Avokatët e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kanë reaguar ndaj vendimit të Prokurorisë së Posaçme për të mos i vënë në dispozicion klientit të tyre një kopje fizike të materialeve hetimore. Sipas tyre, edhe pse është bërë një kërkesë zyrtare për këtë qëllim, SPAK ka refuzuar duke argumentuar se dokumentet i janë dorëzuar në formë elektronike, përmes një USB-je. Por, në kushtet ku Veliaj ndodhet në izolim dhe pa akses në pajisje teknologjike, kjo mënyrë është e papërdorshme dhe e bën të pamundur ushtrimin e së drejtës së tij për një mbrojtje efektive, të garantuar nga Kushtetuta dhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Reagim i avokatëve të Erion Veliaj për të drejtën e tij për të patur një mbrojtje të barabartë, si çdo qytetar, përpara ligjit.
Këtë muaj, Erion Veliaj i ka kërkuar zyrtarisht Prokurorisë së Posaçme për t’i vendosur në dispozicion një kopje fizike të materialeve hetimore, që lidhen me hetimin ndaj tij. Ai e ka bërë këtë kërkesë për të patur mundësinë që të përgatisë një mbrojtje efektive, bazuar edhe në të drejtën që i garanton neni 31 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Por, kërkesa u refuzua me argumentin se dokumentet i janë dorëzuar me anë të një USB-je avokatëve të tij. Një USB, e cila, në kushtet e izolimit ku ndodhet aktualisht z. Veliaj, në mungesë të plotë të aksesit në pajisje elektronike, është praktikisht e papërdorshme për të, dhe as ne nuk jemi në gjendje t’ia dërgojmë të gjitha aktet, për shkak të volumit të lartë të tyre.
Po ashtu, Prokuroria e Posaçme vijon të refuzojë kërkesën e ligjshme të z. Veliaj për t’u takuar me avokatët e tij ndërkombëtarë, të cilët po përgatisin çështjen për në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, një e drejtë e cila i garantohet nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut.
Prokuroria e Posaçme po e trajton këtë çështje me mentalitetin “në fillim arresto, pastaj heto”. Kjo është shqetësuese, duke marrë parasysh edhe numrin e lartë të të paraburgosurve në Shqipëri. Erion Veliaj nuk ka mundësi t’i aksesojë aktet, për të cilat ka nevojë për të mbrojtur veten. Gjithashtu, atij i pamundësohet të ushtrojë detyrën si kryetar i Bashkisë së Tiranës, ku është zgjedhur për 3 mandate radhazi, në mënyrë demokratike, nga qytetarët e Tiranës.