Një padi e mbërritur në Gjykatën Kushtetuese pritet të hapë debat dhe të risjellë në vëmendje vlerën ekonomike që paguhet aktualisht për dëmshpërblimin e personave që kanë vuajtur padrejtësisht masat e sigurisë penale – përfshirë burgimin, paraburgimin dhe arrestin në shtëpi. Shuma e kompensimit llogaritet nga 10 deri në 30 euro në ditë.
WebLajm.com mëson se padia është paraqitur nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lushnjë, në datë 26.06.2025, dhe ka për objekt shfuqizimin si antikushtetues të neneve 5/2 dhe 6 të Ligjit nr. 9381, datë 28.04.2005 “Për kompensimin e burgimit të padrejtë”, në pjesën ku vendoset kriteri tavan për dëmshpërblimin, respektivisht:
- 3 000 lekë për ditë paraburgimi,
- 2 000 lekë për ditë burgimi,
- 1 000 lekë për ditë arrest shtëpiak.
Sipas gjykatës, vendosja e tavaneve standarde për dëmshpërblimin cenon parimin e proporcionalitetit dhe të drejtën për kompensim të plotë për dëmin e shkaktuar.
Padia është regjistruar në Kushtetuese, por nuk është caktuar ende një datë gjykimi. Relatori e këtij gjykimi është caktuar gjyqtare Marsida Xhaferrllari. Zyrtarisht nuk ka një faturë të plotë dhe të saktë për koston reale të një të burgosuri në Shqipëri, por sipas vlerësimeve të pranuara, kjo kosto arrin deri në 50 euro dita. Në këtë kontekst, kompensimi maksimal prej 3 000 lekësh (rreth 30 euro) për një ditë paraburgimi të padrejtë cilësohet nga Gjykata e Lushnjës si një tavan i padrejtë dhe antikushtetues, që nuk reflekton realisht dëmin ekonomik dhe moral të vuajtur.
Ja çfarë parashikojnë nenet që kërkohen të shpallen antikushtetuese:
Neni 5 – Masa e kompensimit për burgim të padrejtë
- Kompensimi për burgim të padrejtë caktohet nga gjykata, duke mbajtur parasysh:
a) të ardhurat nga paga për të punësuarit në sektorin publik ose në sektorin privat, deri një muaj para burgimit;
b) fitimin e realizuar nga veprimtaritë tregtare dhe fitimprurëse gjatë tri viteve të fundit para burgimit;
c) pensionet e përfituara para ose gjatë paraburgimit;
ç) pagën minimale në shkallë vendi për ata që kanë qenë pa punë, të paktën një muaj para datës së burgimit;
d) rrethana të tjera, të lidhura me gjendjen ekonomike e familjare të të burgosurit;
dh) të ardhurat nga puna në burg. - Kompensimi caktohet deri në 2 000 (dy mijë) lekë për një ditë burgim dhe 3 000 (tre mijë) lekë për një ditë paraburgim.
Neni 6 – Kompensimi për arrestin në shtëpi
Periudha e arrestit në shtëpi kompensohet nisur nga të njëjtat kritere sikurse burgimi, por masa e kompensimit të caktuar nuk duhet të jetë më e madhe se një e dyta e shumës së caktuar për burgimin.
