare italo-shqiptare. Nuk ishte as e para dhe as e fundit, por ajo e Demetrios ishte më e madhja. Në hyrje të saj, si rojtar simbolik i tre flamujve – atij shqiptar, italian dhe të Bashkimit Evropian – qëndronte busti i Skënderbeut, përballë mbishkrimit në shqip: BASHKIA.










Kalabria – një copëz Shqipërie në Itali
Kalabria, me fshatrat e saj arbëreshe, është sot një thesar kulturor që mbart një histori unike në Evropë. Ajo ruan gjurmët e një populli që, edhe pse u shpërngul nga dhuna dhe pushtimi, nuk e harroi kurrë kush ishte dhe nga vinte.
Rrugëtimi i gjakut nuk është thjesht një histori emigrimi. Është një dëshmi se identiteti nuk zhduket me largësinë. Është një udhëtim që fillon në trojet shqiptare, por gjen strehë të përjetshme në zemrat që ruajnë mallin për atdheun.
“Ne jemi Arbëreshë, por në gjak jemi shqiptarë”, më tha një plak në Frascineto, teksa pinim kafenë e mëngjesit. Dhe me sytë që i shkëlqenin, shtoi:
“Shqipëria është e vogël në hartë, por e madhe në shpirt. E ne e kemi ruajtur atë shpirt për 500 vjet.”
Dhe sot, nëse Shqipëria troket e pret prej tre dekadash të jetë pjesë e Familjes Europiane, do duhet të tregojë me zë të lartë kudo në BE se ne jemi pjesë e saj, pasi Arbëreshët janë shqiptarët – paraardhësit tanë.
