Ngjarja e raportuar si helmim dhe shtrimi në spital i të penduarit të SPAK, Nuredin Dumani rezulton se lidhet me një pako ushqime të dërguara nga të afërm e familjarë të tij. Verifikimet zyrtare kanë treguar se ushqimi që dyshohet se shkaktoi problemet shëndetësore është dërguar nga familjarët e tij, në përputhje me rregullat e burgut. Ndërkohë, SPAK është distancuar nga hetimi, duke deklaruar se rasti i takon Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Më 6 shtator 2025, Nuredin Dumani, i dënuar dhe aktualisht i paraburgosur në IEVP “Jordan Misja”, u transportua me urgjencë drejt QSUT “Nënë Tereza”, pasi shfaqi probleme serioze shëndetësore. Pas ekzaminimeve të shumta dhe konsultave me mjekë neurologë, toksikologë, kardiologë dhe reanimatorë, ai u shtrua në Reanimacionin Qendror me diagnozën “gjendje stupor”. (Stupori është një gjendje vetëdije e ndryshuar e karakterizuar nga një gjendje plogështie, konfuzioni mendor dhe reagimi i zvogëluar ndaj stimujve të jashtëm)
Një ditë më vonë, më 7 shtator, ai doli nga spitali në gjendje të përmirësuar dhe me rekomandime për vijimin e trajtimit në Qendrën Shëndetësore të Burgut. Mjekët i kërkuan të kryente një EEG dhe të vijonte për tre ditë trajtimin me Ceftriaxone, Omeprazol dhe Enoksiparin. Po atë ditë, Dumani është paraqitur në Qendrën Shëndetësore të Burgut, por ka refuzuar shtrimin në Spitalin e Burgut, gjë që është dokumentuar zyrtarisht në orën 13:25. Aktualisht, gjendja e tij është e stabilizuar.
WebLajm.com mëson se sipas verifikimeve në regjistrat zyrtarë të institucionit bërë nga drejtoria e burgjeve, më 29 gusht 2025, familjarët e Dumanit kanë sjellë ushqime që përfshijnë fruta deti, konkretisht karkaleca. Ushqimi është futur brenda rregullave të burgut dhe është regjistruar zyrtarisht si dërgesë nga të afërmit e tij. Nuk rezulton që ushqimi të jetë futur nga persona të tjerë apo në mënyrë të paligjshme.
Reagimi i SPAK:
Ndërsa në përgjigje të një kërekse për informacion SPAK ka thënë se “Kjo cështje nuk është në kompetencë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.
Ngjarja që fillimisht ngriti dyshime për një helmim të mundshëm brenda qelisë, duket se lidhet me konsumimin e ushqimit të sjellë nga familjarët.











































































































