Këtë të shtunë gjykata e posaçme me gjyqtar Erjon Çelën, konfirmoi masat e dhëna në mungesë ndaj zv. Kryeministres Balluku dhe dy vartësve të saj Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, masa këto të kërkuara nga SPAK.
Hetimi vijon, hetimi i SPAK deri më tani është konsideruar i vlefshëm nga Gjykata për këto masa. Palët kanë betejën e tyre: SPAK të mbajë në këmbë akuzën e ngritur dhe të ruajë provat apo t’i shtojë, të dyshuarit të nxjerrin provat e tyre për pafajësi. Një betejë e cila do të kërkojë kohë e do të zbulojë jo pak të panjohura.
Por ama:
Kush e ndjek gjykatën e posaçme dhe SPAK, Një në 100 masa të dhëna në mungesë mund të ndryshojë. Në më të shumtën e rasteve ato thjesht mbeten në fuqi, dhe kjo seancë është më tepër verifikim kushtesh ekzekutimi sesa debat. Kjo seancë proceduralisht i jep të drejtën të hetuarit, të dyshuarit, të pandehurit të flasë e të përgjigjet nëse ka dëshirë. Por s’mund të detyrohet. E po ashtu nga ana tjetër i jep të drejtën të njihet me provat.
Pasi deri në dhënien e masës në mungesë, proceduralisht konsiderohet sekret. Sekret edhe për publikun, por kur një vendim jepet në emër të Republikës. Seanca kryhet, sekreti ezaurohet. E pikërisht ky sekret i ezauruar nxjerr në hap se si ish-deputeti demokrat Arbian Agalliu, në ushtrim të mandatit të tij dhe legjitimitetit të një politikani, i kërkon llogari Ballukut nga foltorja e parlamentit. I kërkon llogari nëse ajo ka bërë ndonjë favor kundrejt X apo Y kompanie.
Ja pjesërisht kërkesa e llogarisë në faqen 32 të vendimit 57 faqesh:
“Në lidhje me bisedën e mësipërme, nga këqyrja në burime të hapura e linkut të mësipërm, rezulton se në datën 15.10.2021, në orën 15:46, në portalin “Balkanweb”, është publikuar lajmi i titulluar “Tenderi për Llogaranë i paracaktuar”, deputeti i PD denoncon me foto e paralajmëron padi në SPAK: Rama e Balluku takuan më herët CEO-n e firmës turke. Ministrja: “S’mbajmë përgjegjësi për …”. Përmbajtja e këtij lajmi është si më poshtë: “Denoncimi i opozitës për tenderin e tunelit të Llogarasë është zhvendosur në sallën e Parlamentit ditën e enjte. Deputeti i PD-së, Arbi Agalliu e pyeti Ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku se përse është takuar me CEO-n e kompanisë turke, e cila fitoi tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, katër muaj përpara shpalljes së tij. Agalliu ka publikuar dhe disa foto të Ramës dhe Ballukut me pronarin e kompanisë turke e cila fitoi tenderin që sipas demokratëve është oferta më e shtrenjtë e përzgjedhur për këtë punë publike”.”

Deri këtu, fundja Agalliu ka bërë detyrën e politikanit që mandatin e përdori për të mirën e Republikës, Opozitës dhe zgjedhësve. Por pa kaluar 90 ditë, rezulton se Agalliu, jo nga foltorja e Parlamentit por nga celulari i paguar nga taksat e shqiptarëve, përfshi edhe votuesve të tij: nis e kërkon favore personale. Ku do thoni ju?
Ja pikërisht te Belinda që i kërkonte llogari në parlament apo edhe e akuzonte duke e “denoncuar”!
Në faqen 33 të vendimit gjendet ky paragraf:
“Në datën 31.01.2022, në orën 19:19, shtetasi Arbi Agalliu i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhin: ‘Evis si je? Arbi Agalliu jam! Shpresoj të jesh mirë. Belinda ma dha nr tënd. Kur të kesh mundësi do doja të flisnim pak. Faleminderit’. Në orën 19:20, Evis Berberi: ‘Mirëmbrëma, nesër në mëngjes’. Në orën 19:20, shtetasi Evis Berberi telefonon shtetasin Arbi Agalliu.”
Prej ditësh shkruhet, flitet e përflitet pafund. Deri në arrestin e Belindës.
O kolltukofag: arresti i një deputeti nuk ndodh kurrë pa kaluar në parlament. Shkon kërkesa atje, nëse Këshilli Mandativ jep OK, atëherë SPAK e merr këtë OK dhe troket në gjykatë për:
Arrest në qeli
Në shtëpi
Ndërsa prokuror i kësaj çështjeje, referuar edhe faqes së parë të këtij vendimi, “KËRKUES: Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e përfaqësuar sipas kërkesës nga prokurori Dritan Prençi” pra është vetëm një: PROKUROR dhe ai është z.Prençi.

Për pak info: kur kjo masë kërkohej nga SPAK e jepej nga GJKKO, z. Altin Dumani, kreu i SPAK, ndodhej në Bruksel. Jo në sallë e jo fare edhe në zyrën e tij.
Shënim: Do preferoja shumë jo vetëm znj. Balluku, por cilido përballë drejtësisë të sillte provat e tij për të fituar pafajsinë pa pushtet, pa post, pa mandat. Por kjo është sa personale aq edhe alla shqiptare. Ndër të paktit raste me SPAK, përballjen pa mandat e zgjodhi Saimir Tahiri, jo vetëm si Ministër, ai shkoi më tej la edhe mandatin e deptuetit!













































































































