Më 17 tetor, në sheshin “Skënderbej” të Tiranës pritet të zhvillohet një protestë paqësore në mbështetje të ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po përballen me drejtësinë në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Tubimi është thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe do të nisë në orën 17:00, me qëllim ngritjen e zërit kundër asaj që organizatorët e konsiderojnë “gjykim të padrejtë” ndaj ish-eprorëve të luftës.
Protesta në Tiranë vjen si vazhdim i mobilizimeve më të gjera të shqiptarëve në mbarë botën në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Më 14 shtator, qindra qytetarë u mblodhën në Hagë, duke zhvilluar një protestë simbolike pranë Gjykatës Speciale, mes masave të rrepta sigurie.
Organizatorët ftojnë qytetarët e Tiranës dhe më gjerë që t’i bashkohen protestës si një mesazh solidariteti dhe kërkesë për drejtësi për ata që, sipas tyre, dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës.
Sloganin dhe njoftimin për këtë protestë e ka shpërndarë edhe kreu i grupit parlamentar të PS, z.Taulant Balla i cili ka njoftuar se do të jetë pjesë e saj.
