Pas tre akuzave publike që kryeministri Rama ka bërë ndaj magjistratëve, dy gjyqtarëve dhe një prokurore. Institucionet si Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe i Prokurorisë kanë heshtur.
Këtë të dielë ka ardhur reagimi i vetë magjistratëve nëpërmjet Unionit të Gjyqtarëve.
Ata thonë se ky reagim dhe fjalor i kryeministrit cënon besimin e pubkikut dhe shtetin e së drejtës.
Tiranë, 23 Gusht 2025
D E K L A R A T Ë
Unioni i Gjyqtarëve ka ndjekur me vëmendje pakënaqësitë e shprehura publikisht nga ana e Kryeministrit ndaj disa vendimeve gjyqësore, duke anatemuar personalisht gjyqtarët për vendimmarrjet dhe kthyer ushtrimin e detyrës kushtetuese në një gjyq publik, ku njëra nga palët ndërgjygjëse për shkak të fuqisë, hapësirës mediatike dhe virtuale, jo vetëm denigron figurën e gjyqtarëve individualë, por ushtron presion të hapur ndaj trupës gjyqësore në tërësi, duke përcjellë mesazhin te gjyqtarët se nëse vendimmarrja e tyre nuk do të pëlqehet, do të jenë objektivat e radhës.
Pa dashur për t’u përfshirë në debate virtuale në periudhë pushimesh, dëshirojmë të theksojmë se UGJSH mirëpret dhe inkurajon çdo kritikë ndaj gjyqtarëve dhe punës së tyre, kur këto kritika janë brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore, të cilat kanë për qëllim t’i shërbejnë rritjes së besimit të publikut tek gjykatat, forcimit të pavarësisë së gjykatave, të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës.
Por, nga ana tjetër vërejmë se në mënyrë të përsëritur bëhen deklarata, komente dhe ndërmerren iniciativa, të cilat nuk janë aspak parimore, nuk kanë për qëllim forcimin e pavarësisë së vendimmarrjes së gjykatave dhe parimeve themelore të funksionimit të shtetit ligjor, por cënojnë drejtpërdrejt integritetin e gjyqtarëve, duke i fyer, deformuar dhe keqinterpretuar faktet, çështjet ligjore, apo procedurat e ndjekura, ndërkohë që vendimet jepen “NË EMËR TË REPUBLIKËS” dhe çdo palë që është e pakënaqur, ka të drejtën e ankimit në një gjykatë më të lartë, apo vendosë në lëvizje organet disiplinore për çdo shkelje të ligjit qe pretendon se ka kryer gjyqtari.
Këto deklarata me gjuhë dhe sjellje të papranueshme, të cilat nuk kanë aspak lidhje me shtetin e së drejtës dhe qeverisjen demokratike, vishen nën petkun e reformës së radhës dhe rreshtuar si gjithmonë gjyqtarët në llogoren e antireformës, kur vetë “Sistemi i drejtësisë”, ende nuk është maturuar pas reformës së thellë që kaloi dekadën e fundit!
Republika e Shqipërisë është një republikë parlamentare, ku ndarja e pushteteve e sanksionuar qartësisht në Kushtetute, është një ndër shtyllat kryesore, mbi të cilat është ndërtuar dhe qëndron demokracia jonë parlamentare dhe zhvillohet shoqëria jonë. Në këtë kuadër kushtetues funksionon edhe sistemi gjyqësor dhe ushtrohet vendimmarrja nga gjykatat. Është ky kuadër kushtetues dhe ligjor, sipas të cilit janë përcaktuar saktë subjektet, koha dhe mënyrat e kontrollit të një vendimi gjyqësor, i cili kursesi nuk lejon përfaqësues të pushteteve të tjera të anatemojnë vendimet e gjykatave e aq me keq, të kërkojnë ndëshkimin e gjyqtarëve, kur nuk u pëlqejnë vendimet e tyre.
Çdo veprim i kujtdo qoftë, që shmanget nga kuadri kushtetues dhe ligjor në fuqi në Republikën e Shqipërisë, jo vetëm që nuk i shërben forcimit të shtetit ligjor, por përkundrazi, është një hap prapa për pavarësinë e pushtetit gjyqësor, forcimin e shtetit të së drejtës dhe minon besimin e publikut te drejtësia.UGJSH dëshiron të theksojë angazhimin maksimal kundër çdo fenomeni antiligjor të vërejtur në punën e përditshme të gjykatave, sikurse dhe angazhimin e plotë në mbrojtje të parimeve kushtetuese të ndarjes së pushteteve, pavarësisë së gjykatave, respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve dhe forcimit të sundimit të ligjit në vend.
Së fundmi, UGJSH i bën thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor si qeveri e gjyqësorit dhe organi i ngarkuar nga Kushtetuta dhe ligji për të garantuar pavarësinë dhe integritetin e gjyqtarëve, që të reagojë dhe mbajë qëndrim ndaj sulmeve që i’u bëhen gjyqtarëve për shkak të detyrës, pavarësisht se nga vijnë ato.
BORDI DREJTUESUNIONI I GJYQTARËVE TË SHQIPËRISË