Në kremtimin e 100 vjetorit të thrmelimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ceremoni e organizuar në sallën e Kuvendit. Kreu i këtij institucioni z.Arben Shehu u shpres se këto 100 vite janë një rrugëtim për ti shërbyer interesit publik.



Në këtë aktivitet të pranishëm ishin Kryeparlamentarja Elisa Spiropalo, Ministra, Deputet, Anëtarë të Trupit Diplomatik si dhe Drejtues të Institucioneve Partnere të KLSH-së.
Në fjalën e tij z.Shehu vlerosi edhe median si një partner të institucionit të KLSH-së.
Fjalimi i Kryetarit të KLSH-së z. Arben Shehu në 100-vjetorin e themelimit të institucionit
E nderuar Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë,Të nderuar përfaqësues të Kuvendit,Të nderuar përfaqësues të institucioneve partnere,Të nderuar drejtues të institucioneve të Republikës së Shqipërisë,Të nderuar përfaqësues të medias,Të dashur kolegë dhe bashkëpunëtorë,Zonja dhe zotërinj,Është një nder i veçantë që sot, në ambientet e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, kremtojmë së bashku përvjetorin e 100-të të themelimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit – një institucion që për një shekull ka kontribuar në forcimin e kulturës së llogaridhënies dhe përmirësimin e qeverisjes në menaxhimin e financave publike.Ky përvjetor përfaqëson një moment historik jo vetëm për KLSH-në, por për gjithë zhvillimin institucional të Shqipërisë moderne. E themeluar në Maj 1925, në një etapë vendimtare për konsolidimin e shtetit shqiptar, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka qenë i pranishëm në çdo fazë të transformimit të administratës publike. Përgjatë një shekulli, ai ka vepruar në kushte të ndryshme historike dhe politike – nga periudha e monarkisë, te regjimi i centralizuar i pasluftës, deri te faza e tranzicionit demokratik pas viteve ’90. Gjatë kësaj kohe, institucioni ka ruajtur misionin e tij thelbësor: mbikëqyrjen e përdorimit të drejtë të fondeve publike.Pas miratimit të Kushtetutës së vitit 1998 dhe reformave të mëvonshme, KLSH mori një rol të qartë si organ i pavarur kushtetues. Ai ka qenë aktiv në përshtatjen e standardeve të auditimit sipas modeleve më të avancuara, si dhe në rritjen e përgjegjshmërisë institucionale.Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare si INTOSAI dhe EUROSAI, si dhe bashkëpunimi rajonal, ka ndihmuar në zhvillimin profesional të audituesve dhe në forcimin e praktikave të mira, duke rritur ndjeshëm cilësinë e veprimtarisë sonë.Ky përvjetor është edhe një rast për të nderuar përkushtimin e brezave që e kanë ndërtuar këtë institucion. Kontributi i tyre ka lënë një trashëgimi të çmuar për administrimin e drejtë dhe efikas të financave shtetërore. Kjo trashëgimi ka ndihmuar në ndërtimin e besimit të qytetarëve tek institucionet shtetërore, duke garantuar një menaxhim financiar që mbështetet jo vetëm në efikasitet, por mbi të gjitha në ndershmëri, transparencë dhe përgjegjshmëri.Të nderuar pjesëmarrës, dëshiroj gjithashtu të shpreh mirënjohjen time të thellë që kemi sot mes nesh: përfaqësues të institucioneve supreme të auditimit nga vende partnere, përfaqësues të trupit diplomatik, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, drejtues të institucioneve të pavarura dhe të administratës publike, akademikë, përfaqësues të universiteteve, organizata të shoqërisë civile, partnerët tanë institucionalë vendas dhe ndërkombëtarë, si dhe në veçanti përfaqësues të medias, e cila në Shqipëri është ngritur mes vështirësive në një nivel të vërtetë institucional, dhe për të cilën në emër të institucionit dua të shpreh një mirënjohje të veçantë. Pjesëmarrja juaj në këtë aktivitet është jo vetëm një vlerësim për Kontrollin e Lartë të Shtetit, por edhe një dëshmi e mbështetjes për institucionet e shtetit shqiptar.Të nderuar të pranishëm,100 vite histori nuk janë thjesht një rrugëtim për t’u përkujtuar, por një bazë e fortë për të ndërtuar të ardhmen. Kontrolli i Lartë i Shtetit do të vazhdojë të përmirësojë kapacitetet profesionale, të adoptojë teknologji moderne dhe të qëndrojë në dobi të interesit të përbashkët.Ky përvjetor është jo vetëm një pikë ndalese për të vlerësuar rrugëtimin tonë, por edhe një pikënisje për një angazhim të ri për të ndërtuar një të ardhme më të përgjegjshme, më efikase dhe më të ndershme në shërbim të qytetarit. Dua të ritheksoj se Kontrolli i Lartë i Shtetit do të qëndrojë besnik ndaj misionit të tij kushtetues në sinkron me interesin e shtetit dhe në thelb të çdo shqiptari. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë interesin publik dhe të çdo shtetasi shqiptar, me përkushtim ndaj parimeve të shtetit të së drejtës dhe të mirëqeverisjes. Jam i bindur se rruga jonë e përbashkët do të vijojë me bashkëpunim të qëndrueshëm, shkëmbim të ndërsjellët dhe mbështetje reciproke për të ndërtuar institucione më të forta dhe administratë më të përgjegjshme.Ju falënderoj edhe një herë për praninë tuaj sot, për vlerësimin që i keni bërë këtij përvjetori, dhe për mbështetjen që i ofroni vazhdimisht misionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.