Prej dy ditësh, Parlamenti ka rihapur zyrtarisht garën për Avokatin e Popullit – një post që vazhdon të mbahet përtej mandatit kushtetues nga Erinda Ballanca, e propozuar dhe miratuar dikur si kandidate e opozitës.
Edhe pse për zgjedhjen e Avokatit të Popullit kërkohet shumicë e cilësuar, Partia Socialiste ende nuk ka dalë publikisht me një emër zyrtar. Megjithatë, weblajm.com mëson se nuk do të mungojë mbështetja për Etilda Gjonaj, ish-ministre e Drejtësisë. Zonja Gjonaj nuk arriti të sigurojë një mandat deputeti në zgjedhjet e fundit nga lista e hapur në qarkun e Tiranës dhe aktualisht ndodhet jashtë Parlamentit.
Ndërkohë, Partia Demokratike dhe Sali Berisha kanë deklaruar se opozita mbështet kandidaturën e Besim Ndregjonit. Tradicionalisht, ky post është konsideruar si një mandat i opozitës, por këtë herë, me shumicën parlamentare aktuale, PS mund ta miratojë kandidatin edhe e vetme, pa konsensus.
Jozyrtarisht, qarkullojnë zëra se mazhoranca është e gatshme të japë pëlqimin edhe për ish-deputetin demokrat Dashamir Sula, i cili pas përjashtimit nga listat e sigurta të PD-së në qarkun e Elbasanit, u largua nga partia dhe për disa kohë iu bashkua nismës “Lëvizja Shqipëria Bëhet”.

Njoftim për shpalljen e pozicionit vakant të Avokatit të Popullit
Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike në mbledhjen e datës 13.10.2025, sipas përcaktimeve të nenit 61, të Kushtetutës, të neneve 3, 9 dhe 10 të ligjit nr. 8454, datë 4.2.1999, “Për Avokatin e Popullit”, të ndryshuar dhe nenit 111, të Rregullores së Kuvendit, me vendimin nr. 2/2025 të tij, vendosi “Shpalljen e vakancës së Avokatit të Popullit”.
A. Ftohen për paraqitjen e kandidaturave për Avokatin e Popullit, individët që:
1. Janë shtetas shqiptar;
2. Janë me arsim të lartë;
3. Kanë njohuri dhe veprimtari të njohura në fushën e të drejtave të njeriut dhe të ligjit;
4. Shquhen për aftësi profesionale dhe figurë të pastër etiko-morale;
5. Nuk janë të dënuar penalisht;
6. Nuk janë deputet në legjislaturën e Kuvendit që bën propozimin a zgjedhjen e tij;
7. Nuk bëjnë pjesë në parti apo organizata politike, nuk kryejnë veprimtari tjetër politike,shtetërore e profesionale apo marrin pjesë në organizmat drejtues të organizatave shoqërore, ekonomike dhe tregtare.
B. Kandidatët duhet të paraqesin dokumentacionin e kërkuar pranë Kuvendit brenda 20 ditëve nga publikimi i këtij njoftimi. Afati i fundit për paraqitjen e kandidaturave është data 03. 11. 2025.
C. Propozimi i çdo kandidature duhet të përmbajë:
1. Kërkesën për shprehje interesi për pozicionin e Avokatit të Popullit;
2. CV-në e nënshkruar në çdo faqe nga kandidati dhe fotokopje të kartës së identitetit;
3. Diplomë universitare DND; DIND ose Bachelor + Master Shkencor;
4. Librezën e punës ose vërtetime të tjera që provojnë përmbushjen e kriterit ligjor të njohurive dhe veprimtarive të shquara në fushën e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe të ligjit;
5. Vërtetimin e gjendjes gjyqësore;
6. Formularin e vetëdeklarimit në zbatim të ligjit 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i cili gjendet i publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë si dhe bashkëlidhur këtij njoftimi;
7. Formularin e plotësuar në zbatim të ligjit nr.45/2015, “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish – Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, i cili gjendet bashkëlidhur këtij njoftimi.
8. Formularin e deklarimit të papajtueshmërisë në përputhje me përcaktimet në nenin 3 dhe 10 të ligjit nr. 8454, datë 4.2.1999, “Për Avokatin e Popullit”, të ndryshuar.