Një bazë armësh në fshatin Rrencë të Shkodrës që shërbente për grupet kriminale është zbuluar nga policia.
Gjatë aksionit u sekuestruan 11 pistoleta, kapsolla detonatorë, 2000 fishekë të ndryshëm, antiplumba etj.
Pronari i kësaj baze, 61-vjeçari Ç.J. është arrestuar nga uniformat blu.
Njoftimi i Policisë së Shkodrës:
Zbulohet në fshatin Rrencë, një bazë ku mbaheshin për llogari të grupeve kriminale, 11 pistoleta, kapsollë detonatore me fitil zjarrpërcjellës, rreth 2000 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 2 antiplumba dhe 1 silenciator.
Kapet dhe vihet në pranga pronari i banesës së kthyer në bazë të grupeve kriminale (shtetas me precedent kriminal).
Në vijim të operacioneve kundër armëmbajtjes pa leje dhe si rezultat i punës së inteligjencës policore, Komisariati i Policisë Shkodër finalizoi operacionin policor “Baruti”.
Në kuadër të këtij operacioni u zbulua një baze kriminale në fshatin Rrencë.
Gjithashtu, u arrestua në flagrancë pronari i banesës së vënë në funksion të veprimtarive kriminale, shtetasi Ç. J., 61 vjeç, me precedent për armëmbajtje pa leje.
Nga kontrolli, në ambientet e banesës u gjetën: 11 pistoleta, kapsollë detonatore me fitil zjarrpërcjellës, rreth 2000 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 2 antiplumba dhe 1 silenciator.
Armët do t’i nënshtrohen ekspertizës në Institutin e Policisë Shkencore, për të provuar përdorimin e tyre për ngjarje kriminale.
Gjithashtu, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po hetohet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të gjithë shtetasit e implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.


