Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) njofton me kënaqësi se kompania ajrore British Airways do të dyfishojë kapacitetin e operimit në linjën Tiranë–Londër për sezonin veror 2026, duke forcuar më tej lidhjen mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ky zgjerim vjen si përgjigje ndaj rritjes së vazhdueshme të kërkesës për udhëtime në këtë destinacion dhe rolit gjithnjë e më të rëndësishëm që TIA po merr në zhvillimin e trafikut ajror rajonal.
Sipas programit të ri operacional të paraqitur nga kompania ajrore, duke filluar nga prilli 2026, British Airways do të operojë dy fluturime në ditë nga Tirana drejt Londrës. Kjo përbën një rritje prej 50% të frekuencave aktuale dhe reflekton besimin e kompanisë në tregun shqiptar, si dhe rritjen e qëndrueshme të fluksit të pasagjerëve.
Ky zhvillim vjen në një moment kur TIA po i nënshtrohet një transformimi të gjerë infrastrukturor. Nën drejtimin e Grupit Kastrati, aeroporti po zgjerohet me kapacitete të reja të terminalit, pozicione shtesë parkimi për avionët, teknologji të avancuara digjitale dhe sisteme moderne që rrisin shpejtësinë dhe efikasitetin e proceseve për pasagjerët. Këto investime synojnë të mbështesin flukset në rritje dhe të garantojnë një eksperiencë bashkëkohore dhe cilësore udhëtimi.
Rritja e frekuencave nga British Airways u ofron pasagjerëve më shumë mundësi udhëtimi, jo vetëm drejt Mbretërisë së Bashkuar, por edhe për lidhje tranziti drejt Amerikës së Veriut, një nga tregjet më të frekuentuara nga udhëtarët shqiptarë dhe nga rajoni i Ballkanit Perëndimor.


Piervittorio Farabbi, Drejtor Operacional i TIA-s, u shpreh:
“British Airways, një nga kompanitë ajrore më prestigjioze në botë, është një partner kyç për tregun shqiptar. Zgjerimi i operimeve në TIA dëshmon angazhimin e kompanisë për të ofruar lidhje të qëndrueshme, standarde të larta shërbimi dhe një rrjet të gjerë destinacionesh për pasagjerët që udhëtojnë nga dhe drejt Shqipërisë. Jemi të lumtur që TIA po shihet si një aeroport që forcon lidhjet ndërkombëtare të vendit dhe tërheq operatorë elitare të aviacionit global.”
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës mbetet i përkushtuar në zgjerimin e bashkëpunimeve me partnerët ajrorë, përmirësimin e përhershëm të përvojës së pasagjerëve dhe forcimin e pozicionit të Shqipërisë në hartën e aviacionit ndërkombëtar. Me investime strategjike, teknologji moderne dhe një vizion të qartë zhvillimi, TIA po shndërrohet në një nga aeroportet më dinamikë dhe me rritjen më të shpejtë në rajon.
Frekuencat e fluturimeve nga Tirana, duke filluar nga prilli 2026:
- Çdo ditë – 08:35
- Çdo ditë – 13:35
Rreth British Airways
Si flamurmbajtësja kombëtare e Mbretërisë së Bashkuar, British Airways operon në më shumë se 200 destinacione në mbi 65 vende, përfshirë itineraret e realizuara përmes partnerëve të saj ajrorë. Kompania u ofron udhëtarëve një prej rrjeteve më të gjera të fluturimeve në botë, me operime nga tre aeroportet kryesore të Londrës: Heathrow, Gatwick dhe London City. Me fleksibilitet të lartë në orare dhe lidhje strategjike, British Airways mbetet kompania që ofron më shumë destinacione nga Londra sesa çdo operator tjetër ajror.














































































































