Mazhoranca propozon rishikimin e projektligjit “Për barazinë gjinore” – kërkon rikthimin në konceptin klasik “burrë dhe grua”
Grupi parlamentar i mazhorancës ka dorëzuar në Kuvend një paketë të gjerë amendamentesh për projektligjin “Për barazinë gjinore”, të hartuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Amendamentet, të shoqëruara me një relacion të firmosur nga kryetari i grupit, Taulant Balla, synojnë të riformulojnë disa nene kyçe të projektligjit me qëllim, sipas relacionit, “përputhjen e plotë me Kushtetutën dhe me acquis-in e Bashkimit Europian”, si dhe shmangien e “paqartësive juridike dhe konceptuale” në interpretim.
Në relacionin shpjegues që shoqëron amendamentet, Balla thekson se projektligji qeveritar përfaqëson “një përpjekje serioze për modernizimin e kuadrit ligjor të barazisë gjinore” dhe harmonizimin me zhvillimet ndërkombëtare pas ligjit të vitit 2008. Por, sipas tij, disa nene përmbajnë problematika parimore, kulturore dhe teknike, që mund të krijojnë konfuzion ligjor dhe moskoherencë me kornizën ekzistuese shqiptare dhe atë europiane.

Sipas relacionit dhe tekstit të amendamenteve, mazhoranca kërkon heqjen e termave si “identitet gjinor”, “shprehje gjinore”, “orientim seksual” dhe “përkatësi e shumëfishtë”, të cilët janë të pranishëm në versionin e propozuar nga Ministria. Po ashtu, propozohen ndryshime për të zëvendësuar formulimet “pavarësisht përkatësisë gjinore” me “trajtim të barabartë mes grave dhe burrave” dhe për të eliminuar termin “gjithëpërfshirës” nga disa dispozita.
Në dokumentin shpjegues, Taulant Balla argumenton se përdorimi i koncepteve si “gjini gjithëpërfshirëse” apo “përkatësi e shumëfishtë” e zhvendos ligjin nga kuptimi klasik binar i gjinisë, burrë dhe grua, që njihet nga Kushtetuta dhe ligjet shqiptare, si Kodi i Familjes, Kodi i Punës dhe ligji për nëpunësin civil.
Ai thekson se, edhe në legjislacionin e Bashkimit Europian, koncepti i “gjinisë” operon brenda një kornize binare, duke mbuluar barazinë midis burrave dhe grave, ndërsa çështjet që lidhen me identitetin gjinor apo orientimin seksual trajtohen në instrumente të tjera juridike, jo në kuadrin e barazisë gjinore.
Në relacion thuhet gjithashtu:
“Projektligji, përmes termave si ‘përkatësi e shumëfishtë’ apo ‘gjini gjithëpërfshirëse’, krijon hapësirë për përfshirjen e gjinive të tjera përveç burrit dhe gruas, gjë që nuk përputhet me konceptin aktual të legjislacionit kombëtar dhe acquis-it europian.”
Mazhoranca vlerëson se heqja e këtyre termave nuk cënon mbrojtjen nga diskriminimi të individëve me identitete komplekse, por e bën ligjin më të qartë, më të përafruar me BE-në dhe më të përshtatshëm për realitetin shoqëror shqiptar.

Projektligji i Ministrisë së Shëndetësisë, i cili synon garantimin e barazisë gjinore de jure dhe de facto, pritet të shqyrtohet në komisionet parlamentare gjatë javëve në vijim.
Ky propozim i Ballës që pritet të marrë votat e Mazhorancës vjen 24 orë pas takimeve që ai pati edhe me krerët e besimeve fetare në vend, atë katolik dhe musliman.

Lexo më shumë
Lexo më shumë