Futbolli shqiptar ngre siparin këtë të shtunë në një rrugëtim 3-vjeçar në MCN TV, që fitoi të drejtat ekskluzive për transmetimin e kampionatit Shqiptar, përfshi Abisnet Superioren, fazën “Final Four’, Kategorinë e Parë, Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën.
Firmat e hedhura në 24 gusht mes Drejtorit të Përgjithshëm të MCN TV Endri Meksi dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës së Përgjithshme të Futbollit Ilir Shulku i shtrin këto të drejta për 3 sezonet e ardhshme në territorin e Shqipërisë dhe Kosovës.
Menjëherë pas firmosjes së marëveshjes në FSHF përmes një shkrese drejtuar Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe mediave audiovizive te interesuara, MCN bën me dije se aktualisht shfaqet vetëm në platformën tokësore, në aplikacionin “Klani im” si dhe në platformën OTT të TIBO.
E vetëdijshme për të drejtat ekskluzive të këtij transmetimi MCN TV merr përsipër përcjelljen e këtyre eventeve sportive me seriozitetin dhe profesionalizmin e duhur. Për të garantuar që shqiptarët ta shijojnë free dhe pa pagese festën e futbollit shqiptar në harkun e 3 viteve, kërkon bashkëpunimin e ngushtë të
Autoritetit të Mediave Audiovizive për të parandaluar, shmangur dhe dënuar me rreptësinë e ligjit çdo tentativë të piraterisë televizive që lidhet me transmetimin e pjesshëm ose të plotë nga subjekte dhe operatorë të palicensuar të ndeshjeve për të cilat MCN ka fituar të drejtat ekskluzive.
Në këtë kontekst MCN fton të gjithë operatoret dhe mediat e interesuara të kontaktojnë me departamentin e marketingut në MCN TV për të diskutuar mbi mundësinë e bashkëpunimit dhe lidhur kontratat respektive të bashkëpunimit. Le të shijojmë futbollin duke respektuar garën dhe të drejtat ekskluzive të kësaj maratone 3-vjeçare në MCN.