Arrestim në Tiranë: Shqiptari nga Berati, pjesë e organizatës kriminale ‘Ndrangheta, pranga edhe për Elis Rogën
Një shtetas shqiptar nga Berati është arrestuar në Tiranë si pjesë e një operacioni të gjerë ndërkombëtar kundër krimit të organizuar. Ai dyshohet për përfshirje në pengmarrje, dhunë, trafik droge dhe shantazh, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal që vepronte në Itali dhe kishte lidhje me organizatën famëkeqe italiane ‘Ndrangheta.
Operacioni është zhvilluar nga Prokuroria Antimafia e Romës, në bashkëpunim me Zyrën e Interforzës dhe Policinë e Shtetit Shqiptar. Gjatë këtij aksioni janë arrestuar gjithsej 28 persona, mes tyre edhe shtetasi shqiptar Elis Roga.
Hetimet kanë zbuluar se aktiviteti kriminal i grupit ishte i shtrirë në disa rajone të Italisë, ndërsa gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 1 ton kokainë dhe hashash.
Gjykata e Romës kishte lëshuar urdhër arresti për Elis Rogën, i cili ishte larguar nga Italia dhe kishte ardhur në Shqipëri, ku dyshohet se vijonte aktivitetin e paligjshëm.
Policia e Shtetit
Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar.Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 53”.Kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Itali, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, për organizatë kriminale dhe trafikim narkotikësh.Strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, bazuar në informacionet operative dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, me Zyrën e Ekspertit të Sigurisë në Ambasadën Italiane dhe Projektin I-CAN, lokalizuan dhe arrestuan shtetasin E. R., 46 vjeç, banues në Tiranë.Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Interpol Roma, pasi ndaj tij Gjykata e Romës, Itali, ka lëshuar urdhër arresti për këtë shtetas, për veprat penale, “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.Veprat penale për të cilat, sipas Kodit Penal italian, parashikohet një dënim maksimal deri në 20 vjet burgim.Vijojnë procedurat ligjore për ekstradimin e këtij shtetasi, në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë italiane.