Policia e Tiranës ka arrestuar Marina Farën, vajzën e këngëtares së njohur të muzikës popullore Eli Fara, pasi u kap me lëndë narkotike kokainë. WebLajm.com mëson se Roxhensës njohur edhe si Marina i janë gjetur 4.4 gram kokainë e ndarë në 4 doza. Hetuesit dyshojnë se kjo sasi ishte për shitje dhe nesër ajo do të dalë para gjykatës.
Ngjarja ndodhi në Vorë, ku 39-vjeçarja – e njohur edhe me emrin Roxhensa Kapurani – u ndalua nga policia teksa udhëtonte e vetme me automjetin e saj. Gjatë kontrollit fizik, efektivët i gjetën një sasi të dyshuar narkotike kokainë, çka çoi menjëherë në shoqërimin dhe arrestimin e saj.
Në njoftimin zyrtar, Policia e Tiranës deklaroi:
“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan, R. K., 39 vjeçe, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë i gjetën një sasi të dyshuar narkotike kokainë”.
Kush është Marina Fara?
Marina është vajza e vetme e këngëtares së mirënjohur Eli Fara, e cila ka një karrierë të gjatë e të suksesshme në muzikën popullore dhe të lehtë shqiptare. Për vite me radhë, Marina ka qenë pjesë e jetës publike shqiptare, duke tërhequr shpesh vëmendjen e mediave rozë për stilin e saj të jetesës, shfaqjet në rrjete sociale dhe daljet në evente. Edhe pse nuk ka ndjekur karrierën artistike të nënës, emri i saj është shpesh përmendur në media për jetën personale dhe lidhjet me botën e showbiz-it shqiptar.