Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) do të zhvillojë mbledhjen e tij të radhës më datë 23 shtator 2025 ora 15, ku do të bëjë përzgjedhjen e kandidatit për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese. Ky proces pason renditjen e kandidatëve që u bë e njohur pas publikimit të pikëve të fituara, të cilat ishin shpallur vetëm disa ditë më parë.
Gjithsej 6 kandidatë kanë kaluar me sukses procesin e kualifikimit dhe janë renditur sipas performancës së tyre. Pikët e shpallura tregojnë një konkurrencë të fortë për këtë pozicion të rëndësishëm në sistemin e drejtësisë. Të gjithë kandidatët kanë kaluar një proces rigoroz vlerësimi, duke përfshirë aspekte të tilla si aftësitë profesionale, përvoja dhe kontributet e tyre në fushën e drejtësisë.
Renditje | Kandidati | Pikët |
---|---|---|
1 | Asim Vokshi | 89.50 |
2 | Naureda Llagami | 89.30 |
3 | Florjan Ballhysa | 77.83 |
4 | Alma Faskaj | 77.77 |
5 | Genta Tafa (Bungo) | 75.44 |
6 | Alban Toro | 74.22 |
Njoftimi KED
Bazuar në Ligjin nr. 115/2016 “Për organet e Qeverisjes së sistemit të Drejtësisë” dhe “Rregulloren e brendshme për funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”, K.E.D njofton thirrjen e mbledhjes së radhës së K.E.D., me datë 23 shtator 2025, ora 15.00, pranë Gjykatës së Lartë, me rendin e ditës si vijon:
1- Miratimin e Raportit dhe listës përfundimtare të renditjes së kandidatëve që kanë aplikuar për plotësimin e vendit vakant të krijuar në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Gjykata e Lartë në datë 11.12.2024.
2- Të tjera.