Shqipëria është zyrtarisht në stanjacion turistik. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se në Korrik, muajin që përbën dhe kulmin e sezonit turistik, numri i turistëve të huaj që vizituan Shqipërinë u rrit me vetëm 0.4 për qind. Ndërsa duke përfshirë dhe shqiptarët, numri i vizitorëve gjithsej u rrit muajin e kaluar me 1.5 për qind krahasuar me një vit më parë.

Të dhënat zyrtare tregojnë se Shqipëria po përballet me një sezon shumë të vakët turistik, kilometra larg parashikimeve imagjinare të qeverisë për 20 milionë turistë.
Sipas INSTAT, për periudhën janar-korrik të këtij viti, Shqipëria u vizitua nga 6.58 milionë turistë të huaj. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kjo shifër është vetëm 3.5 për qind më e lartë duke shënuar një nga rritjet më të ulëta historike, përjashtimisht vitit të pandemisë.
Ndërkohë duke përfshirë dhe hyrjet e shtetasve shqiptarë, për 7 mujorin Shqipëria është vizituar në total nga 11.2 milionë udhëtarë, ose 5.1 për qind më shumë se një vit më parë.

Shifrat zhgenjyese te turizmit
Qeveria shqiptare është investuar agresivisht në marketimin e Shqipërisë si një Maldive në mes të Europës. Në mediat ndërkombëtare ka thuajse çdo ditë shkrime për mrekullinë dhe bumin turistik të Shqipërisë, thuajse të gjitha të sponsorizuara. Por reklama e paguar duket se nuk po jep efektin e shpresuar nga qeveria shqiptare, teksa Shqipëria këtë vit është zyrtarisht në stanjacion turistik.
Ndërkohë i vetmi tregues me rritje domethënse i turizmit këtë vit, janë daljet e shqiptarëve jashtë. Sipas INSTAT, daljet e shqiptarëve për udhëtime jashtë u rritën më 9 për qind këtë vit, teksa duket se shqiptarët po preferojnë gjithmonë e më shumë të pushojnë jashtë kufijve të Shqipërisë.
Marrë nga Kapitali