Aruba futet në Parlament, dhe pritet që nga studiot televizive të jetë debati i ditëve dhe javëve të ardhshme në arenën politike.
Është Partia Demokratike ajo e cila, nëpërmjet një kërkese urgjente, i kërkon Kryeministrit Edi Rama të përgjigjet për raportimet në media dhe botimin e një libri në Itali.
Libër që lidhet me mafian shqiptare, por i cili në Shqipëri është bërë i njohur për emrin e ishullit Aruba, ku pretendohet një takim mes krerëve të krimit dhe politikës shqiptare.
Sipas deputetëve firmëtarë, është Departamenti i Shtetit ai që ka dhënë alarmin se në Shqipëri mafia po pastron paratë e drogës.

Pyetjet e PD për z.Rama
A ka dijeni Kryeministri Edi Rama për takimin e dokumentuar nga Antimafia Italiane të zhvilluar në periudhën 24–31 Janar 2019, në ishullin Aruba, në Karaibe, zyrtarisht territor i Mbretërisë së Hollandës?
Kush janë eksponentët e lartë të Qeverisë shqiptare, që kanë marrë pjesë në atë takim dhe a është informuar Kryeministri Edi Rama prej tyre apo shërbimeve të sigurisë kombëtare mbi përmbajtjen e takimit?
A ka përfituar shtetasi Artur Shehu, apo persona të lidhur me të, leje ndërtimi; licenca; punë publike; marrëveshje koncesioni apo partneriteti publik-privat; prokurime publike apo fonde publike, nga Qeveria Shqiptare apo institucionet nën varësinë e ekzekutivit?
A është takuar ndonjëherë Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama me shtetasin Artur Sheti, apo ka zhvilluar ndonjëherë takime qeveritare apo elektorale në pronat e paluajtshme në pronësi të këtij shtetasi, që rezulton të jetë një person i skeduar nga disa agjenci ligjzbatuese si drejtues i një organizate ndërkombëtare kriminale të trafikut të drogës?
Çfarë masash ka marrë Kryeministri, si drejtues i Këshillit të Ministrave, për të parandaluar që krimi i organizuar të ketë ndikim të ndjeshëm në ekonominë shqiptare, apo të mos dëmtojë konkurrencën e lirë në treg, siç citon edhe Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit?
Kërkesa e Plotë depozituar në Kuvend