Bankers Petroleum drejt shitjes/ Thirty Five Group e familjes mbretërore të Qatarit në bisedime për të marrë Patos-Marinzën
Një kompani e drejtuar nga ish- zv/kryeministri i Katarit është në negociata për të marrë paketën maxhoritare të aksioneve të Bankers Petroleum. Thirty Five Grop zotërohet dhe drejtohet nga Khalid bin Mohammad Al Attiyah, anëtar i familjes mbretërore të Katarit, i cili ka mbajtur postin e ish zv/kryeministrit si dhe ka qenë ish ministër i Jashtëm dhe Mbrojtjes së Katarit.

Kapitali ka mësuar se palët janë në negociata të avancuara. Por nënshkrimi i marrëveshjes finale nuk është finalizuar ende për shkak se kinezët duhet të bien dakord të shlyejnë detyrimet që u rrjedhin nga arbitrazhi si dhe qeveria do të duhet të pranojë zgjatjen e koncesionit që mbaron në vitin 2029.

Sipas bisedimeve Al Attiyah do të marrë paketën maxhoritare të aksioneve të Bankers dhe bashkë me të edhe vendimarrjen e kompanisë, ndërkohë që kinezët do të mbajnë pjesën teknike, por edhe mund të largohen përfundimisht nga kompania.
Bisedimet për shitjen e Bankers Petroleum vijnë pas arrestimeve në nivelet më të larta drejtuese të kompanisë kineze. Prokuroria e Fierit vuri në pranga drejtorin ekzekutiv të kompanisë, Hongping Xiao dhe ish drejtorin shqiptar Leonidha Çobo duke i akuzuar për mashtrime dhe evazion fiskal.
Ndërkohë pas këtyre zhvillimeve, kryeministri Edi Rama deklaroi se prokuroria t’i nxjerrë ujin e zi Bankersit, një ndërmarrjeje ku sipas tij ka pasur shumë problematika.
“Shyqyr që ka ardhur dita që prokuroria investigon në mënyrë të pavarur dhe në këtë rast i heq kapelën përkatëse që ka bërë këtë invetsigim dhe uroj ti nxjerrë ujin e zi asaj ndërmarrjeje,” deklaroi Rama pas arrestimeve.
Marrë nga Kapitali