Po ti pse flet, kur s’flasin ata që punojnë aty për të drejtat e tyre? Ç’të duhet ty se një koleg apo kolege s’e ka marrë rrogën, kur ti e ke marrë për vete?
Po le ta zgjidhin vetë.
Po, Po, Po.
Keni të drejtë, na falni, por paga e një kolegu nuk është vetëm një e ardhur e munguar për të. Është një deformim tregu, që sot a nesër, duke lejuar këto standarde, të gjithë jemi të cenueshëm. Pastaj, ja të ndalemi një çast. Një gazetar, reporter, operator kameraman apo punonjës i medias që nuk zgjidh dot shqetësimin e tij kryesor – pagën e mbajtur padrejtësisht – sa i besueshëm është teksa proteston për lirinë e medias?
Të nderuar,
Është moment jo i lehtë, është fiks për të mos qenë më të shtirur. Liria e medias nuk matet me mure, me godina apo të ndalet nga presione.
Ajo është e pakufij kur një gazetar e një media janë të besueshëm. Janë korrektë, zbatojnë ligjet, paguajnë faturat, detyrimet, japin pagat e paguajnë sigurimet.
Çdo çedim nga këto e bën gazetarin e median aspak të besueshme. E bën fiks partnere të kleringut, e bën përfituese të gjërave që si Meriton, dhe për një çast i humb sa hap e mbyll sytë. Po, po, fitimet e padrejta janë ato që zgjasin pak ose shumë pak.
Z. Irfan,
Ju vërtet jeni pronar, por jo pronar i News24. Ajo logo, ajo sigël, ai emër është pronë e shqiptarëve.
Ju po, jeni pronar, por pronar i biznesit i cili njihet me emrin Focus Media News, pra i këtij emri e NIPT-i.
Kërkesa ime si gazetar i cili dikur ka kontribuar për News24, me një emër tjetër tregtar mos gaboj Edisud SPA, është:
- Paguani pagat stafit punonjës në media
- Paguani sigurimet
- Paguani detyrimet
- Ujë, drita apo ç’mund të jenë
Dhe nëse vërtet jeni në pamundësi financiare me kompanitë tuaja, atëherë dijeni se ky është keqmenaxhim. News24 është një aset kombëtar që vlente e vlen më e pakta 20 e kusur milionë euro.
Mos gaboj, në 2012 e bletë diku tek 6-7 milionë euro, e si mundet të përfundojë News24 në një markë pa vlerë?
Si mundet të fiket News24, jo pak por 10 ditë, sepse ka një konflikt godine të ditur e stërditur e gjykuar jo një, por disa herë?
I nderuar biznesmen,
Media po, është biznes, ama është edhe përgjegjësi sociale. Ju mund ta akuzoni shtetin nga mëngjesi deri në darkë. Bëjeni, e luajeni fenë, është një shtet me mijëra probleme. Ama është një shtet që po paguan pagat, pensionet e po qëndron ekonomia, sado problematike.
Riktheni dinjitetin e News24, zgjidhni problemet me të tretët dhe faturat. E do shohësh që do keni sërish një media e cila do e bëjë qeverinë t’i dridhen leqet.
Të ketë frikë se kur të dalë shkelja e ligjit në News24 s’do e mbyllë as me një zarf, as me një telefon, e as me disa muaj ujë e drita të papaguara apo mbyllje syri për tatim-taksa.
Media e lirë, koleg, nuk trembet as nga policia, as nga ushtria e as nga taksidari.
Por media e lirë që s’jep pagat është thjesht një Media Low Cost, pra fasoneri shfrytëzimi!