“Policët në roje të krimit”/ “FactCheck” zbardh alarmin e Kryepolicit Proda: S’kemi efektivë. Paguhet për të siguruar rend e qetësi për shoqërinë, ndërkohë prej më shumë se një dekade Policia e Shtetit është kthyer në rojën private të personave që arreston. Këtë skandal e zbulon shkresa e Kryepolicit Ilir Porda siguruar ekskluzivisht nga emisioni “Fact Check”.
Efektivët e Policisë së Shtetit janë kthyer në roje private për banesat dhe personat të cilët kanë arrestuar më herët në operacione ku kanë rrezikuar edhe jetën.
Emisioni “Fact Check” ka siguruar eksluzivisht shkresën sekrete të policisë së shtetit e cila ngre alarmin se vetëm për 7 të arrestuar ata angazhojnë përgjatë 24 orëve 85 efektiv policie të cilët kryejnë shërbim roje.
Në këtë shkresë thuhet se policia po përballet me vështirësi të mëdha në ekzekutimin e masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi” me mbikëqyrje policore të pandërprerë.
Është drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit i cili kërkon ndihmën e institucioneve shtetërore për zgjidhjen e kësaj situate alarmante.
Proda shruan se “Aktualisht, në të gjithë vendin, Policia ruan dhe siguron shtatë persona të arrestuar në banesat e tyre, duke angazhuar rreth 85 punonjës policie për mbikëqyrjen e tyre 24 orë në 24, një ngarkesë e konsiderueshme për burimet njerëzore të Policisë. Kjo situatë ka ndikuar në zvogëlimin e kapaciteteve për kontrollin e territorit, parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe ruajtjen e rendit publik.”



Duke kërkuar minimizimin e masës së arrestit në shtëpi me mbikëqyrje policore Policia i Kërkon Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykatë së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm të ndërhyjnë për zgjidhjen e situatës.
Sipas Prodës një zgjidhje ligjore do të ishte rikthimi i shërbimit të mbikëqyrjes elektronike për personat të cilët do të duhet të monitorohen përgjatë 24 orëve në respekt të vendimit gjykatave që i liron ata me kusht nga qelia.
Ku ndodhen dhe me sa policë ruhen personat e liruar nga gjykatat?
Në dokumentit e siguruar ekskluzivisht nga “FactCheck” thuhet:
Aktualisht, strukturat vendore të Policisë së Shtetit në zbatim të vendimeve të gjykatës janë duke ruajtur/siguruar në banesë gjithsej 7 (shtatë) persona nën hetim apo të pandehur, si vijon:
- Komisariati i Policisë Shkodër, Hasan Verracaku (Kiras, Shkodër), Masa: “arrest në shtëpi” me grupe nga 9 punonjës policie në turne, me tre turne gjithsej 15 punonjës.
- Komisariati i Policisë Fier, Klaudjo Fatmir Çobaj (Lagjja “Dukas”, Patos), Masa: “arrest në shtëpi”, ruhet nga 2 oficerë për çdo turn, gjithsej 10 punonjës.
- Komisariati i Policisë Krujë, Klodian Çupi (fshati Derven, Njësia Fushë Krujë), Ruhet nga 2 oficerë për turn, gjithsej 10 punonjës.
- Komisariati i Policisë Kurbin, Alfons Bibaj (alias Alfons Taraj), Ruhet nga 2 oficerë për çdo turn, gjithsej 10 punonjës.
- Komisariati i Policisë Lezhë, David Lalaj, Ruhet nga 1 oficer dhe një grup të njësisë së sigurisë piblike, për turn, gjithsej 20 punonjës.
- Komisariati i Policisë Lezhë, Altin Pjetër Marku, Ruhet nga 2 patrulla me nga dy punonjës, gjithsej 20 punonjës.
- Në vendimet për caktimin e masës, të përcaktohen qartë mënyrat e zbatimit të mbikëqyrjes dhe përgjegjësitë për rastet e mbikëqyrjes nga Policia e Shtetit.