Alesio Brungaj dhe Enis Aliaj, 19 vjeç, Serxhio Lala, 26 vjeç, si edhe një 17-vjeçar, janë katër të rinjtë “bankerë”. Ata u prangosën në operacionin e koduar “Shpërndarja e Gabuar”.
Duke shitur kartëmonedha euro false në rrjetet sociale, kryesisht në TikTok, të rinjtë kishin krijuar “bankën” e tyre private, pa licencë, pa taksa, pa rregulla, por me para cash pa limit.
Krimi Ekonomik në Policinë e Tiranës i gjurmoi ata për më shumë se 4 muaj, për të arritur në sekuestrimin e 18 mijë eurove.
Prerjet e falsifikuara janë 50-, 20- dhe 10-euroshë.
Edhe pse nuk i kishin lënë jashtë mashtrimet e dyqaneve apo të zyrave të këmbimeve valutore, ky grup, sipas agjentëve të Krimit Ekonomik, i rishiste këto para me shumicë për të interesuarit.
Kryesisht në qarkun e Shkodrës, Kukësit, Fierti, Tiranës dhe për klientët e tyre në Malin e Zi.
Selia qëndrore e Bankës Ilegale me Euro False, dyshohet se është në qytetin e Shkodrës, ndërsa hetimet vijojnë. Për të shmangur kontaktet fizike me klientët ky grup përdorte shërbimin postar.
Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Wrong Delivery”.
Bashkëpunonin në formën e një grupi kriminal për hedhjen në treg të kartëmonedhave euro të dyshuara të falsifikuara, vihen në pranga 4 shtetas dhe shpallet në kërkim një tjetër.Sekuestrohen 11 pako që përmbanin kartëmonedha euro të dyshuara të falsifikuara.Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Wrong Delivery”, me qëllim goditjen e veprimtarisë kriminale të falsifikimit të kartëmonedhave.Si rezultat i operacionit, u arrestuan në flagrancë shtetasit A. B, 19 vjeç, banues në Shkodër; një i mitur 17 vjeç, banues në Tiranë; S. L, 26 vjeç, banues në Tiranë dhe E. A, 19 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi A. P, 19 vjeç, banues në Krujë.Shtetasit S. L., E. A. dhe i mituri u kapën në flagrancë në momentin që po tentonin të tërhiqnin në një postë në Tiranë, 11 pakot që përmbanin kartëmonedha euro të dyshuara të falsifikuara. Këto dërgesa kryheshin nga shtetasi A. B., i cili përdorte një emër tregtar të rremë për të maskuar veprimtarinë dhe për të shpërndarë kartëmonedhat e falsifikuara.Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, A. P., si dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.















































































































