Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Olsian Çela, dhe drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, zhvilluan një vizitë dyditore zyrtare në Bruksel, ku u takuan me Prokuroren e Përgjithshme Federale të Belgjikës, Ann Fransen. Takimi, i mbajtur më 18–19 nëntor, u zhvillua në kuadër të marrëveshjeve të bashkëpunimit mes dy institucioneve dhe si vijim i kontakteve të ngritura gjatë takimeve të vitit të kaluar në Tiranë.
Në këtë takim, z. Dumani shoqërohej nga dy vartësit e tij: Klodian Braho, shef i Seksionit kundër Korrupsionit, dhe Dorina Bejko, shefe e Seksionit të Marrëdhënieve me Jashtë. Ndërsa pjesë e delegacionit të Prokurorit të Përgjithshëm Çela ishte edhe drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Arenc Çela.

Gjatë bisedimeve u trajtuan çështje kyçe që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar, hetimet financiare, pastrimin e parave dhe përdorimin e kriptomonedhave në aktivitete kriminale. Palët diskutuan gjithashtu për thellimin e koordinimit mes strukturave hetimore dhe për krijimin e skuadrave të përbashkëta hetimore, si dhe për procedurat e ndihmës juridike, përfshirë ekzekutimin e vendimeve penale dhe letërporosive.
Të dy delegacionet vlerësuan pozitivisht bashkëpunimin aktual, duke theksuar nevojën për zgjerimin e shkëmbimit të informacionit me synimin e hetimit të plotë të aktiviteteve kriminale që prekin të dy vendet.
Në fokus të diskutimeve ishin edhe mundësitë ligjore për rritjen e mëtejshme të efikasitetit në zbatimin e legjislacionit antimafia, sidomos në drejtim të sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive të lidhura me veprimtari kriminale të subjekteve të hetuara ose të dënuara në Shqipëri dhe Belgjikë.













































































































