Mesditën e të enjtes, dy automjete të Prokurorisë së Fierit parkuan në oborrin e SPAK, duke zbarkuar mijëra faqe të fashikullit hetimor të dosjes “Bankers”. Hetim i regjistruar më herët në Fier dhe ndjekur aty me disa masa sigurie.
Por pas vendimit të Apelit që la në fuqi masat e kërkuara nga Fierit, tashmë ky institucion vendosi ta kalojë dosjen në SPAK. WebLajm.com mëson se elementi i vetëm që ka bindur hetuesit në Fier të heqin dorë nga dosja është funksionimi i të dyshuarve si një grup kriminal.
Pjesë e hetimeve tani, përveç zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Bankers Petroleum, do të jenë edhe kompanitë e hidrokarbureve që kanë kryer aktivitet tregtar me Bankers, aktivitet i cili sipas hetimit tatimor dhe Prokurorisë së Fierit deri më tani ka qenë me fatura fiktive në të shumtën e rasteve. Burime sqaruan se do të verifkohen edhe veprimet e Bankës Raiffeisen e cila ka lejuar prekjen e llogarive bankare të Bankers edhe pse ishin nën sekuestro si dhe të gjitha kompanive të dyshuara për faturime fiktive.
E teksa Bankers Petroleum prej të enjtes është në kompetencën e SPAK dhe sektorit të hetimeve të korrupsionit dhe zyrtarëve publikë, punëtorët e kësaj kompanie kanë njoftuar se më 15 tetor nisin një grevë disa orëshe dhe në datë 16 tetor e përshkallëzojnë atë pa afat.
FOTO DOKUMENTI GREVËS


Për këtë çështje janë arrestuar disa zyrtarë të lartë dhe ish-drejtues të Bankers Petroleum. Ndaj tyre janë dhënë masa sigurie “arrest në burg” dhe “arrest shtëpie”, ndërsa për disa të tjerë është caktuar masa e “detyrimit për t’u paraqitur”. Të dyshuarit akuzohen për mashtrim, falsifikim të dokumenteve tatimore dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Brenda javës së ardhshme të dyshuarit do të ridalin para gjykatës së posaçme për tu njohur me akuzën e re dhe masat.
Masat e marra nga gjykata e Fierit dhe Apeli i Përgjithshëm
Masa “arrest me burg” për:
Leonidha Çobo
Hongping Xiao
Masa “arrest në shtëpi” për:
Lianyi Wang
Ardit Kero
Flavia Capo
Kledi Xhani
Ndryshim mase në “detyrim paraqitje” për:
Doina Goga
Masa “detyrim paraqitje”, revokohet ndalimi i udhëtimit jashtë vendit për:
Majlinda Thana
Matilda Ibraliu
Erton Ademaj
Kodi Penal i Shqipërisë, neni 28/a, jep këtë përkufizim:
“Grup i strukturuar kriminal” është një grup i përbërë nga tre ose më shumë persona, i krijuar për të kryer vepra penale që parashikojnë një dënim me jo më pak se pesë vjet burgim, në qëllim përfitimi, dhe që ka një strukturë të qëndrueshme dhe funksionim të përbashkët për një periudhë kohe.
Lexo më shumë